Kur mbarë Evropa i këndonte lavdisë skënderbejane

VRAGJET SPANJISHT HEROIT SHQIPTAR

Nga faqet më të nënvlerësuara dhe të shpërfillura të jehonës dhe ndikimit të veprës e bëmave jetësore dhe luftarake të Gjergj Kastriotit, është padyshim prania e figurës së kryetrimit të Arbërisë në letërsinë më të spikatur spanjolle të Shekullit të saj të Artë (Siglo de Oro).

Bëhet fjalë për shekullin kur do të lëvronin në letrat spanjolle përfaqësuesit më të shquar të kësaj letërsie, të kësaj gjuhe dhe kulture të mrekullueshme që edhe sot ushtron ndikim tepër të fuqishëm në letërsinë botërore, përmes stërnipave të këtyre poetëve dhe krijuesve të pavdekshëm, nga Spanja në Amerikën Latine dhe Qendrore.

Pati qenë pikërisht koha e Miguel de Cervanes Saavedra, Francisco de Quevedo, Lope de Vega, Luis de Góngora y Argote, e plot të tjerëve syresh, kolosë të letrave spanjolle që do të sendërtonin periudhën më të shndritshme të letërsisë së shkruar dhe të frymëzuar në gjuhën spanjolle, e sakaq, në një epokë kaq të frytshme letrare, personazhi i huaj absolutisht më i kënduar, më i lëvduar dhe më grishës për shkrimtarët, poetët e dramaturgët spanjollë të kësaj kohe, pati qenë Gjergj Kastrioti arbëror.

Tashmë është përcaktuar me saktësi se letrari që më tepër do të lëvronte në gjurmët dhe bëmat e Skënderbeut në Spanjë, pati qenë Luis Vélez de Guevara (Écija, 1 gusht 1579 – Madrid, 10 nëntor 1644), dramaturg dhe shkrimtar i njohur i periudhës në fjalë, pjesë e rrymës letrare të mbiquajtur si “Conceptismo”, të ndërlidhur ngushtësisht me veprën letrare të Francisco de Quevedo, armikut të përbetuar (jo vetëm në letërsi), të Luis de Góngora y Argote, që është edhe protagonisti i këtij hulumtimi letrar dhe historik kushtuar vendit të Gjergj Kastriotit në letërsinë e Shekullit të Artë të Letrave Spanjolle.

Luis Vélez de Guevara do të jetë krijuesi i një sërë komedish kushtuar Gjergj Kastriotit, e para ndër të cilat, me titullin “El Jenizaro de Albania”, në shqip “Jeniçeri i Arbërisë”, është datuar tanimë me saktësi nga studiuesit spanjollë mes viteve 1608-1610, dhe deri vonë cilësohej si krijimi i parë i mirëfilltë kushtuar Skënderbeut në letërsinë mesjetare spanjolle.

Thënë kjo, duke mënjanuar ndërkaq bindshëm ndonjë hamendësim të cekët dhe pa asnjë themel, apo fakt të vërtetuar historik, se gjasme edhe i madhi Lope de Vega paskësh shkruar diçka në këtë këndvështrim; pretendim tejet periferik, që është hedhur poshtë pa asnjë hapësirë diskutimi nga studiuesit e specializuar spanjollë të letërsisë prej kohësh.

Përveç komedisë së mësipërme, Luis Vélez de Guevara do të shkruajë, rreth njëzet vite më vonë, në vitin 1628, një tjetër vepër kushtuar Skënderbeut, kësaj radhe të titulluar “El Príncipe Esclavo” (Princi Skllav), me dy pjesë dhe paskëtaj krijimin tjetër me sërish protagonist kryetrimin arbëror, me titullin kuptimplotë “El príncipe Escanderbey y El gran Jorge Castrioto” (Princi Skënderbej dhe Gjergj Kastrioti i Madhërishëm).

Të gjitha këto vepra të Luis Vélez de Guevara janë doemos të ndërlidhura e të ndërvarura njëra ndaj tjetrës, por gjithashtu përbëjnë një zinxhir krijimtarie që ngjizet dhe i kushtohet Gjergj Kastriotit, duke u ndikuar, frymëzuar dhe pasuruar çdo krijim letrar i këtij autori mbështetur në figurën e Skënderbeut, nga krijimet e tij të mëparshme në këtë këndvështrim, por ndërkohë krijimi fillestar, pikërisht “El Jenizaro de Albania”, nga studiuesit spanjollë të letërsisë është përcaktuar tashmë pa asnjë hije dyshimi, se është frymëzuar kryekëput dhe ka ndjekur besnikërisht gjurmët e krijimit mirëfilli të parë letrar që i kushtohet Gjergj Kastriotit në spanjisht dhe në letërsinë spanjolle, në përgjithësi, të shkruar nga Luis de Góngora y Argote.

