Një bajrak gjunjëzon një shtet

– Rreth përballjes ushtarake e bajrakut të Shoshit në Dukagjin me forcat serbo-malazeze në Gur të Kuq, prill 1941, në 80- vjetorin e saj .

-Në ndihmë edhe të falsifikatorëve që po përpiqen për ta keqinterpretuar këtë ngjarje, me filmin serbo-malazez, që xhirohet me të pa vërtetat: duke anashkaluar krimet mizore dhe shpartallimin e kësaj ushtrie pushtuese në Dukagjin.

Duke studiuar për këtë ngjarje në arkiva, biblioteka dhe organe shtypi, gjeta diku një poezi të një poeti anonim, ku ndër të tjera shkruhej:

“……………………………………………………………

Sa kohë jetojnë bijtë e Gjergjit të Madh në Shqipëri,

Sa kohë që ata kanë  moshën rinore dhe shquhen për trimëri,

Sapo të vijë pranvera dhe tërfili do të mbijnë përsëri,

Karajfili i shqiptarit do të ushtojnë prapë për liri ….”

Ndoc  Logu

Kjo poezi, buron nga një realitet i pamohueshëm dhe lavdiplotë i historisë e luftës sonë, i qëndresës dhe sakrificave tona, për të qenë të lirë, të vetëqeverisur, të barabartë me të tjerët, vlera këto që rrezatojnë fort midis historisë të shumë popujve të tjerë. Poeti në këtë poezi, konstaton atë realitet të dhimbshëm tonin, por të imponuar nga të huajt, për të jetuar me shekuj rresht me barutin e thatë, me pushkën e mbushur, me syrin në shënjestër, për të mbrojtur lirinë dhe identitetin tonë kombëtar. Krahina që përjetoi më realisht këtë qëndresë, me gatishmëri dhe në llogore lufte, që sakrifikoi më gjatë, që vuajti më shumë duke qëndruar me armë në dorë, për t’i ruajtur këto vlera kur i kishim, dhe për t’i rifituar kur na i rrëmbenin armiqtë, ishte pikërisht Dukagjini.

Edhe ngjarja që do të trajtojmë është një pjesë e kësaj historie, e krahinës sonë të Dukagjinit, e cila zë vendin e nderuar në historinë e popullit shqiptar. Nga ana tjetër, dhe këtë rast, pohojmë një të vërtetë të madhe se, rrallëkund mund të ketë krahinë të kombit shqiptar që përfaqëson më realisht të qenurit, bij pasardhës të Gjergjit të Madh, Skënderbeut, se sa krahina jonë e Dukagjinit krahas Drenicës dhe Labërisë, siç konstaton edhe poeti i huaj me të drejtë.

Atëherë, si tani, ishte pranverë, ishte mesi i prillit i vitit 1941. Ajo pranverë, ishte për Shoshin e hidhur, e përgjakshme, por edhe zëmadhe dhe lavdiplotë. Vetëm 7 ditë kishin kaluar nga dy vjetori i pushtimit tonë nga Italia Fashiste e asaj kohe. Dhe sikur të mos mjaftonin vuajtjet që kishte e po hiqte populli, duhej edhe kjo murtajë e zezë.

Lufta dhe liria ishin temat më të shpeshta në bisedat e ditës, preokupimi që zinte më shumë vend se çdo gjë tjetër në jetën e popullit të Dukagjinit. Bisedat bëheshin shokë me shokë, në shtëpi, në morte, në dasma e kuvende. Ky preokupim ishte vetëm i popullit të thjeshtë, i patriotëve të vërtetë, sepse qeveria dhe qeveritarët e asaj kohe, dihet mirë se ç’vlerë e merka kishin për çka po ndodhte në truallin shqiptar. Rreth 3000 punonjës nga administrata e lartë shtetërore e lokale si: ministria, deputet, ushtarak të lartë, shërbëtorë e mercenarë, ishin larguar nga Shqipëria kur monarku A. Zogolli u largua nga vendi. Pjesa tjetër, e mbetur, ishte kthyer e tëra në shërbim të ushtrisë pushtuese të Italisë.

Në këtë kohë kur pushtuesi, Italia, vazhdonte sundimin e shtypjen e popullit, armiqtë e vjetër e më gjakatar, serbë-malazes, mendonin e vepronin për pushtime e sundime të reja, megjithëse në të gjitha konfliktet e deritanishme me Dukagjinin i kishin paguar shtrenjtë. Ndoshta do të ishte pak herët për të pushtuar tërë Shqipërinë, por sado mund ta shkëputnin në atë prag lufte, sipas tyre, do të qe me vlera shumë të mëdha.  “I këtij qëllimi ishte marshimi i ushtrisë serbo- malazeze në mesin e prillit të vitit 1941 prej 20.000 forcash të kompletuar me armët më  moderne të kohës që mësyn Shqipërinë nga ana verilindore” (AQSH, FN/48/27 viti 1941. Muzeu Shkodër, dokumenti i arkivuar N/1788, 25/28).

Të 20 mijë pushtuesit u futën në tokën shqiptare nga dy drejtime. Rreth 5 mijë u futën nga kufiri i Thethit. Pjesa tjetër prej 15 mijë u futën në Bajram Curr nga Gjakova dhe përshkuan tërë trevën e sotme të Bajram Currit, Nikaj- Mërturë, kapërcyen Qafën e Agrit, ku me 1915 Vashoviçi e kishte larë me gjakun e ushtrisë vetë këtë grykë rezistence të Dukagjinit. Me t’u futur në Dukagjin,  të detyruar nga përvoja e hidhur që kanë pasur tërë jetën me popullin e kësaj krahine, ata deklaruan: “Ne nuk kemi punë me shqiptarë… Do të biem në Shkodër për të luftuar me italianët…’. (Nga tregimi i Gjon Marashait nga Brashta, njeri nga të parët që mori pjesë në këtë luftë.)

Shoshi e mori me vonesë lajmin sipas të cilit, forca të shumta të një ushtrie serbo- sllave, po i afrohen Dukagjinit. Gjon Marashi, Pal Mirashi, Zef Leka, Nosh Ujka dhe Zef Toma, rreth 20 djem e burra nga Brashta, i zunë pritë kësaj ushtrie në Qafën e Agrit. Një fshat me rreth 20 shtëpi, ishte e pamundur për të nxjerrë aq forca sa për t’u përballuar me atë ushtri të madhe e të organizuar. Njëzet veta kundër 15 mijëve, ishte kundër çdo hamendësie se mund t’i ndalonin. Që në çastet e para vritet Pal Mirashi, një nga djemtë më të mirë. Plagosen edhe tre të tjerë. Prita u thye shpejt e hordhitë pushtuese vijuan rrugën mes përmes fshatrave Bob, Vuksanja dhe zbritën tek Ura e Re mbi lumin e Shalës.  Këtu u bashkuan me forcat e tjera që vinin nga Mali i Zi pa i trazuar askush. Shala kishte tre vende, tre mundësi të arta, tre shtigje shumë të përshtatshne për t’iu bërë pritë, për t’i dëmtuar e kthyer mbrapsht. E para, para se ushtria të zbriste në Theth. E dyta në dalje të Thethit, në ngushticën shkëmbore që quhet, shkalla e Thethit, dhe e treta midis Brugut lumit dhe Urës së Re. Po kjo nuk ndodhi. Forcat e ushtrisë pushtuese  u bashkuan, dhe ju ngjitën mes përmes fshati Lotaj dhe dolën në Dardhë të Shoshit dhe po i drejtoheshin malit të Shoshit në jugperëndim të Dukagjinit. Ajo çka kishte ndodhur në Qafën e Agrit, ju shërbeu serbëve edhe si një motiv me shumë për të mos u larguar nga Dukagjini pa ju dhënë një mësim të mirë, sipas tyre. Edhe pse ata kishin deklaruar “Nuk kemi punë me shqiptarët”, siç thamë më lart.

Por edhe pse ishte e tillë deklarata e tyre, ata, sapo shkelën  Qafën e Agrit, pushkatuan Pal Mirashin e Brashtës, çka tregonte se: kriminelët janë simboli dhe vetë krimi, armiq të betuar të lirisë e jetës, se emri serb e malazez për Dukagjinin janë përfaqësuesit dhe simbolet e vdekjes. Po a do të ishte kjo e vërteta? Apo ishte një marrëveshje agjenturore italo- jugosllave për ta ndarë Shqipërinë, edhe atë që kishte mbetur nga 1913? Mos ishte diçka e bashkërenduar për ta fshirë Shqipërinë nga harta e Ballkanit.

Sidoqofshin deklaratat e tyre, pretendimi për të zaptuar fillimisht Shkodrën me 20 mijë trupa, dhe varianti që paraqitej nga qeveria profashiste në Shqipëri se: “Prita kësaj ushtrie do t’i bëhet në rrjedhën e lumit Mat…” tregonte qartë se diçka më e madhe dhe tepër e rrezikshme po përgatitej kundër Shqipërisë verilindore. E pse jo edhe ndaj tërë vendit. Zhvillimi i mëvonshëm i ngjarjeve treguan se ata, filluan nga zbatimi i planit famëkeq për ndarjen e Shqipërisë, me që konfliktet ndërkombëtare që kishin shpërthyer, nuk ju dihej se si do të përfundonin.

Por pavarësisht se ç’thonin ata, armiku, i pabesë është, e i pabesë mbetet. Kur dolën në katundin Dardhë, ku edhe pak km. rrugë ju kish mbetur për të kapërcyer malin e Shoshit dhe me ju drejtue Prekalit, Urës Shtrejtë, Mesit e pastaj Shkodrës, komandantët e kësaj ushtrie mizore, pa asnjë sebep, siç i thonë, dhanë urdhër e filluan një masakër nga më çnjerëzoret, ashtu si më 1915, ku kënga popullore na i përcjell aq realisht masakrat e tyre.

