I emërtuari prej Robert Elsie-t si “Gutenbergu i shqiptarëve”, Jani Vretoja lindi në fshatin Postenan të Kolonjës më 14 janar 1820. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga 1843 deri 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur Zosimea në Janinë, ashtu si vëllezërit Frashëri, Kostandin Kristoforidhi dhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë. Vretoja i ri ndërtoi adhurim të përjetshëm për kulturën helene. Por ishte pikërisht ky çast që i zgjoi Vretos për herë të parë interesimi për gjuhën e vendit të vet, dhe më 1847 hartoi një vjershë për Skënderbeun me alfabet grek. Më 1854 u shpërngul në Konstandinopojë, ku i ati merrej me tregti. U kthye në Korçë dhe vijoi tregtitë pranë vendlindjes, por një nga zjarret që shkrumboi gjithë Pazarin e Korçës e la të falimentuar, ndaj u kthye sërish në Stamboll.
Atje punoi si sekretar në një shoqëri duhanesh dhe me fillimin e viteve shtatëdhjetë ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, si Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Gjithashtu mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali. Botimi i parë i Vretos ishte një gramatikë e greqishtes e përkthyer shqip “Gramatikë e greqishtes së folur në gjuhën shqipe” (1866). Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe punoi aktivisht për përmbushjen e qëllimeve të tij.
Në maj 1878, pas daljes së një radhe artikujsh polemikë në shtypin grek, sidomos në gazetën Neologos, që shpallnin pretendime për treva që banoheshin nga shqiptarë në Epir, Vretoja botoi në Stamboll më 1878 punimin në greqisht “Apologia”, në të cilin shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes. Më 1879 komisioni botoi “Allfabetare e gluhësë shqip”, disa pjesë të së cilës u shkruan nga Vretoja, sidomos një shkrim me titullin “Udhë e të shkruarit të gluhësë shqip”.
Vretoja ishte autor i Kanonizmës së shoqërisë. Në verë të vitit 1881, Vretoja shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë që ishin ngulur me banim aty e nëpër Rumani, dhe themeloi në Bukuresht një seksion të “Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip”. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë Drita të Bukureshtit dhe shërbeu si sekretar i saj. Kjo shoqëri, e kryesuar nga Anastas Avramidi Lakçe, ngriti një shtypshkronjë shqiptare dhe më 1886 nisi misionin historik të botimit të librave në gjuhën shqipe. Vetëm në vitin e parë të punës dolën dhjetë libra të tillë, duke përfshirë dy libra të Vretos: “Mirëvetija” (Bukuresht 1886), dhe “Numeratoreja”, (Bukuresht 1886).
Praktikisht ishte Vretoja ai që bënte punët e shtypshkronjës: faqoste tekstet, lexonte bocat dhe pastaj interesohej për lidhjen e librave dhe për shpërndarjen e tyre. Ndër librat e botuar aty ishte një vepër e shkruar në fillim me alfabet arab, “Erveheja” e poetit mysliman Muhamet Kyçyku, i njohur edhe me emrin Muhamet Çami (1784-1844), të cilin Vretoja e transkriptoi në alfabetin e Stambollit e madje e pastroi nga orientalizmat. Një vit më pas ai botoi një vepër 158 faqesh me titull “Radhuashkronjë” (Llogaritje), për tregtarët dhe biznesmenët shqiptarë në Rumani. Siç ndodhte shpesh mes shqiptarëve të lëvizjes kombëtare, ndër udhëheqësit shqiptarë në Bukuresht shpërthyen debate.
Plaku Jani Vreto, në prag të varfërisë, ndjeu se i qe bërë padrejtësi kur publicisti Vissar Dodani zgjodhi një alfabet të ri të shqipes, të përshtatur nga rumanishtja, për botimin e gazetës së tij “Shqipëria”, 1897-1899, duke prishur kështu punën e një jete të tërë të Vretos për përhapjen e përdorimit nga të gjithë të një alfabeti të vetëm shqip. Në tetor 1899, Vretoja u largua dhe vajti në Athinë. Vdiq në kryeqytetin grek në fillim të korrikut (atribuohet data 9 korrik) 1900, me sa duket nga uria e pleqëria.
Bashkëngjitur: transkriptim i fjalimit të J. Vretos mbajtur në mbledhjen e Shoqërisë Dituria, 14 janar 1896; ballina e tekstit “Mirëvetija”, përshtatur në shqip nga J. Vretoja, Bukuresht, 1886; kartëpostale e J. Vretos shumëfishuar në Paris nga Nikolla Lako (pas vdekjes së Vretos). /Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave /InforCulture.info
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…