Kasëm Grëmshi i Tomorricës, gjeniu i arkitekturës botërore në dokumentet osmane

Asqeri DIKO

Historian*

Kasëm Grëmshi  ka qenë dhe mbetet një ndër figurat  e mëdha historike arkitekturore të  Shqipërisë, me përmasa botërore, në Perandorinë Osmane, vepra e të cilit i përket kohës së fundit të shekullit  XVI dhe fillimit  të shekullit  XVII.

Nga studimet që kam bërë  deri tani nëpër arkiva  a biblioteka shkencore në Turqi (2002 – 2019), them me bindje të thellë dhe të plotë historike, se Kasëm Grëmshi i Tomorricës rreshtohet  ndër nga arkitektët dhe kryearkitektët më në zë në të Perandorisë Osmane. Vepra e  këtij kollosi shqiptar të arkitekturës klasike osmane  ndriçon tij e nderon Shqipërinë në çdo kohë.

Duke hulumtuar jetën e një figure të tillë, me probleme historike mu desh një kohë e gjatë, pasi dokumentet janë të pakta, por jam i lumtur që kam patur fatin e madh dhe mundësinë që për të hulumtuar rreth kësaj figure të ndritur dhe veprës së tij që  është edhe sot në këmbë dhe vizitohet nga vizitorë nga e gjithë bota.

Kasëmi u lind në fshatin Grëmsh të Tomorricës së Skraparit. Data e lindjes dhe ajo e vdekjes nëpërmjet shkrimeve arkivore në Turqi nga burime të ndryshme jepet e ndryshme, ndonjëherë edhe kontradiktore. Në Arkivin Osman në Stamoll, në Tapu Kadastro Genel Müdürlüğü Arshivi, Ankara (Drejtoria Qendrore  e Arkivit  dhe e Tapive Ankara, në librat të ndryshëm data e lindjes shkruhet 1567 ose 978/1570 (Sipas kalendarit të vjetër Hixhri i takon viti 978 dhe sipas kalendarit të ri, Miladin, i takon viti 1570 ). E njëjta gjë, ndodh dhe me datën e vdekjes. Sipas dokumenteve  të kohës datat 1659 ose 1070/1660 tregojnë kohën e vdekjes në Stamboll.

Kështu që kryearkitekti i Perandorisë Osmane, Koxha Kasëm Agai, Elhaxh Kasëmi nga Grëmshi, Gramshi, Gramesh– Garmish (të shkruara sipas dokumenteve  osmane) ka jetuar midis moshës 89 – 90 – 92 vjeç.

Varri i tij është  i vendosur në varrezat e mëdha me emrin “Karaxhaahmet” në Yskydar, Stamboll, si një përmendore  e madhe e mermertë dhe e ngritur si një podium, në të cilën janë shkruar disa të dhëna të jetës së tij në gjuhën osmanishte.

Koha e lindjes së Kasëm Grëmshit i përket koha e sundimit të  sulltanit XI, Selimit të Dytë  (1566 – 1574 ), njihej edhe me epitetin “Sarë”.

Periudha e marrjes e Kasëmit nga jeniçerët turq në Grëmsh dhe e dërgimit në sarajet e sulltanëve në Turqi, si fëmijë i shëndetshëm, vetëm e vetëm për të mësuar, i përket sundimit të sulltanit XII, Muratit  të Tretë  (1574 – 1595 ). Gjatë sundimit të këtij sulltani Kasëmi i mori mësimet e para nga kryearkitekti Davud Agai, që ishte nxënësi i kryearkitekt Sinanit të madh.

Në disa shkrime jo korrektë të disa historianëve a gazetarëve shqiptarë shkruhet se Koxha Kasëmi ka qënë nxënësi i mimar Sinanit. Në asnjë dokument  historiko – arkivor nuk e kam gjetur këtë gjë dhe nuk ka se si ta gjej, kur arkitekt Sinani lindi më 14 maj 1489, në fshatin Agërnas në Kajser të Turqisë, pra 81 vite më parë se sa të lindte Kasëm Gremshi dhe vdiq më 17 korrik 1588, kur Kasëmi mundet të ketë qenë 18 vjeç. Në atë kohë, Sinani ka qënë në moshë madhore dhe nuk e vazhdonte  veprimtarinë arkitekturore. Prandaj duhet t”u referohemi gjithmonë arkivave.