Për ta plotësuar kornizën e krijimeve letrare që kanë protagonist dhe fymëzim Skënderbeun në letërsinë mesjetare spanjolle të Shekullit të Artë, një tjetër dramaturg, shkrimtar dhe klerik i njohur i kohës në fjalë, i quajtur Juan Pérez de Montalbán (Madrid, 1602-1638), do të shkruajë një “auto sacramental” (vepër teatrale me sfond fetar ose dramë liturgjike, me strukturë alegorike dhe përgjithësisht, me një akt të vetëm), të titulluar “Escanderbech”, sërish kushtuar Gjergj Kastriotit dhe qartësisht, të frymëzuar nga vepra e Luis Vélez de Guevara “El Príncipe Esclavo”.

“Escanderbech” do të botohej në vitin 1632, por sipas studiuesve spanjollë të letërsisë, me gjasë kjo vepër ishte shkruar diku në vitin 1629, domethënë një vit mbas “Princit Skllav” të Vélez de Guevara, duke u frymëzuar kështu tërthorazi edhe nga vargjet e romancës fillestare të shkruara nga Luis de Góngora y Argote.

Do theksuar sakaq fakti, se edhe “El Jenizaro de Albania”, do të kish mbetur një krijim tërësisht i harruar dhe mbuluar nga pluhuri i rëndë i kohës, po të mos ishte zbuluar rastësisht në vitin 1886, në një fond të pakataloguar të Biblioteca Nacional (Bibliotekës Kombëtare) të Spanjës.

Veprat që i kushtohen Skënderbeut vijojnë edhe më tutje, gjer në “Los hijos del dolor y Albania tiranizada” (Bijtë e Dhimbjes dhe Arbëria e Shtypur), me autor Francisco de Leyva y Ramírez de Arellano (Malaga, 1630-1676), krijimi që i përket gjysmës së dytë të shekullit XVII, gjithashtu i shenjuar nga trashëgimia e patjetërsueshme e vargjeve të Luis de Góngora y Argote kushtuar kryetrimit të Arbërisë.

Kjo poemë është shkruar nga Luis de Góngora y Argote dhe qe botuar si fillim, në përmbledhjen “Ramillete de flores. Quinta parte de Flor de Romances recopilados por Pedro de Flores”, në vitin 1593 në Lisbonë, është krijuar nga poeti i madh spanjoll në vitin 1586, dy vite përpara se të përkthehej për herë të parë në spanjisht nga portugalishtja, nga Ochoa de Salde në vitin 1588, “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis” e Marin Barletit.

E pikërisht me këtë poemë, këtë romancë në vargje ku himnizohet Gjergj Kastrioti, si një hero epik dhe vigan i mirëfilltë, në dashuri dhe fushën e betejës, do të nisë vazhda e gjatë e poemave, komedive, dramave dhe vënieve të shumta në skenë të veprave që i kushtohen figurës së Skënderbeut në Shekullin e Artë të letërsisë mesjetare spanjolle.

Fakti me rëndësi kyçe dhe vlerë madhore që del në pah ndërkaq, është se tanimë mund të pohohet me bindje të plotë, se vepra e parë për Gjergj Kastriotin e shkruar në spanjisht, daton 22 vite më herët nga viti 1608, kur mendohej se ishte data më e hershme, përmes “El Jenizaro de Albania” të Luis Vélez de Guevara, meqenëse “Criábase el Albanès”, poema e Luis de Góngora y Argote, i takon vitit 1586, ndërsa dritën e botimit do ta shikonte në vitin 1593.

Krenaria për këtë zbulim shtohet gjithsesi pamasë, kur kemi parasysh autorin e kësaj poeme, njërin nga dy poetët më të mëdhenj të historisë së letërsisë spanjolle, krahas armikut të tij të pandashëm në jetë, Francisco de Quevedo, pikërisht Luis de Góngora y Argote, atin e rrymës letrare “Culteranismo”, të cilit, ndonëse poezitë iu luftuan përherë në jetë, pas vdekjes arriti pavdekshmërinë letrare.

