Artan R. Hoxha: Tharja e kënetës së Maliqit dhe ndërtimi i regjimit komunist në periferi të Shqipërisë
Për bizantinët njeriu ishte një mikrozmos dhe kisha një simbol i universit. Ky parim përshkonte tejembanë agjiografinë dhe historiografinë e Romës së Lindjes. Mjafton të futesh në një kishë ortodokse dhe të shikosh afresket ose ikonat e saj dhe të mbërthen një ndjesi nënshtruese. Fytyrat e zbehta e të zgjatura, sytë e mëdhenj e të errët përçojnë te çdo kundrues idenë e përjetësisë hyjnore, e të vërtetës që kapërcen dimensionin njerëzor. Parimet që udhëhiqnin punën e historishkruesve në Bizant nuk ka qenë të ndryshme nga ato të kolegëve të tyre piktorë. Qëllimi i historianëve bizantinë ka qenë rrokja e thelbit të universales, të asaj që koha me peshën e saj shkërrmoqëse nuk arrinte ta shpërbente, e esencës që qëndronte e patundur ndaj përkohshmërisë së formës. Për bizantinët, detajet, pjesëzat e një tabloje historike apo jeta e personazheve të ndryshme merrnin rëndësi vetëm në rast se ato shërbenin si simbole përfaqësuese të së përgjithshmes, apo se shprehnin frymën e kozmosit.
Nga bizantinët e dikurshëm, ne njerëzit e shekullit XXI kemi se çfarë të mësojmë. Të paktën, kështu e shoh unë. Dhe nuk jam i vetmi që mendon se analiza e të veçantës, dhe e një detaji, nuk na mundëson t’i përgjigjemi pyetjeve të rëndësishme mbi dinamika gjithëpërfshirëse historike. Historianë të shquar si Carlo Ginzburg, Giovanni Levi, Natalie Zemon Davis, apo Peter Sahlins kanë dëshmuar se mikrohistoria, ose perspektiva molekulare ofron një mjet mjaft efektiv për të testuar nivelin makroskopik dhe kuptuar se si funksionojnë makrosistemet. Historiani amerikan i Bashkimit Sovjetik, Stephen Kotkin ka shkruar në një artikull të famshëm të tijin se Moska komuniste ringriti atë që ai quan “komunelth mongol”. Pra, udhëheqja sovjetike nisi një formë të re globalizmi të mbështetur mbi modelin shoqëror, ekonomik, institucional dhe kulturor të ndërtuar prej saj dhe që shprehej nga ideologjia dhe hartat mendore e deri tek arkitektura e botës socialiste. Dhe Elidor Mëhilli së fundmi ka treguar se si ndërtimi i socializmit në Shqipëri ishte pjesë e një procesi historik global që e futi Shqipërinë në një botë shumë më të madhe, që shtrihej nga Adriatiku deri Paqësor.
Për të vërtetuar këtë, mjafton të shohësh teatrin e Maliqit – i cili mjerisht u dogj para pak vitesh. Godina të ngjashme me qendrën kulturore të ish-qytezës së sheqerit në Shqipërinë juglindore shikon në të gjithë hapësirën që shtrihet nga brigjet e Balltikut, në ato të oqeanit Arktik, e deri në Kamçatka në Siberinë Lindore. Ky libër që po i bie në dorë lexuesit e vendos lupën e tij pikërisht në Maliq, për të kuptuar përmes asaj që ndodhi aty, dinamika më të gjera historike, ku procese të rëndësishme merrnin dhe njëkohësisht i jepnin formë këtij lokaliteti të rrethit të Korçës.