E vërteta me dokumente është se Kasëm Grëmshi ka punuar kur ka qenë arkitekt i madhi Sedefqar Mehmet Agai, i marrë nga turqit në kohën e Devshirmesë, më 1562 nga Elbasani. Më vonë, ai u bë nxënësi dhe asistenti i Koxha Mimar Sinanit. Bëri studime në Rumeli dhe Lindje të Mesme. Në vitet 1597–1598 ishte drejtor i përgjithshëm i Krojeve të Stambollit, ku shërbeu 8 vjet. Në 1567, ai u bë roje kopshti te varri i Sulejmanit të Madh ose të Madhërishëm. Pastaj hyri në Hasbahçe. Për 20 vjet ishte i interesuar për muzikë dhe arkitekturë. Pas vdekjes së Mimar Sinanit, ai mësoi shkencën nga Davut  Agai  dhe Dalgiç Ahmed Agai. Në 1590  shkoi në Egjipt, nga atje udhëtoi në të gjithë Arabinë. Pas kthimit të tij në Stamboll shkoi nën mbikëqyrjen e sulltanit për të kryer një inspektim në Rumeli, ku vizitoi Selanikun, Shqipërinë, Maltën, Spanjën, Bosnjën, Francën, Budin, Erdelin, Vllahinë, Bogdan, Krime, Kefe, Silistra, Nigbolu,  Smederevo dhe Beogradin. Pastaj shkoi në Dijarbakër si mysliman.Në Damask u bë gjykatësi sublim. Më 11 tetor 1606 u bë kryearkitekt, ndërtoi dhe zbukuroi mjaft faltore dhe pallate. Kryevepra e tij është Xhamia e Sulltan  Ahmetit (Xhamia Blu). Ndërtimi i kësaj xhamie filloi në 1609 dhe përfundoi në 1617. Atë vit, 1617, vdes. Sedefqar Mehmet Agai nga Elbasani ishte dhe mbetet një figurë  e madhe  e arkitekturës  klasike në Perandorinë Osmane.

I shkruam këto shënime të jetës së Davud Agait, se ai qe mësuesi i Kasëmit dhe që historianët e rinj shqiptarë duhet të jenë më korrekt me kontekstin kohor të veprimtarisë së këtyre personaliteve të arkitekturës, që, për fatin tonë si shqiptarë, janë shumë të tillë.

Nga  mësimet që mori nga Davud Agai, Kasëmi shqiptar u bë nxënës shembullor, ku spikati talenti për arkitekturë. Për këtë shkëlqim arkitekturor flasin dokumentet historike dhe vetë projektimi i veprave. Në periudhën e sundimit  të sulltanit XIII, Mehmetit të Tretë (1595 – 1603), Kasëm Grëmshi  i Tomorricës e filloi punën si nxënës me arkitektët e vjetër të sarajeve, ku dëshmoi talenti i tij i madh e i rrallë.

Kasëmi u bë kryearkitekt në Perandorinë e pashallarëve në vitin 1623. Në të vërtetë, shumë dokumente të tjera shkruajnë se Kasëm Grëmshi u bë kryearkitekt në vitin 1622, pra kur ai qe gati në moshën 52 vjeç, nëse marrim për bazë datën e lindjes, 1570.

Sipas një dokumenti të gjetur në bibliotekën e vjetër shkencore në Turqi, “Orhan Qemal”, në Bayezid, në një libër historik u gjetën dy faqe dokumentesh, faqe,17-18, ku shkrimi titullohet  “Kasim Ağa” (Kasëm Aga). Këto shkrime të mëdha shkencore historiko – arkivore, janë marrë nga studiuesit e mëposhtëm turq në Stamboll, në Arkivin e Kryeministrisë Osmane, ku shkruhet: Mehmet Syreja, Ismet Parmaksëzoglu dhe Izet Kumbaraxhëllar, sipas kalendarit të vjetër islamik, me emrin Hixhri 1032 dhe sipas kalendarit të ri Miladin (1622/1623) kanë  gjetur dokumente se Kasëm Agai u emërua si  kryearkitekt në Perandorin Osmane në vitin 1622 .

