Një diell kaq të bukur, që bën të shkëlqejnë valët si mijëra pasqyra vezulluese, të gërshetuara nga rryma detare në mënyrë të tillë, sa që të duket se vetë deti ashtu, luspa-luspa është në sfidë të hapur edhe me shtatë ngjyrat e ylberit. Këtu, ku bregu zbret shkallë-shkallë, edhe ngjyra zbret shkallë-shkallë, kemi dhjetëra nuanca të bojë-qiellit, po aq të jeshiles, po aq të së bardhës. Në këtë bregdet, ku ndihet pushteti i krenarisë që je bir i kësaj toke Arbënore, për të gjithë shqiptarët, edhe mrekullia që ka bërë zoti, shkrihet me mrekullitë që po ndërton njeriu shqiptar ditë pas dite.
Këtu, fillon dhe njësohet deti Jon me atë Adriatik, këtu njësohet era e detit me të malit, këtu njësohet rëra me zallin, sa dhe ngjyrat e ndërtesave njësohen e luajnë me natyrën përreth si luan pranvera me ngjyrën e luleve të saj. Sa kemi lënë pas Vlorën dhe kemi kaluar në atë që quhet “Përroi i Vrizit”, jemi futur në atë kufi institucional, që i përket bashkisë së Orikumit. Nuk ka njeri të kësaj zone që të mos e dijë se futesh në Radhimë , ku të vjen në mend një këngë e këtyre viseve: “Dukat, Tragjas e Radhimë/ U derëzeza o djem” .Kjo është zona ku tre fshatrat e një krahine që quhet Dukat, janë të lidhur me njëri –tjetrin me gjak, vëllazëri e krushqi të përjetshme. Kjo zonë, që kufirin fillestar e ka direkt mbas shkëmbit natyror që ngrihet si një ballkon madhështor mbi det e që vlonjatët e quajnë me emrin “Kalaja” , mbaron mbi Qafën e Llogorait, kur zbret për në Palasë, dhe ashtu si fillon dhe mbaron, në një vijë natyrore ku qielli, toka, deti bëhen njësh, ashtu bëhet njësh dhe e shkuara me të sotmen, duke folur me të njëjtën gjuhë, duke kënduar të njëjtat këngë.
Kur ecën në rrugën gjarpëruese të Radhimës, aty ku mushmollat, limonët, ullinjtë, ndërthurën me pishat, gjineshtrat e verdha e xinat buzë rrëzomave, që herë bëhen njësh me detin, e herë bien thikë duke u zvarritur nëpër hone, mahnitesh se sa shumë ka ecur kjo zonë në këta pak vjet, sa bukur ka ndërhyrë njeriu e sa afër dukesh me Mesdheun e përtejmë, ku konkurrenca kalon deri në marrëzi. Kohët e fundit, këtu kanë ardhur dhe turistë që ecin e lëvizin shpateve në këmbë, e me mushka duke mohuar edhe makinat e shtrenjta që as këtu nuk mungojnë. Duke i parë kështu grupe-grupe, të kujtohet koha që kjo zonë u përshkua në të njëjtën mënyrë në 29 maj 1920, kur u bë Kuvendi i Barçallait që përgatiti Ultimatumin dhe u morën vendimet e rëndësishme të Luftës së Vlorës. Me mendje, po të kthehemi mbrapa në ato vite, lexojmë se çfarë ka lënë të shkruar për këtë krahinë një nga udhëheqësit kryesor të asaj lufte, mëmëdhetari i madh Osmën Haxhi Muhameti: “Kur i hipa kalit për në Barçalla e Radhimë nëpër penxhere kishin vënë flamurë kuq e zi me shkabë. Njerëzit ishin gati të linin punën dhe të vinin në luftë. Kurse nëpër sokakët ndihej era e fortë e petullave. Në Tragjas e mbyllën shkollën dhe ishin gati që burra dhe gra të vinin me mua. Piva dhallë të ftohtë në shumë stane. Në Dukat ishin mbledhur të gjithë burrat dhe ata që nuk kishin dyfek kishin marrë kërrabën ose shkopin prej drize. Aty pashë dhe gjeta një nocion nacional që Shqipëria është Dukati, apo Dukati është Shqipëria”.