“Mali i Zi tash po na vjen,

gja për s’mari s’po na len,

gra e fëmija tash po nai pret,

kulla e shpija po na i djeg…”  – thotë kënga.

Vazhdimi i kësaj masakre ishte edhe ajo e vitit 1941. Ata mblodhën njerëzit e pafajshëm nga katundet Dardhë, Nicaj e Gurrë dhe filluan masakrën. Fillimisht ju kërkua që të hapin një gropë vetë, por trimat e Shoshit nuk pranuan. Atëherë serbët e hapën gropën vetë, i shpuan njerëzit me bajonetat e pushkës, dhe ashtu grumbull, për së gjalli, i hodhën në gropë, i mbuluan me dhé e si pa qeder, këta kriminelë, vijuan rrugën me gjakun e njomë të njerëzve të pafajshëm në bajonetat e pushkëve të zeza si vetë krimi i tyre.

Kriminelët serbë e malazezë, masakruan pa mëshirën më të vogël në Kodër Dardhë: Zef  Delinë, Martin Palin, Deli Sokolin me gjithë djalë dhe Kol Palin. Këta të pestë, të vrarë dhe masakruar, na dëshmon Gjon Marashi nga Brashta, i cili ka kaluar në atë fshat vetëm disa orë pas masakrës, kur po shkonte, me një grup burrash, në ndjekje të forcave pushtuese. Në gazetën “Dukagjini” N/28, prill 2006, Lazër Kodra shkruante se: “Aty janë vrarë edhe Dedë Vuksani e Pjetër Delia… dhe bashkë me këta ishte edhe Mirash Vuksani po ky i fundit shpëtoj.” Lazër Kodra nuk thotë gjë se Deli Sokoli ishte aty me gjithë djalë. Si do të jetë e vërteta, në mungesë të dekumenteve shtetërore, sepse në evidencat e shtetit janë të regjistruar vetëm: Vdekje, unë jam i prirur të pranoj si të vërtetë dëshmitë e atyre që i kanë parë me sy, dhe kanë marrë pjesë në varrimin e tyre. Dhe këta janë: Gjon Marashi nga Brashta dhe Marash Ndoja nga Palajt.

Ndërsa në gropë vlonte gjaku që vadiste lulet e asaj pranvere të hidhur e të përgjakshme, zëri i tyre thërriste për të mbrojtur vendin, për lirinë e jetën. Lufta për pushtimin e copëtimin e Shqipërisë kishte filluar e egër. Filluan të bien edhe dëshmorët e parë. Kishte filluar kështu zbatimi për herë të parë, në kufijtë e sotëm të Shqipërisë, plani famëkeq i Vaso Çubrilloviçit, dhe i Akademisë Shkencave të Jugosllavisë i vitit 1937 për pushtimin e Shqipërisë, shfarosjen e më vonë kolonizimin e saj, që tashmë është demaskuar në tërë botën, duke shpresuar më kot për të realizuar ëndrrën e tyre të vjetër, e cila vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite në vitin 2021 një problem parësor kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe mbarë kombit tonë. Por ata ishin dhe do të jenë të gabuar, pavarësisht se: Çubrilloviçi i demaskuar, u zëvendësua me një fashist të ri si Millosheviçi ku bëmat dhe fati i tij tashmë dihen.

Është shumë interesant fakti se, bashkë me këtë ushtri mizore, erdhën edhe disa krerë të reaksionit shqiptar si nga Kruja, Dibra, Bajram Curri të njohur e të cilësuar edhe më përpara e pas kësaj ngjarje, si bashkëpunëtor me pushtuesit si: Abaz Kupi, Kadri Mehmeti, ish-komandant i forcave për vrasjen e Bajram Currit, Gani Kryeziut, Hamza Drini, frati Pader Lek Luli e të tjerë. Bashkë me këta ishin edhe ushtarakët britanik Hill dhe Majkllev. Pasi filloi lufta e Shoshit në Gur të Kuq “… të lartpërmendurit, me një grup ushtarësh janë kthyer më datën 15.04.1941 maleve në drejtim të Bogës, e prej andej në Theth e kaluan në tokën e ish Jugosllavisë….” – thuhet në dokumentet e kohës . (AQSH, F/N. 252, D/N 171 dokumenti 70 viti 1941).

Qenia në krye të kësaj ushtrie pushtuese serbo-malazeze, përveç gjeneralëve të saj, edhe krerë të reaksionit shqiptar, ish –oficerë në shërbim të të huajve dhe oficerë spiun britanik, tregonte qartë për një plan tepër të rrezikshëm për copëtimin e Shqipërisë në atë prag lufte. Këtë do ta vërtetojmë në shumë mënyra, por ndër të tjera kujtojmë edhe deklaratën e një serbi, i cili i tha një shqiptari: “… Ne dhe malazezët e kemi siguruar veten tonë. Prandaj në se doni edhe ju shqiptarët të shpëtoni vendin tuaj, ejani me ne…” (AQSH, F,N/646, dosja 171, dok N/26, viti 1941). Pra ombrella serbe e malazeze na paraqitej si e vetmja alternativë shpëtimi për popullin shqiptar. Themi shpëtimi, sipas atyre, por në fakt ajo ishte jo shpëtim, në të vërtetë, ishte pushtim dhe pranga robërie. Kjo bëhet akoma më bindëse kur dimë edhe angazhimin e tyre të largët e të vazhdueshëm ku thuhet : “Në çdo pllamë të toke që do të shkelin, do të ngulim flamurin e Malit të Zi…” (Hylli i Dritës N/12. V. 1937).

Hyrja e kësaj ushtrie në territorin shqiptar, me synim për të zaptuar fillimisht Shkodrën, nuk ishte spontane. Për këtë kishte plane, përgatitje të kahershme dhe marrëveshje. Veçanërisht kjo për serbët, ishte ëndërr shekullore. Ja cili ishte plani i tyre më i ri. “… Në mesin e janarit të vitit 1939, Konti Çiano, nisi bisedimet me ish-kryeministrin e Jugosllavisë Milan Stojadinoviç.. për ndarjen e Shqipërisë… që duhej të përfshinte: Veriun e Shqipërisë, Shkodrën, Drinin e Bunën dhe gjirin e Shëngjinit…” (Erald Kapri “Mbreti Zog” faqe 24-25, Tiranë 2019). Por le të kthehemi tek rrjedhja e ngjarjes për të cilën bëhet fjalë.

Lajmi për hyrjen e kësaj ushtrie në tokën shqiptare dhe për masakrën çnjerëzore të njerëzve të pafajshëm, u përhap me shpejtësi në tërë Shoshin e mbarë Dukagjinin. Po kush, e si duhet bërë rezistenca? Ushtria ishte shumë e madhe, e armatosur deri në dhëmbë, siç e thonë, me armët këmbësore më të mira të kohës. Qeveria e krahinës dhe ajo e Shkodrës, pa tjetër edhe ajo e Tiranës, ishin në dijeni dhe e kishin miratuar një gjë të tillë. Kjo vërtetohet nga fakti se lajmi për këto sulme qe përhapur më përpara. Ndaj qe caktuar edhe kufiri në rrjedhjen e lumit Mat, siç u tha më lart. Ja strategjia e tyre e dhënë nëpërmjet pikëpamjeve të Pashiçit: “… Me që në Shqipëri nuk mund të rivendosim gjendjen siç ishte para evokimit të ushtrisë sonë dhe të shtetit të parë të Esat Pashës (Toptanit N.L.), si pasojë e ndërhyrjes së Italisë dhe përkrahjes së saj nga ana e Fuqive të Mëdha, pasi Fuqitë e Mëdha duan ta zbatojnë Traktatin e Londrës dhe nuk do të ketë një Shqipëri siç e kemi parashikuar ne, pra aleatët do t’i japin Italisë Vlorën, me një pjesë territori dhe protektoratin mbi një pjesë të Shqipërisë, kështu që në këto rrethana, ne duhet të kërkojmë kufijtë e tjerë më të favorshëm për ne ndaj territorit shqiptar, të cilat do të bien nën protektoratin italian… Minimumi që mund të përfitojmë nga aleatët është : Kufiri gjatë Drinit të Zi e deri ku bashkohet me Drinin e Bardhë dhe prej këtu duke ndjekur rrjedhën e Drinit deri në dete…

Maksimumin duhet të kërkojmë në mënyrë që Italia të marrë sa më pak territor. Ky maksimum i pretendimeve tona do të ishte lumi Mat deri në burimin e tij dhe nga këtu në drejtim të lindjes deri në Drin të Zi. Pra lumi Mat dhe Drini do të ishin kufijtë ndaj protektoratit italian.

Marrja e Shkodrës do të ishte me një leverdi të madh morale dhe ekonomike. Kjo do të na krijonte mundësi për punime të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokave pjellore që do të ushqenin Malin e Zi. Shqipëria e Veriut, në kuadrin e Jugosllavisë, do t’i jepte mundësi hapjes së rrugëve të reja, për ta lidhur Serbinë e Veriut e të Jugut me detin Adriatik.

Me marrjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra nxitëse për pakicat shqiptare të Kosovës, e cila në situatën e krijuar, do të asimilohej më lehtë. Ne do të aneksonim eventualisht edhe 200 deri në 300.000 shqiptarë për në  ato ku pjesa më e madhe janë katolik dhe marrëdhëniet e tyre nuk kanë qenë asnjëherë të mira me shqiptarët mysliman. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve mysliman për në Turqi do të bëhej me kushte të reja dhe nuk do të kishte asnjë pengesë të fortë për ta realizuar këtë…” (Materiali është shkëputur nga pikëpamjet e Pashiçit, mbështetur në strategjinë e tyre të vjetër, të cilat janë dhënë në studimin e Ivo Andriçit, të Akademisë Shkencave të Jugosllavisë. Marrë nga dokumentet serbe dhe publikuar përherë të parë në Shqipëri në gazetën “Drita” më 21 dhe 28 prill të vitit 1991).