Nuk mëtoj aspak se Maliqi është një monadë e universit sovjetik. Në një rast të tillë do të rrëshqisja në klishetë e tipizimit bizantin që ka qenë një tipar dominues i letërsisë dhe agjiografisë së tyre. Duke rendur pas thelbit, intelektualët bizantinë binin shpesh në përgjithësime, pra në modele të menduari që synonin të nxirrnin një esencë specifike duke flijuar kështu shumëformësinë dhe shumëngjyrshmërinë e realitetit. Të udhëhequr nga dualizmi i luftës së të mirës kundër të keqes, të tokësores kundër qiellores, të shpirtërores kundër mishtores, kontradikta këto të cilat Krishtërimi me parimin e tij të Trinisë kërkonte t’i kapërcente, njerëzit e letrave në trashëgimtaren lindore të Romës u mbërthyen për një kohë të gjatë në një sistem konceptual që i rrëgjonte personalitetet apo zhvillimet historike vetëm në bardhë e zi. Ky model të menduari, kjo skemë konceptuale dominon ende, pas më shumë se një mijë vjetësh në Shqipërinë e sotme.
Për shumë shekuj, historianët bizantinë ishin të zhveshur nga çdo lloj subjektiviteti dhe e shihnin veten si vegla që ekze kutonin vullnetin e Shpirtit të Shenjtë: pikërisht kjo i bënte ata objektiv. Njëlloj si edhe homologët e tyre të dikurshëm që shkruanin e jetonin në Perandorinë Romake të Lindjes, shumë historianë shqiptarë shkruajnë duke e zhveshur punën e tyre nga subjektiviteti. Kjo duket pikërisht tek shprehje klishe si “Ne mendojmë”, “sipas mendimit tonë”, apo të tjera formula ku veta e parë njëjës asgjësohet nga veta e parë shumës. Uni i autorit shkrihet me diçka të largët, impersonale, me një “Ne” të paidentifikueshme, një “Ne” që qëndron diku lart, që jep investiturën e të vërtetës; është Shkenca që zëvendëson Shpirtin e Shenjtë dhe legjitimon përfundimet e autorit me aureolën e objektivitetit.
Kjo shkrirje e esencializimit dhe objektivitetit shihet në të gjithë narrativën e ngritur rreth transformimit të Maliqit nga një zonë moçalore, në qendrën e prodhimit të sheqerit në vend. Tharja e kënetës së Maliqit ka përfaqësuar një moment të rëndësishëm në programin e modernizimit të Shqipërisë dhe ka shërbyer si simbol i përpjekjeve për zhvillimin e saj. Në periudhën midis dy luftërave botërore, projekti shërbeu si metaforë e bonifikimit të së shkuarës, e zhbërjes së trashëgimisë osmane dhe e orientimit të vendit kah modeleve perëndimore. Tharja e kënetës së Maliqit ishte pjesë përbërëse e gjithë diskursit që ndërtoi imagjinarin e Europës si horizont drejt së cilës vendi duhej të lëvizte; e bashkë me Europën, u shpik edhe e shkuara osmane, si një e kaluar që refuzohej, e cila qëndronte në antitezë me të ardhmen. Kështu, kundërvënia midis progresit dhe prapambetjes u shkri me dikotominë gjeografike midis Orientit dhe Oksidentit.
Udhëheqja komuniste shqiptare e përvetësoi të gjithë këtë përfytyrim maniekeanist të botës dhe e përdori transformimin e Maliqit si simbol përfaqësues të fillimit të ndërtimit të socializmit. Tashmë, Bashkimi Sovjetik zëvendësoi Europën si pikë referimi që mundësonte mbërritjen në utopinë e shumëpritur të zhvillimit. Si partizanë të flaktë të modernitetit, komunistët ricikluan konceptualizimet antagoniste kohore dhe hapësinore të periudhës që i parapriu, me dallimin se tani ata ndryshuan kahe. PPSh e rreshtoi Shqipërinë në krahun e Lindjes, ndërsa e shikonin Perëndimin si “Tjetrin” e saj. Me Lindje kuptohej socializmi dhe jo Orienti. Perandoria Osmane vijoi të ishte sinonim i batakut, ku tharja dhe zhdukja e së cilës do të ishte lajtmotivi kryesor i misionit civilizues të komunistëve. Udhëheqja komuniste e bëri bonifikimin e fushës së Maliqit pjesë të historisë së Luftës së Ftohtë dhe e integroi atë brenda përplasjes midis dy blloqeve, atij socialist nga njëri krah dhe atij kapitalist nga krahu tjetër. Nivelet drejtuese të strukturës së pushtetit komunist e bënë transformimin e fushës së Maliqit pjesë të narrativës që justifikonte orientimin e Shqipërisë kah modelit sovjetik.