Në Arkivin Osman të Kryeministrisë, në defterin a regjistrin “Timar Ruznamçe nr. 434, fq. 525,“ thuhet që Hasan Aga ka ardhur në detyrë si kryearkitekt në 8 nëntor 1623. Deri në këtë datë pranohet që Kasëm Agai të ketë qenë në detyrën e kryearkitektit të Perandorisë Otomane. Në bazë të këtij dokumenti nuk marrim vesh datën e saktë se kur e ka filluar detyrën Kasëmi si arkitekti i parë i Perandorisë Osmane. Në faqen 17 të shkrimit“Kasım Ağa (Kasëm Aga), shkruhet:  “Në Arkivin Osman të Kryeministrisë, në regjistrin ose fletoren nr. 5589, faqe, nr. 39, të datës  2 dhjetor 1634, Kasëm Agai nënshkroi dokumentin e  marrjes së detyrës si kryearkitekt.

Sipas studiuesit Ahmet Refik, viti  i vjetër, Hixhri 1048 ose 1638/1639, tregon se Hasan Agai (ish kryearkitektA.Diko) ka deklaruar se gjatë këtyre viteve 1634 -1639, Kasëm Agai ka qenë si kryearkitekt për të tretën herë. “Sipas dokumenteve historiko – arkivore, Kasëmi bëhet kryearkitekt në kohën e sundimit të sulltanëve: a* Sulltani  XV Mustafa I ( 1617 – 1618, 1622 – 1623), b *sulltani  XV, Osmani II (Genç – i ri ) (1618 – 1622). Këto të dhëna historike i gjejmë në librin dokumentar  osman faqe 20 – 21 me titullin “Osmanlı Padişahlları” (Padishahët ose sulltanët osmanë).

***

Pas dokumenteve të mësipërme, por edhe të tjerave, po mundohenm të jap në këtë shkrim profilin e tij.

Kasëmi ishte djali i Aliut. Emri i nënës së tij ende nuk është gjetur në këto dokumente deri tani. Siç shkruam më lart, data e saktë e lindjes nuk dihet, por në shumë dokumente gjejmë të shkruar vitin 1570.  Është  koha e rrebesheve osmane të viteve1570, 1699, 1701, 1714 -1715, 1717, 1828, 1842 etj., kur taboret turko –osmane vërshuan në Shqipëri dhe po ashtu në fshatin e Grëmshit që në atë kohë kishte 400 shtëpi e 18 dyqane , “një fshat – qytet  jo i vogël për kohën, ku jetonin bejlerë e spahinj fermanlinj me tituj dhe me prona në Berat, Korçë, Fier, Maqedoni, Greqi, Thesali e gjetkë…”. siç shkruan dhe gazetari, Zylyftar Hoxha.

Kryengritja  e vitit 1570, që  udhëhiqej nga i pari i Tomorricës, Hamza beu nga Grëmshi përkon me lindjen e të madhit arkitek Kasëmit mendjendritur. Ky është viti më i shumtë që shkruhet në dokumentet osmane për lindjen e tij.

Në vitin1570, kur mendohet të ketë lindur Kasëmi në Grëmsh ka qenë periudha e Devshirmesë  periudha e marrjes së fëmijëve nga turqit osmanë për jeniçer. Sipas historisë osmane, në këtë kohë kishte ligje osmne që lejonin të merreshin fëmijë nga mosha 8 deri në moshën 20 vjeç, të cilët dërgoheshin në sarajet e sulltanëve, ku mësoheshin e edukoheshin.

Periudha e Devshirmes, u forcua në kohën e sulltanit V Mehmet Çelebi (1413 – 1421) dhe sidomos në kohën e djalit të tij, Muradit II ose sultani VI (1421- 1451), kur doli ligji. Sipas këtij ligji, fëmijët që merreshin duhet të ishin të shëndetshëm. Gjithashtu, kur familja kishte dy fëmijë, atëherë merrej një fëmijë, kurse po të kishte një fëmijë turqit nuk ia merrnin. Fëmijët duhet të merreshin nga familjet që ishin bejlerë, të pasur, siç shkruhet në Devshirme. Ata fëmijë që sytë i kishin me ngjyre blu dhe që ishin me shtat të gjatë i edukonin për në shtetin osman, shkruhet në këtë ligj a kanun osman.