Kështu, siç del qartë nga sa cituam më lart, e tërë pjesa verilindore e vendit ishte përfshirë në këtë plan operacioni ushtarak serbo- malazez që filloi në Dukagjin më 1941. Ky sulm e gjeti Shqipërinë e Veriut në një situatë mjaft të vështirë.

Veçmas kjo ishte e vështirë për Dukagjinin edhe për hakmarrje nga ana e A. Zogut, si rrjedhojë e ngjarjeve të vitit 1926 dhe kundërshtimeve të tjera. Treva verilindore ishte e pa organizuar, të tradhtuar, dy herë e pushtuar, nga Italia dhe serbo- malazezët. Ata pak nëpunës shqiptar të krahinës së Dukagjinit dhe të qytetit të Shkodrës që kishin mbetur, qenë larguar për në Tiranë. Bile largimet kishin filluar edhe nga radhët e klerikëve të Vatikanit në Shkodër. Shpërnguljet e popullsisë, veçanërisht në qytetin e Shkodrës e rrethina, qenë bërë mjaft alarmuese. Varfëria e popullit ishte e madhe, përkeqësuar akoma më shumë mbas pushtimit fashist, edhe si rrjedhojë e tregtarëve spekulator e të pashpirt të lidhur me pushtuesin. Shtoju këtyre edhe terrorin ushtarak me kontrolle, arrestime e burgosje masive. Në më pak se një vit e gjysmë pushtim, prill 1939-korrik 1940, fashizmi italian kishte vënë nën survejim 70.000 shqiptarë, duke ju hapur dosje e përndjekur. Ishte ndaluar nga fashizmi edhe kthimi i patriotëve që ishin larguar nga Shqipëria më parë, në mënyrë që ata të mos i bashkohen përpjekjeve për lirinë e vendit. Treva verilindore, veçanërisht Dukagjini, ishte më në vëmendje, për efekt edhe të dosjeve që ju kishte lënë të gatshme Ahmet Zogu. Me pak fjalë, e tillë, ishte situata siç del nga studimi i dokumenteve në AQSH dhe dëshmitë e pjesëmarrësve në atë ngjarje 80 vjet më parë.

Posi dhe kush duhej t’i dilte përballë kësaj detyre të vështirë e shumë urgjente. Me çfarë forcash e mjetesh? Mungonin armët e municioni. Mungonte gjithçka. Kuptohet se gjithmonë, meraku, për fatet e Atdheut në këto rrethana, binte vetëm mbi popullin e thjeshtë me në ballë patriotët që ishin mësuar me të tilla luftëra e tradhti të turpshme. Edhe pse e vështirë ishte gjendja, bashkëkohësit e B. Currit, M. Shpendit, Prel Tulit, legjendarët e luftërave e të kryengritjeve të viteve 1910,1912,1915 dhe ata të kryengritjes së vitit 1926 në këtë trevë, ata që kishin ideuar dhe realizuar një seri besëlidhjesh për një jetë në mirëkuptim e të bashkuar, ata që i kishin akoma plagët në trup në ndeshjet e betejat e mësipërme, nuk do ta kursenin as jetën për t’i dalë zot vendit edhe pse nuk kishin prijës as qeveri. Ata nuk e dinin se ç’plane ishin kurdisur e ç’masa ishin marrë. Dhe as nuk mund ta dinin. Por dy gjëra i dinin mirë. Dhe i dinin më mirë se gjeneralët e huaj me akademi. Ata e dinin se kjo tokë është shqiptare dhe e Dukagjinit e duhet ta gëzojnë vetëm shqiptarët. Ata e dinin fort mirë se kjo tokë nuk mund të gëzohej  pa bërë sakrifica të mëdha e derdhur gjak trimash. Këtë mesazh, ata luftëtar, e trashëguan nga të parët, do të pasuronin përsëri e do t’ia lënë përsëri amanet brezave të ardhshëm. Gjithmonë koha dhe situatat e tilla, nxjerrin trimat dhe të mençurit, organizatorët dhe udhëheqësit e vet që kishin në shpirt, urrejtjen për pushtuesin, dashurinë për tokën e të parëve, lirinë dhe nderin e kombit, që në faza të ndryshme historike i ka dalluar një unitet i pakthyeshëm. Kështu ndodhi edhe me Shoshin e mbarë Dukagjinin më 14,15 e 16 prill të vitit 1941.

Veprimet luftarake kundër kësaj ushtrie filluan shpejt. Fillimisht u nisën vetëm 7 burra nga katundet  Brasht, Gurrë, Ndregjinaj, Çilkok, Palaj e tjerë, me të cilët bënte pjesë edhe Gjon Marashi i Brashtës, ashtu si në Kryengritjen e Dukagjinit të vitit 1926 kundër qeverisë së A. Zogut. Ishin 7 burra dhe kishin më vete 6 pushkë e 1 mitraloz, të rrëmbyer italianëve, përveç armëve të brezit. Ata kapërcyen malin e Shoshit, në të zbardhur dita e 15 prillit 1941 dhe ranë në Gur të Kuq në ndjekje të pushtuesve serb e malazez. Pa vonesë i zunë pritë kësaj ushtrie në një ngushticë që quhet: Gryka e Forcës, në krye të Gurit të Kuq.

Gjatë rrugës për në Shkodër, armiqve, ju kishte ndodhur ajo që pritej, e që duhej t’u ndodhte patjetër, e cila ishte përgatitur me shpejtësi të madhe. Kur ushtria pushtuese filloi masakrën në Brashtë e në Dardhë të Shoshit, lajmi u përhap me shpejtësi edhe në Kirë e Prekal (Ana jugperëndimore e Dukagjinit ku lëvizte ushtria). Me shpejtësi të rrufeshme u përhap kushtrimi në popullin e kësaj ane, dhe i bëjnë një rezistencë të fortë kësaj ushtrie në ngushticën e lumit Kir, pa u futur akoma mirë në Prekal. Pikërisht, në këtë ngushticë, është bërë edhe beteja tjetër e dukagjinasve, kundër ushtrisë osmane në vitin 1468, ditën që vdiq Skënderbeu.

Lidhur me këtë ngjarje, edhe me aq pak sa është trajtuar, është deformuar, nuk është ditur si ka ndodhur, nuk është studiuar seriozisht dhe as nuk është argumentuar. Lajmi për hyrjen e kësaj ushtrie në veri të Shqipërisë, dhe po bënte terror gjatë marshimit drejt Shkodrës, u përhap me shpejtësi në tërë fshatrat në pranim të Dukagjinit. Së pari Prekali, Drishti, Ura e Shtrejtë dhe Posripa, nga do të kalonte ushtria pushtuese, u mobilizuan në mbrojtje të vendit dhe familjet të tyre. Vendi i përshtatshëm për t’u ndaluar ushtria ishte, ngushtica shkëmbore, përpara se të hynin në Prekal. Nga ana e djathtë, në zbritje, ishte lumi dhe shkëmbi matanë. Nga e majta, shkëmbi i thepisur. Për të mbajtur situatën nën kontroll, Italia Fashiste, në Prekal, në afërsi të Kishës, kishte vendosur një postë ushtarake, me rreth një togë ushtar. Me t’u shfaqur pararoja e ushtrisë serbo- sllave, ushtarët italianë u tmerruan dhe filluan lëvizjet për t’u larguar në panik. Në këto orë të vështira, dukagjinasit e Prekalit që 22 vjet më parë, në shatorin e vitit 1919, kishin lidhur besën, edhe me fshatarët e tjerë të besimit islam si Drishti, Ura e Shtrejtë dhe Posripa… ” Me ndihmue shoqi- shoqin me gjithë mjetet tona kombëtare për me ndalue çdo invazion të çdo armiku me qëllim të pushtimit e të copëtimit të Shqipërisë“, nuk do të qëndronin indiferent si disa fshatra të tjerë.

Duke e parë se dukagjinasit po shtoheshin dhe angazhoheshin drejtpërdrejtë në këtë përballje me armë, ushtarët italian e ndërprenë dezertimin dhe ju bashkuan luftëtarëve të Dukagjinit. Gjatë viteve 1975-1985, kohë kur unë merresha me studimin e disa çështjeve nga Dukagjini dhe që lidheshin me ngjarje po të Dukagjinit, kanë takuar me dhjetëra njerëz që kanë qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje. Më kanë treguar se, konflikti midis dukagjinasve dhe ushtarëve italianë që kishin filluar arratisjen, gati sa nuk arriti në përdorimin e armëve. Disa djem nga Prekali, ju kishin thënë italianëve, “Leni armët dhe menjëherë largohuni, se, pas serbëve, e kini radhët ju italianët.. Edhe ju pushtuesit tanë jeni…”

Është fakt, por edhe fat që, tërë armët, municionet dhe mjetet e luftës që kishte ajo njësi e vogël ushtrie pushtuese italianë në Prekal, u përdor dhe u shfrytëzua me efektivitet të plotë, në atë përballje luftarake në mënyrë që kjo ushtri mizore të mos kalonte drejt Shkodrës, siç ishte edhe misioni i tyre pushtues. Dhe ajo çka ishte më e rëndësishme dhe e suksesshme ishte fakti se, ushtria pushtuese u kthye mbrapsht dhe pa asnjë humbje jete nga dukagjinasit. Me këtë që thashë më lart, dua të konfirmoj të vërtetën se: janë dukagjinasit e Prekali dhe fshatrave të tjera, që i kthyen mbrapsht forcat serbo-malazeze, dhe jo ajo forcë e vogël e ushtarëve të Italisë. Ata ishin si një tufë lepurushash që deshën të dezertonin. Një gjë është e vërtetë se, armët dhe municioni i italianëve u përdor nga luftëtarët e Dukagjinit kundër ushtrisë serbo- malazeze.