Më poshtë, do të gjeni vargjet e kësaj poezie dhe fotot e dy faqeve nga botimi origjinal i vitit 1593, që kam arritur t’i gjej në kërkimet e mia:

Luis de Góngora y Argote (1561 – 1627)

“CRIÁBASE EL ALBANÉS / QE RRITUR ARBËRORI”

Viti 1586

“Qe rritur Arbërori

Në oborrin mbretëror të Muratit,

Jo si ndonjë rob i çmuar

I lënë peng prej të atit,

Por siç do të ishte rritur me pekule

Sulltani më i shquar,

I mikluar nga Udhëheqësi i Madh,

Tepër i dashur për gjindjen,

Riosh me parime të epërme

Dhe mendime të thella,

E shpresa të lidhura

Me gjakun e tij fisnik,

Prijës madhështor në kohë luftërash,

Oborrtar i dalluar në paqe,

Shqytë për ushtarët e vet,

Shëmbëlltyrë e sypatremburit.

Porsa ia kish dalë mbanë atëherë

Ta mposhtte, dhe t’i fitonte

Hungarezit dy flamuj,

Ndërsa Sufiut edhe katër të tjerë syresh.

Por, ç’vlerë paskësh vallë

Të ngadhënjesh ndaj prijësve të pamposhtur

Duke u vënë gjoksin

Mijëra rreziqeve për vdekje,

Nëse sakaq një çilimi i verbër e mposht,

Krejt i çarmatosur.

Duke i ngulur në zemër

Dy heshta tejshpuese?

Tejshpuese këto heshta,

Që nuk janë gjë tjetër, veç syve të ëmbël

Të dy turkeshave më të hijshme

Të gjithë Lindjes;

Nuk ka gurë të çmuar aq të kaltër

Sa të krahasohen dot me sytë e tyre,

Të përkora skajshmërisht

Dhe me hiret krejt të rralla.

Nuk e mbronte dot as parzmorja

Prej diamantesh të veckël,

Ngaqë zjarr’ i dashurisë

Është rrezja përvëluese,

Që edhe hekurin e paepur

E bjerr dhe zhbën tërësisht:

Nuk ndalet prej hekurit Dashuria,

Që pagabueshëm përherë,

Di ta bëjë shpirtin të hekurt,

Dhe çehren kuptimplotë.

Tejet i pafat ishte ai në kohë paqeje,

Njëlloj siç ishte ngadhënjimtar në kohë lufte,

I dorëzuar në paqe ndaj hireve femërore,

Ndërsa në luftë ngaherë një Mars krenar ishte;

Fort mirë ia njihte vlerat atij Dashuria,

Saqë për ta lidhur përfundimisht

(për t’ia hedhur vargonjtë, Dashuria,

Atij që kish mposhtur Marsin hyjni),

Si vërejti se nuk mjaftonte një vargua,

U rrek ta lidhte me dy syresh”.

Në origjinal në spanjishten mesjetare:

“Crïábase el Albanés

en la corte de Amurates,

no como prendas captivas

en rehenes de su padre,

sino como se crïara

el mayor de los sultanes,

del Gran Señor, regalado,

querido de los bajaes,

mancebo de altos principios

y de pensamientos graves,

de esperanzas vinculadas

con su generosa sangre,

gran capitán en las guerras,

gran cortesano en las paces,

de los soldados escudo,

espejo de los galanes.

Recién venido era entonces

de vencer, y de ganalles

al Húngaro dos banderas,

y al Sofí cuatro estandartes.

Mas ¿qué aprovecha domar

invencibles capitanes

y contraponer el pecho

a mil peligros mortales,

si un niño ciego lo vence,

no más armado que en carnes,

y en el corazón le deja

dos arpones penetrantes?

Dos penetrantes arpones,

que son los ojos süaves

de las dos más bellas turcas

que tiene todo el Levante;

que no hay turquesas tan finas

que a sus ojos se comparen,

discretas en todo extremo

y de gracias singulares.

No lo defendió el escudo,

hecho de finos diamantes,

porque el amoroso fuego

es al rayo semejante,

que el duro hierro en sus manos

lo disminuye y deshace:

no para en el hierro Amor,

que, sin errar tiro, sabe

poner en el alma el hierro,

y en la cara las señales.

Fue tan desdichado en paz,

cuanto, en la guerra, triunfante,

rendido, en paz, de mujeres,

siendo en guerra un fiero Marte;

bien conoció su valor

Amor, pues para enlazalle

(por tener sujeto, Amor,

al que sujetó al dios Marte),

un lazo vio que era poco,

y quiso con dos vendalle”.

Hulumtuar në arkivat spanjolle dhe portugeze, dhe përkthyer në gjuhën shqipe nga spanjishtja: Elvi Sidheri.

postbck postbck

Recent Posts

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

2 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

3 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

4 hours ago

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

5 hours ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

5 hours ago

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

1 day ago