Është bukur kur sheh njerëz që vijnë për mallin e largët, për kureshtje, për gëzim në këto anë, që më shumë kanë pritur ushtri të huaja dhe i kanë përballuar ato me dinjitetin e shqiptarit. Në horizont ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit, janë aq afër dhe aq larg, si dhe rrëfenjat që flasin gjuhën e sotme. Dikur ishte vetëm një gadishull, por si pasojë e një tërmeti dhe shkëputje nënujore ai u nda dhe u krijua ishulli i Sazanit. Kjo zonë dikur përfshihej në zonën e Himarës prej 50 fshatrash, dhe nga njëri prej tyre, Radhima e ka prejardhjen dhe arbëreshi i famshëm Jeronim De Rada. Pra pak kohësh këto gurë i preku dhe studiuesi francez me origjinë shqiptare, Mathieu Aref, autor i librit “Shqipëria-Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” i cili duke studiuar ato që shkruan Hamond se në malet Akrokeraune (në malet e Vetëtimës) në Dukat, ka lindur Zeusi, erdhi këtu për t’i parë e shkelur këto troje mitike. Ndoshta, studiuesin që ka bërë të mendohen shumë shkencëtarë, e kanë shtyrë përpara dy fakte: i pari është fakti se dijetari C.Roth në librin e tij shkruan se në malet Keraune jeton fisi Albanoi, domethënë Albanopoli i dikurshëm, dhe i dyti se E.Gilbert thotë se emri Labëri është emri i vjetër i Albanopolit që ndodhet në malet e Akrokeraunëve.
Ptolemeu në hartat e tij të famshme ka dhënë koordinata të sakta për Vlorën, Orikun, Pashalimanin, Palermon, ndaj mendohet që s’ka si të ketë gabuar kur Albanopolin e ka vendosur në juglindje të Keraunisë, në krye të rrjedhës së lumit të Celydnos. Si për koincidencë, lumi i Dukatit burimin lindor e ka në Vrizë. Këtu, ku shtrihet Orikumi, qyteza 2500 vjeçare, që dikur është thirrur me emrin Erihoi, gjenden dhe rrënojat e lashta të tij, me amfiteatrin, që i kanë dhënë të drejtë ministrisë së Turizmit e Kulturës për ta shpallur atë “Park Arkeologjik Kombëtar”. Në fakt, koha e saktë për themelimin e Orikumit nuk dihet. Ka shumë gjasa që kjo qytezë është themeluar si koloni mbi ndonjë vendbanim ilir më të vjetër, se shekulli VI p.e.s , ashtu si ka ndodhur edhe për shumë qyteza të tjera ilire, sepse dihet që Orikumi është pjesë e tokës së fisit ilir të amantëve. Në gjithë këtë zonë ka shumë shpella që brenda tyre ka shumë histori për të dalë në dritë. Dikur Lukiani shkruante se “këtu strehohen varkëtarët, kur Adriatiku të gjitha fuqitë e veta i vë në lëvizje dhe kur Keraunia fshihet ndërmjet reve.” Mbas Karaburunit gjendet një liman që quhet Gramata e banorët i thërrasin Grama. Ky liman, në ditët e sotme, është një kompleks, me tuma, qeramikë, amfora nënujore, aty është gjetur dhe një anije me vela ilire. Dijetari i shquar gjerman Hans Treidler ka shkruar se Gramata e sotme ka qenë limani i fisit të vogël ilir Encheler, që nuk mund të dilte drejtpërsëdrejti në Orikum, ku ish vendosur kolonia greke, ndërsa mitologu grek Apolonius Phoius thotë se Zeusi i drejtonte vetëtimat për të dëbuar gjindin e racës së Encheler. Në një nga shpellat e famshme të kësaj zone do të strehohej, për tu ruajtur në shekujt që do të vinin më pas edhe ulqinakasi i famshëm Haxhi Aliu, emrin e të cilit e mban kjo shpellë sot e kësaj dite.
Nga gërmimet që ka bërë në trevën e Dukatit arkeologu shqiptar Pr. Neritan Ceka, ka gjetur varreza të lashta ilire të mijëvjeçarit të tretë p.e.r. Në thikat prej bronzi, karficat, sendet e tjera të stolisjes, që u gjendën në ato tuma, tregohej qartë se ilirët kaonë kanë jetuar në këto troje në periudhën kur shoqëria fisnore ishte duke u shkatërruar. Në Dukat toponimi “Gropa e Pirit”, vjen nga emri i lashtë “Gropa e Epirit”, ku i pirë do të thotë i pjerrët, që laget nga uji. Këtu ndodhet edhe një hon që quhet Gërxhinë, që s’është gjë tjetër veçse një gërxh i vogël, banorët fjalës Greqi i thonë Gërqi, dhe njerëzit e gërxheve, i quajnë me fjalën “grekërit” apo “gërxhianët” dhe është plotësisht e mundshme që romakët t’i kenë quajtur banorët e gërxheve, “graccianë” e vendin “Grecia”, nga që bregu ka qenë gjithmonë gërxhe-gërxhe. Këtu shtrohet dhe pikëpyetja e aludimi i madh i shumë shkencorëve, gjuhëtarë e historianë, se s’ka pasur kurrë grekë të vjetër, por ata ishin pallazgo-ilirët e gërxheve. Në se duam të studiojmë të vërtetat tona të mohuara, duhet gërmuar thellë në këtë zonë, sepse këtu është filli që pështjellon lëmshin, kjo zonë është palca e shqiptarisë.
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…