Në këtë ndeshje të papritur kishte ndodhur një hutim, një pështjellim e çorganizim i vërtetë, në radhët e armikut. Të ndodhur midis dy zjarreve, disa ushtarë morën malin përpjetë për të kaluar nga prapa malit Cikalit. Disa të tjerë iknin malit pa e ditur se nga po shkojnë, vetëm a mund të shpëtonin kokën. Ndërsa rreth 15 mijë të tjerë, sipas vlerësimeve, pjesëmarrës në atë luftë, ishin kthyer nga kishin ardhur, qëllimi i të cilëve ishte, të ndëshkonin Dukagjinin e të ktheheshin në Jugosllavi, me që futja në Shkodër u bë e pa mundur. Në mes tyre, tregon një dëshmitar, ishin edhe oficer e gjeneral të ushtrisë jugosllave, dhe siç thoshin ata “janë të dërguarit e Titos”. Në atë kohë J.B.Tito nuk i kishte mbushur akoma të 4 vitet që kurse kishte marrë në dorë frenat e Partisë Komuniste Jugosllave të Filipoviçit. Zaptimi i Shqipërisë verilindore, ishte revanshi i dytë që do ta çonte atë në forcimin e pozitave të tij në Jugosllavinë e konflikteve të mëdha e të problemeve të pazgjidhura. Pra vetëkuptohet se jo rastësisht, u gjendën të degraduarit e tij në radhët e kësaj ushtrie. Dhe po kaq kuptimplotë është emri famëkeq që ju vu atë ditë në Dukagjin, kësaj ushtrie. “Ekspedita ndëshkimore e Titos” (Nga intervista me Marash Ndojnë nga Palajt, pjesëmarrës në këtë ngjarje).

Kur ushtria u fut e gjitha në maloren e Gurit të Kuq, pak para se t’i afroheshin grykës Forcës, ku s’kishte asnjë rrugë nga të kalonin, të 7 trimat e Shoshit kishin zënë pritë. Fillimisht ata rrëzuan disa grumbuj gurësh që i kishin bërë gati që më parë. Në një vend që kontrollonte mirë tërë atë shpat mali shkëmbor e të zhveshur, ku ishin pushtuesit, vendosën mitralozin. Pastaj filloi pushka e shoqëruar edhe me këngë patriotike dhe të vikatura, aq sa armiqtë u befasuan dhe kujtuan se janë përballë një ushtrie me të vërtetë të madhe. Viktimat e para, në radhët e armiqve, u bënë me atë që neve e quajmë sot “Artileria shkëmbore” siç njihet kjo teori qysh në kohën e Skënderbeut. Të rrethuar nga një terren krejtësisht i pakalueshëm, zjarri i gjashtë pushkëve dhe i mitralozit, që binin mbi ta pa pushim e nga sipër, për afro 10 orë, u dëmtuan me qindra. Ata ishin zënë ngushtë. Asnjë rrugë shpëtimi nuk kishin. Nga poshtë u zu gryka e lumit Kir, siç thamë edhe më lart, e nuk kalonin dot nga asnjë anë. Nga sipër u ndeshën me zjarrin e 7 trimave të Shoshit në grykën e Forcës. Ndërsa nga të gjitha anët e tjera, ishte terren i thyer e shkëmbor e nuk mund të kalonte asnjë i gjallë.

Ndërsa 7 burrat, luftonin për jetë a vdekje, me një ushtri rreth 15 mijë vetash, të armatosur me armët këmbësore më moderne të kohës, në mbarë Shoshin, ishte qitë kushtrimi se: lufta me serb e malazezë nga Guri i Kuq ka filluar. Pa vonesë, me një shpejtësi të habitshme, janë rreshtuar në këtë betejë, edhe 200 burra nga më trimat e Shoshit. Beteja vazhdoi akoma më e ashpër deri në orët e vona, asnjë pllamë tokë as rrugë kalimi nuk ju hap kësaj ushtrie gjakatare. Lufta ishte nga më heroiket, e pabarabartë, por u përballua me heroizëm e mençuri, në saj dhe të atij fortifikimi natyror dhe terrenit të pakalueshëm. Kjo betejë ka të gjitha karakteristikat e përbashkëta me betejën e Kirit kundër ushtrisë osmane 553 vjet më parë, me 17 janar të vitit 1468, ushtri e cila u thye në Kir dhe u dëmtua në Dukagjin, gjatë tërheqjes në drejtim të Kosovës. (F.E.SH. faqe 88).

Në këtë përballje ushtarake, ku fillimisht ishin vetëm 7 veta, përreth 4 orë, u krijua një gjendje e vajtueshme në radhët e armikut. Veçanërisht kasaphanë u bë siç thamë më lart, kur erdhën forcat e tjera në ndihmë të tyre. Mjaft nga serbët e malazezët u vranë, shumë të tjerë ishin plagosur e vdisnin për gazep. Të tjerë përpiqeshin për të shpëtuar kokën rrëzë ndonjë guri a cung lisi. Një pjesë tjetër u kthyen poshtë në drejtim të Shkodrës. Por në grykën e lumit Kir, ishte i mbyllur akoma shtegu, duke u futur kështu midis dy zjarreve, gjë që e çoi gjendjen e tyre pa asnjë shpresë shpëtimi. Vargjet e përshkruajnë gjendjen e tyre realisht:

“Bërrtet shkjau sa ka n’gurmaz,

Mbledhur kuk e duart mbi varre,

Meç qyqari ishte marre…”

Vetëm ta mendosh për t’i bërë pritë 7 veta një ushtrie 2122 herë më të madhe, një shifër kjo fantastike do të thonim, është me të vërtetë e habitshme. Figura dhe heroizmi i atyre trimave përshkruhet aq bukur në vargjet popullore:

“Të shtat burrat pika e dajlit,

Ku kin kene këta sokola malit”.

Por edhe kur forcat u shtuan, raporti mbeti përsëri 75 fish, shifër kjo që e kapërcen hamendjen e çdo ushtaraku, madje edhe në çdo kohë e në cilëndo luftë.

Në tregimet e Gjon Marashit nga Brashta, heroizmi i shoshanjve në këtë përballje ushtarake, vlerësohet si njëra nga përgjakjet më të mëdha, më heroike dhe më të lavdishme në historinë luftarake të Dukagjinit. Përballja arriti deri trup me trup, duke i goditur pushtuesit me qytën e pushkës në kokë. Veçanërisht hero i vërtetë është treguar Lulash Staka i Çilkokut që përdorte mitralozin. Nuk e teprojmë po ta krahasojmë, thotë Gjon Marashi, me Asim Zenelin në grykën e Meshgoranit, me Vojo Kushin mbi tankun e armikut, me Kajo Karafilin, Myslim Ketën në prapavijat e gjermanëve, apo me Jakup Ferrin legjendar. Ata ishin thjesht luftëtar të lirisë së Dukagjinit e të mbarë Shqipërisë. Por në kujtesën e popullit ata mbeten heronj të papërsëritshëm. Krahasimin për këtë hero, mund ta çojnë deri në Rusinë e largët, tek ushtari i 17-të i kompanisë së vdekjes, tek heroi rus Kantara, i cili duke ecur zvarrë mbi trupat dhe gjakun e shokëve të vrarë, edhe ai i plagosur, ngriti flamurin në Rajshtang. Edhe Lulash Staka, me shokët e vet ngrirën flamurin e lavdisë së Shoshit, e nga ana tjetër, ju imponuan serbëve të ngrinin flamurin e humbjes dhe të turpit.

Pasi lufta vazhdoi gjithë ditën, ata që mbetën pa u dëmtuar nga radhët e armikut, ishin pa fishek, pa bukë as ujë, e mbi të gjitha pa asnjë shpresë shpëtimi dhe pa pikë morali. Të rrethuar nga fortifikimi natyror, zjarri i pandalur i trimave të Shoshit, në ato dy shtigje, ata nuk kishin asnjë rrugë tjetër, ose të dorëzohen, ose të shfaroseshin. Ata zgjodhën rrugën e parë: u dorëzuan pa asnjë kusht, vetëm me një lutje “T’i linin të gjallë me shpresë për të jetuar” Dhe sipas ligjeve të luftës e të krahinës, armiqtë çarmatoseshin dhe kalonin nën kulmin e pushkëve fitimtare, tregojnë dëshmitarët në këtë ngjarje.

Por le të shohim se si rrodhën ngjarjet deri tek çarmatimi.

Data 16 prill i vitit 1941 ishte gdhirë mjaft e rëndë për forcat ushtarake serbo- malazeze në Dukagjin. Kishin kaluar pesë ditë e netë në Dukagjin. Nga këto, vetëm cikli i një dite-natë, data 14 prill, ajo ushtri, ishte ndjerë disi superiore, nga qafa e Agrit deri në Gur të Kuq. Të katër ditët e netët e tjera i kishin kaluar si në Ferr. Gjendeshin të ngujuar në fortifikatat natyrore nga Dukagjini. Të dy shtigjet nga kishin hyrë e duhej të dilnin gryka e Forcës nga kishin hyrë dhe ngushtica shkëmbore për të dalë në Prekal, që mendonin se do të dilnin, ishte bllokuar. Në këtë segment prej 15 km kishin ngujuar, pjesa më e madhe ishte tërësisht shkëmbore dhe nuk kishte as ujë. Rezervat ushqimore ishin mbaruar. Ushtria pushtuese kishte ardhur me mendimin se, gjatë rrugës nuk do të kishin pengesa, sepse kështu ju kishin premtuar tradhtarët shqiptar që i kishin me veti. Ndërsa, vetë ushtria, kishte edhe një zgjidhje tjetër, atë të përhershmen. Ata, gjithmonë ishin mësuar, të vrisnin burrat e Dukagjinit, rrëmbenin mallin, ushqimet, bagëtinë e më pas digjnin edhe shtëpitë. Tani ishin zënë në çark. Ata mizorë erdhën për të masakruar Dukagjinin dhe pushtuar Shkodrën, dhe mbetën vetë robër të tyre.