Sot, tharja e kënetës së Maliqit shërben si pjesë e asaj narrative që refuzon dhe dënon të shkuarën komuniste. Dhe bashkë me riqarkullimin e kundërvënieve kohore, riciklohen edhe antagonizmat hapësinorë. Dënimi i periudhës komuniste është refuzim i Lindjes, pra socializmit. Kështu, polariteti Lindje-Perëndim rivitalizohet sërish teksa njëkohësisht rikonfirmon përkushtimin ndaj modelit europiano-perëndimor, domethënë BE-së. Europa, rizuri sërish vendin qendror në hartën mendore të shqiptarëve, si vendmbërritja drejt së cilës pjesa më e madhe e tyre aspirojnë. Në Maliq, ndërtimi i të ardhmes nënkuptonte edhe eliminimin e të shkuarës. Projekti i Maliqit dhe mënyra se si ai kujtohet vijon të qëndrojë brenda kësaj skeme kundërvënëse dhe pikërisht këtu merr edhe gjithë fuqinë e tij simbolike.
Ky studim shkëputet nga gjithë simbolizmi që e tkurr projektin e Maliqit në një thelb të caktuar që i përgjigjet nevojave të politikës dhe ligjërimeve hegjemone. Qytetërimi nis nga përpjekja e njeriut me natyrën. Në luftën për ta nënshtruar atë, njerëzit kanë organizuar forma të sofistikuara pushteti dhe hierarkish dhe kanë aplikuar teknologji qeverisjeje që i ka lejuar strukturave të shtetit të drejtojnë më efikasitet projektet infrastrukturore, dhe bashkë me to edhe shoqërinë. Ky proces vihet re edhe në Maliq. Këtu, komunistët zbatuan procesin paralel të shkat ërrimit dhe ndërtimit. Teksa kërkonin të triumfonin mbi Natyrën, strukturat e PKSh-së luftuan edhe ar miqtë e tyre. Komunistët shqiptarë, jo shumë ndryshe nga homologët e tyre në pjesën tjetër të Europës Lindore jetonin në një univers të mbushur me forca të errëta, të kudondodhura, gati për të rrënuar utopinë e ardhshme të profetizuar nga Marksi. Në këtë proces të mbushur me ekze kutime, ndëshkime, djersë dhe uri, pushtetarët e rinj shqiptarë krijuan hapësira për segmente të gjera shoqërore që deri atëherë kishin qenë të margjinalizuara. Ndërtimi i kapitalit njerëzor për modernizimin nënkuptonte perfeksionimin e teknologjive të qeverisjes dhe zgjerimin e bazës shoqërore të regjimit.
Megjithë specifikat lokale, në Maliq shohim të ndodhim dinamika historike të ngjashme me atë të vendeve të tjera socialiste: proceset sociologjike të ndërtimit të pushtetit janë po ashtu elemente të rëndësishme që e lidhin Maliqin me pjesën tjetër të botës komuniste. Maliqi del si një copëz historie, një detaj, një tempull në miniaturë e një universi më të madh të mbushur me mikrokozmose të cilat, ndryshe nga sa predikonin bizantinët, nuk janë replika të universales, por tregojnë pikërisht të kundërtën: se ndërtimi i komunizmit ka qenë polimorf dhe kompleks, aq sa kapërcen të gjitha esencializimet pozitive dhe negative që e rrëgjojnë historinë në këmishën e forcës së një thelbi të vetëm. Ndërkaq, në Maliq shohim se komunizmi nuk u ngrit vetëm në qendër, por edhe në periferi – ishte pikërisht ky themeli i tij.
Burimi: /Exlibris.al/
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…
Nga: Halil Rama Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në…