Fillimisht turqit osmanë morën fëmijët e gadishullit Ilirik, që në atë kohë quhej gadishulli i Ballkanit, sidomos në Shkup, Prizren, Goriçe, Samako, Prebol, Ergirikasri (Gjirokastër), Janinë, Pirlepe, Ohri, Ipek, Dukgjin (Duakin), Manastir, Avlonja sanxhak ose sanxhaku i Vlorës që përfshinte dhe Skraparin.

Jeniçerët më të prefruar ishin fëmijët shqiptarë, boshnjakë, rum, sërb, bullgarë dhe kroatë, pas tyre vinin fëmijët nga Ermënisa. Ndërsa fëmijët turq, kurdë, rusë, gjeorgjanë, ebrenj, ciganë, sipas Devshirmesë, nuk merreshin në saraje për të mësuar.

Në  këtë rrjedhë historike osmane na shfaqet dhe djali i Grëmshit të Tomorricës, Kasëmi i Aliut. Sipas të dhënave më lart, arsyetojmë se familja e Aliut ka qënë me origjinë beu. Kasëmi, ky djalë i moshës 10 apo12 vjeç u çua dhe u rrit në sarajet sulltanore. Aty u rrit dhe mori mësimet  për arkitekt.

Profesorja e osmanishtes në Universitetin “Akdenz” në Antalja, Gulaj Jëllmaz Diko, shkruan: “Në kohën osmane ekzistonte një sistem arsimor i ndryshëm . Mësimi bëhej në medrese ose në xhamit sipas lagjeve. Nxënësit mësonin arabisht dhe librin e Shenjtë, Kur’anin. Të krishterët merrnin arsim në kishë ose hamam. Ndryshe ndodhi me arkitekt Kasëmin ose me të tjerë nxënës myslimanë. Arkitekt Kasimi, që i takonte periudhës së Devshirmes, i mori mësimet  në pallatet e sulltanëve”.

Nga puna e tij e madhe, më pas, në moshën 52 vjeç, arriti një shkallë të lartë të veprimtarisë së madhe arkitekturore. Si rezultat i kësaj pune, autoritetet qeveritare osmane e dërgojnë në Hasbahçe, pra në kopshtet mbretërore ose të sulltanëve. Mjeshtërinë arkitekturore e mësoi nga Davud Agai. Emri i tij si arkitekt për herë të parë është dëgjuar në vitin 1597, në moshën 27 vjeç, gjatë riparimit të Hamamit të Valide Sulltanit, që ndodhej në lagjen Dikilitash. Mbas vdekjes së kryearkitektit Hasan Agës- agait, Kasëmi vazhdoi për një kohë të gjatë si arkitekt i parë.

Më  mbrapa detyrën si kryearkitekt e vazhdoi në Sarajin historik të Topkapës (Dera e Topit), në ndërtimin e Qoshkut Sepetçiler xhami.

Autoritetet osmane, duke parë se shkalla e artit të Kasëmit ishte e madhe e lejuan të ndërtonte Jeni Xhaminë ose Xhaminë e Re, të projektuar nga arkitekti Davut Aga në vitin 1598. Për ndërtimin e saj morën pjesë dhe katër arkitektë të tjerë.

Për jetën e tij kanë shkruar shumë studiues, si Mehmet Syreja, “Sicill”-i, Istanbul 1308. IV. 49, një biografi e shkurtër; Ahmet Refik (Altënaj ) dhe  F.Babinger në vitin 1924 shkruajnë biografinë e parë, më të saktë se Mehmet Syreja. Këtë biografi e botuan. E.Kuhner‘in, më 1927 bëri  botime me shumë gabime.

Për herë të parë është shkruar një artikull për varrin e Kasëmit nga A. Kemaleddin në vitin 1934. Ka shkruar Izzet Kumbaraxhëllar e shumë të tjerë studiues, siç shkruam më lartë.