Në paraditen e 16 prillit, njeri nga komandantët e kësaj ushtrie që po shkonte drejt shuarjes, organizoi përpjekjen e njëmbëdhjetë për të çarë rrethimin në grykën e Forcës. Ai kishte përzgjedhur 30 ushtarë nga më të mirët, pesë prej tyre në kuaj të cilëve ju printe vetë komandanti. Por, gryka e Forcës, ishte përforcuar me tre breza luftëtarësh dukagjinas. Në të dy anët e shpateve shkëmbore e kontrollonin, me armë të ngrehura nga dhjetëra të tjerë. Në një pozicion që kontrollonte grykën e Forcës, ishte vendosur Lulash Staka i Çilkokut me mitroloz. Sapo njësiti serb mësyn për të çarë rrethimin, me dhjetëra armë dhe mitralozë qëlluan mbi trupat e tyre. I pari rrëzohet megjithë kalë komandanti, por shpëton i plagosur. Vriten rreth 20 të tjerë. Disa të tjerë, edhe të plagosur, kthehen poshtë për të dhënë lajmin e disfatës radhës dhe të humbjes së komandantit. Tani dukagjinasit, në çdo aspekt ishin superior. Fortifikatat natyrore, organizimi i përsosur, vendosmëria tej çdo parashikimi për t’i mposhtur këta pushtues të pa besë, për t’u hakmarrë përçka i kishin bërë Dukagjinit në të kaluarën, i kishin bërë dukagjinasit të pa thyeshëm. Problemi i vetëm që patën në fillim, ishte ai i armatimit, por që ishte zgjidhur në mënyrë të kënaqshme. Tërë grupet serbe, që afroheshin për të çarë rrethimin, vriteshin. Me shpejtësi ju mblidheshin armët, municioni dhe çdo pajime lufte, nga luftëtarët e lirë së Dukagjinit.

Pas një pauze kur nuk lëvizte asnjë i gjallë nga forcat e armikut, Gjon Marashi dhe Zef Leka, vihen në kërkim të ushtarakut të lartë serb, nga të dy anët e pozicioneve. Zefi nga ana e majtë dhe Gjoni nga ana e djathtë (kur zbret) e grykës së Forcës. Duke ecur me kujdes, me alltin dhjetëshe automatike dhe gishtin në këmbëz, rrëzë një cope shkëmbi, si një bunker i vogël tip shpelle, Gjoni, dëgjon një zhurmë mekanizmi të një arme. Rrëzë një guri, në një shpellë sa për një ari, i del përpara ushtaraku i lartë serb duke u përpjekur për të përdorur një automatik, me dorën e majtë, sepse tjetrën e kishte të dëmtuar nga një predhë pushke. Ndërsa priste plumbat e alltisë Gjon Marashit, serbi i thotë : “…Qëllo se po të arrija unë i pari, nuk do të falja…” Në këto çaste, vetëm disa sekonda, Gjoni iu përgjigj me gjuhën e alltisë duke i thënë: “…Më shpëtove pardje në qafën e Agrit kur më vrave Pal Mirashin, por sot, nuk më shpëton ma…” (Gjoni, dinte dhe e fliste gjuhën, siç i thoshin atëherë: Nashke. Lidhur me këtë vrasje, në Dukagjin, ka edhe një këngë që këndohet nga Gjovalin Shani). Ky ishte fati tragjik i kësaj ushtrie pushtuese dhe e komandantit të saj, dhe jo ai që thotë Zef Pllumi në librin “Rrno vetëm me tregue” se: “… ai që ju printe ishte trim si Zana, i cili sa herë shtinte vriste nga një…” dhe se “…na i kishte vra tre pritat e para të Dukagjinit” …( Zef Pllumi: “Rrno vetëm me tregue”  faqe 340).

Dështimi për të njëmbëdhjetën herë për të çarë rrethimin, pa bukë as ujë, me humbje të mëdha, akoma më shumë të plagosur, pa moral as shpresë për ndihmë nga askush, afër pozicioneve të luftërave të Dukagjinit, në grykën e Forcës, afrohen tre ushtarakë me flamurin e bardhë dhe të pa armatosur. Ata kërkonin takim me gjeneralët popullor të Shoshit që kishin drejtuar këtë përballje të armatosur. Ushtria serbo-malazeze prej 20 mijë forcash ishte dorëzuar. Duke menduar se mund të ishte një dinakëri, ushtarakët serb u mbajtën nën vëzhgimin e dhjetëra armëve gati për ta qëlluar. Luftëtarët e Dukagjinit u mblodhën dhe vendosën: “Të pranojnë dorëheqjen, por me kushtin, të dorëzojnë, në një distancë, pa arritur tek gryka e Forcës, tërë pajimet ushtarake: armët, fishekët dhe çdo mjet lufte. Më pas në grykën e Forcës, që të gjithë të kalojnë nën armët e kulmuara të luftëtarëve të Dukagjinit. Dhe kështu u bë pa më të voglin lëshim nga luftëtarët, as kundërshtim nga të mundurit. Dhe e fundit, të mos dëmtojnë gjë, gjatë largimin nga Dukagjini për në vendin e tyre, as një fije bari se, ndryshe do të vriteshin të gjithë.

Ky ishte akti i fundit dhe fatal i ushtrisë serbo- malazeze prej 20 mijë forcash në Dukagjin gjatë atyre tre ditëve me 14,15 dhe 16 prill 1941. Nga ana tjetër, ishte edhe akti më i tensionuar që zgjati me orë të tëra. Ishte dhe shumë i rrezikshëm, sepse, nga urrejtja, nga çasti në çast, mund të kalonin në përballje trup me trup. Por, luftëtarët e Dukagjinit, rrinin me armët e ngrehura, siç i thonë, duke i shoqëruar me grykën e pushkëve çdo pushtues gjatë kryerjes të çdo veprimi derisa largoheshin në thellësi të ahishtes drejt malit të Shoshit, të asaj rruga ku dy ditë më parë kishin ardhur me kuaj shale, të armatosur e tërë salltanete, duke vrarë njerëz të pafajshëm. E tani ktheheshin duke tërhequr këmbët zvarrë nga uria, plagët, lodhja dhe frika për jetën nga tmerri që kishin hequr dhe pa me sy. Masa të tilla sigurie, luftëtarët e Dukagjinit, i morën sepse pushtuesit ishin shumë, me mijëra, të pa besë, si gjarpërinjtë. Ndërsa dukagjinasit ishin rreth 200 luftëtarë.

Dhe krejt natyrshëm, pas një fitoreje të tillë, lind pyetja: kush ishin ata faktorë që e çuan Shoshin në një fitore të tillë, duke shpartalluar tërë atë ushtri mizore? Shpjegimi i pyetjes, për ata që e njohin historinë e krahinës, territorin ku u zhvillua lufta, është fare e qartë. Ishte shpirti liridashës, ishte vetëmohimi i çdo gjëje për interesat e lirisë së Dukagjinit e mbarë Shqipërisë. Ishte gjaku i burrave të pafajshëm që vlonte akoma në gropë… Ishte zëri i tyre që kërkonte hakmarrje dhe mbrojtje të vendit, sepse në traditën e kësaj krahine, nuk mbahet mend të jetë pranuar turpi e poshtërimi nga të huajt. Ishte ai faktor, ajo përgjegjësi kolektive për t’i dalë zot vendit dhe shokëve, siç vë në dukje I. Kadare: “U fye një shqiptar, u muar nëpër këmbë, u dënue pa të drejtë… Këtu koha, jeta, pena e shkrimtarit duhet të ngrijë në vend…” (Drita 15 tetor 1989). Ishin pra këto motive që e bënë heroizmin e papërshkrueshëm. Ishte morali dhe guximi i pashembullt, ishte mençuria e atyre trimave që zunë dy shtigje, çka nuk mund t’i parashikonin sa ushtarakët më të mëdhenj që komandonin këtë ushtri barbare.

Lufta e Shoshit në Gur të Kuq 80 vjet më parë, në prillin e vitit 1941, është e para ndeshje e armatosur, dhe më e madhja, që kishte ndodhur brenda truallit shqiptar, pas pushtimit të vendit nga ana e Italisë e deri me fillimin e Luftës ANÇL shqiptare. Kjo betejë më ngjason me shfarosjen që ju bëri ushtria gjermane forcave jugosllave në Sutjeske gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të moshuarit në Dukagjin na kanë treguar se aq e madhe ishte humbja e tyre. “Aq shumë serb e malazezë u vranë atë ditë sa, për muaj me radhë nuk mund të kaloje asaj rruge nga era e kufomave. Bile aq korba e sorra mblidheshin, sa kur ngriheshin lart nuk e linin diellin me ndriçue”. Në këtë betejë dukagjinase, u kombinuan me tërë madhështinë e vetë, guximi dhe mençuria, organizimi dhe patriotizmi, traditat me përvojën e vet dhe atë të brezave të kësaj krahine, që kanë qenë të të njëjtit ideal: Lirinë.

Nuk mund të thuhet me saktësi se cili ishte organizatori dhe komandanti i kësaj përballje ushtarake nga ana e shoshjanëve. Nga Gjon Marashi e të tjerë unë kam shumë shënime e fakte. “Të gjithë ishin komandant…. Të gjithë ishin ushtar trima… Aty nuk pati të parë e të dytë… Aty pati luftë dhe luftëtar me përmasa heronjsh..” (Nga intervista me Gjon Marashin në shtëpinë e tij në Brashta, në gusht të viit 1985). Por Zef Leka (Curri) nga Brashta, që për nga mosha ju afrua një shekulli, thotë se: “Prisi dhe komandanti ka qenë Gjon Marashi.” Këtë e fakton edhe Marash Ndoja i Palajve. Në ndihmë të këtij fakti na vjen edhe një këngë popullore e cila u këndua atë ditë në Dukagjin.

“ ……………………………………

Pyet malsia kush ju prinë,

Qaj Gjon Marashi djal i ri,

………………………………………

Kërcet gur e kërcet ashtë,

Nam po ban ai Gjon i Brashtës,

Sa herë qet po vret nga gjashtë…” .

Këngë e cila u përhap po me atë shpejtësi në tërë Dukagjinin, ashtu siç u përhap edhe lajmi për mposhtjen e kësaj ushtrie pushtuese. Ndaj edhe kjo luftë do të mbetet një legjendë e gjallë në historinë e krahinës së Dukagjinit. E pse jo edhe një tragjedi për ata armiq që me zor shpëtuan, aq sa shpëtuan. Bile me saktë do të ishte, jo se shpëtuan, por kur u detyruan të dorëzohen, shpëtuan në saj të besës, të këtij tipari të bukur, të lashtë e burrëror të Dukagjinit e mbarë shqiptarëve, që ua falën jetën, duke i lënë të iknin zvarrë në vendin e tyre.

Lufta e Dukagjinit në fjalë, më konkretisht, e bajrakut Shoshit, kundër ushtrisë serbe e malazeze, është një nga pikat më kulmore të veprimtarisë patriotike e luftarake në këtë krahinë, mbas Kryengritjes së Dukagjinit në nëntorin e vitit 1926. Ajo ishte një betejë që paralajmëronte lëvizje e luftëra të tjera akoma më të organizuara, në atë prag lufte, edhe pse të pushtuar, në dobi të lirisë Dukagjinit dhe mbarë kombit.

Fakti që në këtë ushtri serbo-malazeze, ishin si shoqërues e bashkëpunëtor, disa nga tradhëtarët e reaksionit më të zi shqiptar dhe tradhtar me damkë si: Abaz Kupi, Kadri Mehmeti, Gani Kryeziu, Hamza Drini, frati Pader Luli dhe dy ushtarakët britanikë Hill dhe Maklev, e tjerë, tregon se këta jo vetëm që ishin bashkëpunëtor me pushtuesit e rinj të Shqipërisë së sotme verilindore, por shpjegon edhe faktin tjetër që po këta tradhtarë, me dinakëri, kishin paralizuar edhe dy të tretat e hapësirave të Dukagjinit, për të mos ua prishur kush terezinë gjatë marshimit për në Shkodër. Qenia e këtyre tradhtarëve shqiptarë, në këtë ushtri pushtuese, tregon të vërtetën e pamohueshme se, ata ishin dhe mbeten tradhtar në shërbim të çdo pushtuesi dhe tradhtar të vendit të vet. Kjo mund të thuhet edhe për ushtarakët britanik. Ata, dhe Britania e tyre, gjithmonë, edhe me parë edhe më pas kësaj ngjarje, kanë punuar për ta fshirë përgjithmonë çështjen shqiptare. Por se çfarë donte, e çfarë kërkonte Pader Lulit, sikur të ishte prift serb në këtë ushtri pushtuese të vendit të vet, kjo është shumë e çuditshme? Këtë, si duket, vetëm Zef Pllumi do të ketë ditur me na fol me simpati e superlativë në librin e tij për serbët që vrisnin dukagjinasit.

3

Ushtria pushtuese që u fut në Shqipëri nga Gjakova, përshkoj tërë B. Currin, Nikaj-Merturë, deri në qafën e Agrit krejtësisht e qetë. Pjesa tjetër që u fut nga Thethi, përshkoj tërë Shalën dhe askush nuk lëvizi! Tradhëtarët shqiptar ju kishin dhënë garanci pushtuesve, sa deri në Shkodër nuk do të kishin asnjë rrezik. Dhe për këtë garanci, këta tradhtar, ishin paguar shumë shtrenjtë. Por për fatin e tyre të zi, bajraku i Shoshit nuk u bë pjesë as e tradhtisë së atdheut dhe as pjesë e heshtjes ndaj këtyre pushtuesve të ri. Dhe në tërë hapësirat e Shoshit ku kaloj kjo ushtri, ndodhi ajo që thamë më lart dhe do të shpjegojmë akoma në vijim. Por në këtë rest dhe për këtë çështje, unë, konstatoj me dhimbje edhe një problem tjetër, një plagë shumë e rëndë në Dukagjin dhe me dukagjinasit. Ishte hera e parë në tërë historinë e dukagjinit, që dukagjinasit ndahen në qëndrimin ndaj një pushuesi të huaj! Shala, Nikaj- Merturi heshtën. Ndërsa Shoshi ngrihet i tërë në këmbë. Është akoma më e dhimbshme, e dëmshme dhe me pasoja se, kjo ndarje vazhdoi edhe me qëndrimin ndaj dy pushtuesve të tjerë së pari me Italinë Fashiste dhe më pas me gjermanët. Kjo u reflektua hapur edhe në qëndrimin ndaj LANÇ-it por jo më si bajrak, por si individ, familje e fise me influencë. Edhe në këtë rast, përsëri Shoshi ishte në pararojë, jo vetëm që krijoi “Çetën e parë luftarake të Dukagjinit” në territorin e vet, por edhe për faktin se pjesa më e madhe e krijuesve të çetës luftarake të Dukagjinit ishin nga Shoshi. Kjo ndarje ishte aq e thellë, e cila filloi në prillin e vitit 1941 ndaj pushtuesve serbo-malazezë, e vazhdoi edhe ndaj LANÇ, sa edhe sot mbas 80 vjetësh, vazhdon të jetë ai mllef midis pasardhësve të asaj kohe jo pak të largët.

Por edhe pse e tillë ishte kjo luftë, ajo nuk zuri vendin që meritonte në kronikat e kohës, as në dokumentet e qeverisë që ishte atëherë. Bile çuditërisht, as nga studiuesit tanë për 80 vjet (1941-2021), nuk ju bë një analizë, jo më e hollësishme, por as shkarazi, nuk u zu në gojë gjëkundi. Vëmendje të admirueshme i kanë kushtuar kësaj ngjarje mbas viteve 90-të, Ndue Cukeli, Mark Palnikaj, Prelë Milani e Lazër Kodra, në librat që kanë botuar vitet e fundit. Por më e peharruar, e vërtetë, heroike, e papërsëritshme ajo mbeti në kujtesën e popullit të Dukagjinit, në plagët e djemve të tij, në gjakun e derdhur, në historinë e pa shkruar akoma të krahinës, në jehonën e së ardhmes, për dy qëllime kryesore: Lirinë e vendit dhe vetëqënien si komb. Edhe pse disa organe të shtypit të kohës nuk e trajtuan, ose të tjera e trajtuan me pavërtetësi, ajo përsëri me përmasat që mori, me detyrën që kreu ndaj atdheut, me idetë nga e cila u udhëhoq, i bëri vend vetes në disa organe shtypi, në arkiva, në dokumentet e pushtuesve, dhe konsiderohet si njëra nga ngjarjet më interesante të kohës, e cila tërhoqi mjaft edhe vëmendjen e fqinjëve tanë keqdashës që i kishim dhe i kemi akoma edhe sot e kësaj dite.

Kjo luftë nuk mbeti thjesht, si një luftë e çuditshme, apo e një grup ushtarakësh, siç mund ta paraqesin disa, ose e një grupi dukagjinas. Ajo ishte dhe mbeti që nga përgatitja e deri në fitore një vepër e mbarë popullit të Shoshit. Ja si thuhet, për këtë ngjarje, në një nga dokumentet e kohës: “…E vërtetë, se në kohët e ngushta të pushtimit të këtyre viseve prej ushtrisë serbe të ish Jugosllavisë… populli ju lut qeverisë për armë e municion dhe secili që mujti me u armatos, menjëherë ja fillonte vrapit për kundër armikut me luftue… Këtë e vërtetojnë edhe luftimet e Gurit të Kuq…” (Nga raporti i N/Prefektit të Dukagjinit që i dërgonte Shkodrës me 25 gusht 1941. AQSH F.N/464, D N/3, viti 1941).

Ndërsa përmasat e luftës ishin të tilla, populli i thjeshtë, duke mos u përkrahur nga qeveria, duke i munguar armët e municioni, me bukë pak, zhveshur e zbathur, duke e derdhur gjakun si gurra, mbronte atdheun me heroizëm nga copëtimi, organet e shtypit fetar në Shkodër propagandonin: “ Durimi asht mjeti ma  i mirë i ngushëllimit të jetës.” Ndërsa gazeta tjetër “Bota e Re”, “..E ndjente nevojën për të shkruar për veprimtarinë e armatës karabiniere Mbretërore të Italisë në Shqipëri…”  Por për  luftën dhe hallet e popullit dukagjinit jo. E çuditshme dhe turp. (Bota e Re N/4 24 gusht). Si antipod i luftës së Dukagjinit, kjo gazetë fashiste edhe pse shqiptare, botonte artikullin me titull “Rivita dei karabinjeri Reali”, ku një oficer i lartë i fashizmit shkruante: “ …Për (rrjedhojë N.L.) të 7 prillit… burrat sidomos ata të veriut rrokën që të gjithë armët… nga tradita… për të cilët u siguruan 70.000 informacione të ndryshme… E gjithë veprimtaria e vendit u shoshit nga armata… Të gjitha rrethanat u shkoqitën, të gjithë personat më në dukje u peshuan, sidomos për sa i përket ndërgjegjes karshi rendit të ri të vendosur në Shqipëri…” Dhe në fund të gazetës me shqiptar të shitur mburrej kur shkruante: “… Shkodra është bërë fashiste, kalaja e ndërgjegjes kombëtare…”

Por pavarësisht se çfarë shkruanin gazetat, ç’dhunë ushtrohej nga pushtuesi mbi popullin e Dukagjinit, krahina jonë, ashtu si i gjithë populli shqiptar, nuk u tremb nga vrasjet, as torturat në burgje, as nuk u lakmua nga premtimet, dhe as nuk u mashtrua nga dredhitë e asnjë shkelësi. Jeta i kishte mësuar se , i huaji nuk vjen për të qarë hallet, dhe se liria dhe demokracia fitohet vetëm duke luftuar se lufta pa gjak e sakrifica nuk bëhet. Dukagjini si mbarë populli shqiptar, kurrë nuk i  kurseu djemtë për interesat e vendit. Dhe heroizmi e sakrificat e popullit Dukagjinit, në luftën e Gurit të Kuq arritën deri në vetëmohim.