Në  disa dokumente të herëshme shkruhen të dhëna të shkurtëra për jetën e tij, duke filluar nga nga 5 – 8 rreshta deri në 20 rreshta, gjëra që të habisin. Këto shkrime fillimisht qenë të shpërndara, pa një radhitje kronologjike historike e shpeshherë shkruheshin të njëjtat gjëra ose me pak ndryshime.

Vitet e fundit historianët turq kanë shkruar më mirë dhe  më shumë për arkitekt Kasëmin. Me hulumtimet e mia, që ende vazhdojnë, po sistemohet vepra e tij, por me shumë vështirësi se dokumentet janë dhe osmanisht, siç është Vakufnamea.

Në kohën e Perandorisë Osmane të shekullit XVI – XVII ka patur shumë arkitektë  dhe kryearkitekt të mirë, për të cilët nuk ka njohuri të mjaftueshme për veprën e tyre. Shkrimet apo dokumentet  që kanë arritur deri më sot janë të shumta, por të ngatërruara. Gjatë rënies së Perandorisë Osmane humbën shumë dokumente për arkitektët, ku radhiten dhe humbjet e shkrimeve të Kasëmit të Aliut.

Emri i vërtetë në shumë dokumentet osmane është shkruar Kasëm Aga, por për shkak se ai ishte një arkitekt shumë i madh, mbas arkitekt Sinanit, atë e kanë thirrur dhe Koxha – Arkitekt, që do të thotë “Arkitekt i madh”. Kasëm Again e nderua sulltanët, ministrat dhe kryeministrat  e Perandorisë Osmane. Vetë ai arriti të fitoj shoqëri të madhe me autoritet osmane, me sulltan Ibrahimin e Parë dhe me kryeministrin Kemankesh Kara Mustafa Pashën.

Nëpër dokumentet enciklopedike turke emrin e Kasëmit e gjen të shkruar në këtë mënyrë: 1.Koca mimar Kasëm Aga (Koxha arkitekt Kasëm Aga)  2. Kasëm Agha. 3. Koca Kasëm Aga. 4. Kasëm Aga. 5. Kasëm Aga Koxha (Kasım Ağa Koca), Reis Koxha, me kuptimin njeri i ditur, jo vetëm në arkitekturë. 6. Elhaxh Kasëm, njeri  shumë i ditur, hoxhë ka qenë në Mekë.

Duke e përfunduar këtë informacion të shkurtër arkivoro-historik për arkitektin e madh me origjinë shqiptare u bëj të ditur historianëve, lexuesëve, studiuesëve dhe gazetarëve se për Kasëm Grëmshin duhet të sqarojmë dhe dy enigma, që ende edhe sot ekzistojnë dhe që përfliten pa baza shkencore: Enigma e lashtësisë së dy  Gramsheve, një në Tomorricë dhe një afërsi të Elbasanit dhe origjina e Kasëmit me dokumente të sakta e të vërteta historiko – arkivore.

*) Autori i këtij shkrimi banon prej vitesh në Stamboll, Turqi. Po prej vitesh punon në arkivat osmane për zbulimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me Historinë e Shqipërisë.

postbck postbck

Recent Posts

Si “LINDI” Molla e Kuqe dhe a ishin shqiptarët të shtrirë deri atje?

  Deri më tani nuk më është e njohur se ndonjëri nga akademikët shqiptarë nga…

12 mins ago

BBC dëshmon në dokumentarin e tyre se në Greqi flitej shqip në vitin 1811 (VIDEO)

  BBC përmes një filmi biografik dëshmon se në Greqi flitej shqip ne vitin 1811.…

25 mins ago

Si të bëni vetë një shërup për kollë? Jo më në farmaci

  Me gjethe dafine dhe pak mjalt ju mund të krijoni një shërup shumë efikas…

30 mins ago

Zbulim i madh arkeologjik në Strugë: varre mbretërore ilire dhe artefakte të çmuara

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik ka tërhequr vëmendjen e studiuesve në Koroshishtë të Strugës. Një…

33 mins ago

Shprehja diabolike “feja e të parëve”

Nga Shaban Murati “… Natyrisht në Shqipëri misioni diabolik fondamentalist i konvertimit të shqiptarëve në…

44 mins ago