Pavarësisht se armiqtë u mundën dhe u demaskuan keq edhe nga radhët e Dukagjinit, pati të vrarë e të plagosur. Heroikisht ranë në betejën e nderit: Pal Kola, Kol Qerimi, Nik Delia, ashtu si bashkëluftëtarët e tjerë në Brasht e Dardhë. ( Ju kërkoj falje të gjithë të tjerëve, që mund të jenë vrarë në këtë luftë, se për mungesë dokumentesh dhe saktësime, nuk munda t’ia u vendos emrat. Kjo është vetëm një përmbledhje. Botimi tjetër do të jetë më i plotë. NL.) Këta luftëtarë ranë për të mos vdekur kurrë, për të mbetur në zemrën e popullit, për t’u kënduar në telat e çiftelisë, për të mbetur në historinë e lavdishme të krahinës.

Por edhe pse ranë për një qëllim të lartë, edhe pse i bënë një shërbim nga më të mëdhenjtë për kohën Dukagjinit, mbarë Shqipërisë, edhe pse shpëtuan vendin nga pushtimi i ri serb-malazez, edhe pse ky ishte fillimi i copëtimit të truallit të sotëm shqiptar, nuk iu është dhënë akoma vlerësimi i duhur, një titull, një dekoratë. Të paktën një pllakë përkujtimore të vihej, një gurë tip obelisku të ngrihej. Ta dinin njerëzit se këtu ka një ngjarje, ka një histori, se këtu, ose atje, është derdhur gjak trimash për lirinë e vendit. Është turp e krim, është mohim i historisë, që sot, gjoja në demokraci, propaganda zyrtare merret me turli fëlliqësirash, me reklama e pornografi, me kriminel halabak, ndërsa me ngjarje e  heronj të tillë jo. Përkujtohen gjithfarë përvjetorësh, këngëtar e prostituta, ndërsa dukagjinasit që luftuan e vdiqën për këtë vend jo. Vallë përveç armiqve, kujt i shërben mohimi i luftës dhe i historisë së kombit tonë?

Kanë kaluar 80 vjet nga kjo ngjarje e 14,15 e 16 prillit 1941. Kjo përballje ushtarake e bajrakut të Shoshit në Dukagjin, me forcat ushtarake serbo- malazeze, nuk e ka zënë vendin e merituar as si institucione studimore përkatëse, as në ato të qeverive, as të politikës e diplomacisë, të asnjë kohe. Në këto 80 vjet, në Shqipëri, janë ndërruar disa herë rendet ekonomiko- shoqërore, nga monarki në fashizëm, nga fashizmi në nazizëm, nga nazizmi në demokraci popullore, e më pas në anarki totale ku të gjitha marrëzitë mizore janë të pranishme përveç: demokracisë e atdhetarisë! Në këtë hark kohor mbi 80 vjetësh, kanë hipur e zbritur dhjetëra kryeministra, qindra qeveritarë, me mijëra politikanë qendror e lokal, dhe asnjë, absolutisht asnjë, nuk është kujtuar, as për të studiuar, as për të vlerësuar, as për ta kujtuar këtë, si ngjarje me rëndësi të madhe për lirinë e Dukagjinit dhe sovranitetin e Shqipërisë. Shqipëria, vërtetë ishte e pushtuar, por në këtë rast bëhej fjalë, kishte marrëveshje dhe programe qeverish, për ta ndarë Shqipërinë midis dy pushtuesve dhe armiqve tanë shekullor. Dukagjini i pushtuar, nuk mund t’i dinte planet e pushtuesit të parë as të dytë. Por një gjë e dinin mirë se: ushtritë e huaja nuk vijnë për të na qarë hallet, as për të na zgjidhur problemet e jetës. Përvoja historike i kishte mësuar Dukagjinit se: të huajt vijnë për të na pushtuar, për të na vrarë, për të na sunduar e shfrytëzuar, dhe gradualisht, për të na shuar si popull e si komb, ashtu siç ka ndodhur në tërë viset e tjera shqiptare me grekët, maqedonasit, serbët, malazezët dhe italianët.

Nga ky këndvështrim duhet parë, duhet studiuar, kuptuar e vlerësuar edhe kjo përballje ushtarake serbe- malazeze dhe shqiptarëve në Dukagjin në prillin e vitit 1941. Asnjë synim tjetër nuk kishte. Serbët pushtimin dhe ndarjen e Shqipërisë, dhe, Dukagjinit; lirinë e Dukagjinit dhe sovranitetin e mbarë vendit. Dhe për këtë Dukagjini, sakrifikoj, rrezikoj shumë, por ama fitoi, e mposhti me turp pushtuesin. Po të ndodhte e kundërta, pra serbët të mos mundeshin, i tërë Dukagjini do ta kishin  bërë shkrumb e hi. Të vrarit e të masakruarit, si në fshatin Dardhë, do të kishte aq shumë se zor se do të kishte njerëz të gjallë për t’i varrosur. Në këtë ngjarje, jo vetëm u derdh gjak trimash atdhetar, por ju bë edhe një shërbim i madh mbarë Dukagjinit. U shpëtua nga një masakër hakmarrje nga më mizorët e sllavëve. Fitorja e Dukagjinit në këtë përballje të armatosur, ishte edhe një shërbim mjaft i dobishëm në favor të mos copëtimit akoma më keq i Shqipërisë. Kështu duhet parë dhe vlerësuar kjo ndërmarrje. Kjo ngjarje nuk e meriton heshtjen prej 80 vjetësh. Heshtje të tilla, janë baras me mohim të luftës, sakrificave dhe të vlerave tona.

Në qafë të Agrit u vra Pal Mirashi, u plagosën edhe tre të tjerë, nga kjo ushtri. Në fshatin Dardhë u masakruan edhe 5 (pesë) të tjerë: Zef Delia, Martin Pali, Deli Sokoli me gjithë djalë dhe Kol Pali. Në Gur të Kuq u vranë Nik Delia, Pal Kola dhe Kol Qerimi. Po në këtë përballje janë plagosur 27 luftëtar të tjerë. Kështu, kemi 9 të vrarë dhe rreth 30 të plagosur. Rreth 40 veta kanë derdhur gjakun pjesërisht e plotësisht. Do të ishte në nderin e personaliteteve të kohës, të Dukagjinit, Shkodrës dhe qendrës së shtetit shqiptar 1945-1990, që kjo ngjarje, të kishte zënë vendin e merituar, si një nga ngjarjet më të rëndësishme e me vlerë, për kohën, në Shqipëri, ku Dukagjini edhe pse i pushtuar nga Italia Fashiste, ngrihet me armë kundër një pushtuesi tjetër si serbo- malazezët pa lejen, pa mbështetjen e askujt. Me këtë vepër atdhetare, Dukagjini, shmangën një copëtim të ri të Shqipërisë. Nuk do të qe e tepërt, do të ishte më tepër se e merituar që: ata të shtatë burrat që ju bënë pritë të parët në qafën e Agrit, kësaj ushtrie pushtuese, dhe më pas edhe këta të shtatë, që ua filluan pushkën në krye të Gurit të Kuq, në grykën e Forcës, të ishin shpallur “Heronj të Popullit”, të paktën që në vitet 60-të të shekullit kaluar, para 70 vjetësh. Ndërsa tërë të tjerët, që morën pjesë në atë përballje të armatosur, duhej t’iu akordohej dekorata më e lartë e trimërisë dhe atdhetarisë. Për tërë të vrarët e të masakruarit, duhej të shpalleshin patjetër “Dëshmor i Atdheut”. Ndërsa Lulash Staka i Çilkokut, që luftoi si dragua kundër kësaj ushtrie mizore, duhej të ishte ndër heronjtë e parë të popullit shqiptar që kurse përfundoj LANÇ. Do të duhej patjetër që prej 70 vjetësh, që në krye të Gurit të Kuq, në grykën e Forcës, pikërisht aty ku është bërë lufta, ku është derdhur gjaku i luftëtarëve atdhetar të Dukagjinit të ngrihej një përmendore, e cila do t’u fliste brezave të vërtetën e mposhtjes kjo ushtri mizore 200 herë më e madhe se luftëtarët e Dukagjinit. Po aq e pafalshme, është kjo indiferencë edhe për ne, bijtë e Dukagjinit, të çdo kohe e tërë brezave, se, as në Prekal, as në Gur të Kuq, ku u bë lufta me këtë ushtri, nuk ka një përkujtimore, një lapidar a obelisk përjetësie në nderim e kujtim të kësaj ngjarje. Të paktën, me daltë e çekiç të ishte gdhendur në shkëmb, kjo ngjarje. Në Beograd, serbët, tradhtarit shqiptar Esat Pashë Toptanit, që ju ka shërbyer, i kanë ngritur shtatore! Ndërsa ne, atdhetarëve, që janë vrarë duke luftuar kundër pushtuesit serbë e malazezë, as në qafën e Agrit, as në Dardhë, as në Gurin e Kuq, nuk është ngritur asnjë përkujtimore në shenjë nderimi e përjetësie për ata 9 të vrarë dhe rreth 30 të tjerë të plagosur nga kjo ushtri pushtuese mizore 80 vite më parë.

Lufta e Dukagjinit në Gur të Kuq, në prillin e vitit 1941, 80 vjet më parë, është ngjarja më e rëndësishme, në këtë krahinë, që nga mesi i viteve 20-të të shekullit që kaloi deri në dhjetëvjeçarin e katërt po të atij shekulli. Ajo ishte pika më kulmore e fitoreve, deri atëherë, e cila do të hapte siparin e ngjarjeve të tjera akoma më të mëdha në këtë krahinë, gjithmonë në interes të lirisë së vendit.

Nga ana tjetër. kjo luftë, shënoi edhe një dështim tjetër të turpshëm të serbëve e malazezëve në Dukagjin dhe të fundit në Shqipëri, ku një bajrak si Shoshi gjunjëzoi një shtet si Jugosllavia. Edhe pse kanë kaluar 80 vjet pa u njohur si duhet nga opinioni i gjerë shqiptar, lufta e Gurit të Kuq ka vlerat e veta historike e mjaft të mëdha.

Gjatë viteve 1945-1990, nuk mund të thuhet se u nderuan me tituj e dekorata ata që nuk e meritonin si në këto 30 vjetët e fundit. Në këto 30 vjetët e fundit, në këtë rend horrash e tradhtarësh, nuk ka mbetur kriminel e tradhtar, spiunë në shërbim të armiqve tanë, imoral e hajdut, gjithfarë vagabondësh pa ju dhënë para e pasuri nga djersa e popullit, pozita politike e në qeveri, deri edhe tituj, emra në rrugë e institucionesh dhe ngritur shtatore. Madje, dekorata, tituj nderi, shpërblime e shtatore ju kanë akorduar edhe atyre tradhëtarëve shqiptar që shoqëruan këtë ushtri pushtuese, emrat e të cilëve u thanë më lart. Por, edhe mund të thuhet pa mëdyshje se: u nderuan shumë individë me merita më të pakta, dhe u vlerësuan shumë më pak të tjerë më me shumë merita akoma më të spikatura. E nga ana tjetër, u lanë shumë të tjerë pa u vlerësuar fare. Kjo e fundit ka ndodhur në Dukagjin: me ngjarjet, historinë dhe pjesën më të madhe të personaliteteve të kësaj krahine që kanë bërë historinë e kësaj krahine me gjak, me sakrifica. E tërë historia e Dukagjinit prej 12 shekujsh, ku zhvillohen e përjetësohen qindra ngjarje dhe me mijëra personazhe, veçanërisht gjatë viteve 1941-1990, është vlerësuar vetëm me një “Hero i Popullit” dhe një “ Hero i Punës Socialiste”. Kjo e fundit me tepër me qëllime politike të kohës. Gjatë LANÇ, në veri të Shkodrës, në afërsi të Dukagjinit, është vrarë një partizan i thjeshtë, nga një fshat i Gjirokastrës, në çastin kur po hante patate të pjekura: pa qenë në asnjë aksion luftarak as përballje me armë, në çastin e vrasjes! Pa më të voglin hezitim, pas lufte, ju dha titulli “Hero i Popullit”. Ndërsa 9 të vrarit dhe rreth 30 të plagosurit e kësaj përballje ushtarake serbo-malazeze, dhe asnjë nga ata të shtatë trima që organizuan dhe filluan luftën të parët në mbrojtje të vendit, asnjë, absolutisht asnjë, nuk ju është dhënë asnjë titull, asnjë dekoratë, asnjë vlerësim, në asnjë kohë dhe pse kanë kaluar 80 vite.

Kjo është e papranueshme. Kjo është edhe e çuditshme. Është edhe e turpshme. Nuk vlerësohen luftëtarët e Dukagjinit me përmasa heronjsh si në legjenda, edhe vlerësohen të tjerë pa asnjë sakrificë as heroizëm?! Dhe jo vetëm që nuk vlerësohej, por skandali dhe pafytyrësia, për këtë ngjarje, për të mohuar e poshtëruar, vazhdon dhe tani që shkruaj këto radhë në muajt e parë të vitit 2021. Ja sesi dhe ç’po bëjnë. Gjatë vitit 2020 dhe në vazhdim, po punohet për të xhiruar një film, serbo- shqiptar, për këtë ngjarje me të pa vërteta, me superlativë për ushtrinë serbe, me mashtrime e zakone të fratit antishqiptar Zef Pllumi.

Kjo nuk duhet të ndodhi kurrë. Armiqtë tanë shekullor, pushtuesit, që për shekuj na kanë vrarë e prerë, na kanë pushtuar, kanë dashur dhe duan akoma të na shuajnë si komb, jo vetëm që nuk duhet të gjejnë kurrë vlerësime nga ne, por as nuk duhet të gjen kurrë mëshirë as paqe, jo në tokën tonë, por as në vendin e tyre, për çka na kanë bërë përgjatë dekadave dhe shekujve. Historia e shqiptarëve me serb e malazez është po aq dramatike, e gjatë dhe e përgjakshme se e Palestinës me Izraelin. Realizimi i një filmi me superlativa dhe super mashtrimet e Zef Pllumit, me “trima si Zana” serb e malazezë, është e njëjtë sikur t’iu ndash dekorata, tituj nderi a t’iu ndërtosh shtatore pushtuesve. Ata na pushtojnë, na vrasin e nga ana tjetër, ne, (disa shqiptar tradhtar e të shitur) t’i memorizojnë këto krime të tyre ndaj nesh , edhe në filma, bile me të pa vërteta?! Ky është një turp i padëgjuar! Ky është edhe një krim ndaj të vërtetave tona historike. Ky sulm ushtarak i tyre, rrezikonte ndarjen e Shqipërisë.

Në shmangien e këtij rreziku për Shqipërinë, në mundjen e kësaj ushtrie mizore që në fakt ajo u shpartallua pa asnjë kusht, në qoftë se ustallarëve të saj ju hoq mundësia e një pazari të rrezikshëm për Shqipërinë në prillin e vitit 1941, në prag të Luftës së Dytë Botërore, meritat, nuk i takojnë qeverisë, as ndonjë qeveritari në Dukagjin apo në Shkodër, aq më pak atyre në Tiranë, që ishin të lidhur me pushtuesin, as ndonjë forcë politike ose ushtarake, që për arsye të ndryshme mund të pretendojnë, apo të kenë pretenduar, ose mashtruar, atëherë. Në këtë rast duhet të veçoj edhe një faktor, jo përcaktues, anësor, modest, ndikimin, prezencën e një toge ushtarësh italianë që u ndodhën atë ditë në Prekal siç u tha edhe më lart. Ata patën një angazhim dytësor, si prapavijë e luftëtarëve të Dukagjinit, më tepër nga frika për të shpëtuar vetë nga pushkatimi, se sa nga synimi për të mbrojtur Shqipërinë. Madje kjo është bërë pa lejen e qeverisë pushtuese, sepse ata, kishin caktuar pritën në Mat. Vlera e tyre ishte tek fakti i furnizimit me armë e municion, dhe si efekt psikologjik për serbët, se gjoja, ka edhe forca të ushtrisë italiane.

Merita për shmangien e këtij rreziku të madh që kërcënonte copëtimin e vendit, i takon vetëm luftës heroike, trimërisë, mençurisë dhe sakrificave që bëri populli i Shoshit dhe i mbarë Dukagjinit me moton shekullore: Besën ndaj njeri- tjetrit dhe atdheut, dashurinë për zakonet e mira të të parëve si, nderin, bujarinë, mikpritjen, trimërinë, lirinë, në tokën e hallet e veta, pa shtypës, pa pushtues, pa shfrytëzues, të lirë e krenar si vetë jeta e tyre, që s’mundi t’i mposht asnjë lloj qeverie as sundimtari që prej 12 shekujsh.

Është shumë kuptimplotë thënia e një diplomati të huaj, i cili kur u njoh me historinë e Shqipërisë, ndër të tjera edhe të Dukagjinit mbi 100 vjet më parë, u shpreh: “Shqipëria ç’paske heq, 300 luftëra në 400 vjet.. Do ta kisha për nder të isha nga ky vend…” Ne e kemi këtë nder. Jemi dukagjinas dhe shqiptar. Puna është që këtë nder ta ruajmë. Historinë dhe vlerat t’i pasurojmë për të mos vdekur kurrë…

Prill 2021

postbck postbck

Recent Posts

Fan Noli për Profetin Muhamed ﷺ

Peshkopi Fan S. Noli njihet edhe për një ese me titull “Muhamedi”. Kjo vepër e…

18 hours ago

Shimpanzeja më e moshuar në botë jeton në Kopshtin Zoologjik të Shkupit

Në Kopshtin Zoologjik të Shkupit tërheq vëmendjen e vizitorëve prania e shimpanzesë më të moshuar…

19 hours ago

Shkencëtarët shohin prova të evolucionit në kohë reale

Evolucioni shpesh konsiderohet një proces i ngadaltë, duke kërkuar breza të tërë për të formuar speciet përmes ndryshimeve graduale.…

19 hours ago

Çfarë fshihet midis bërthamës dhe pjesës së jashtme të Hënës?

Thellë nën koren e Tokës, shkëmbi i shkrirë ngrihet dhe nxit lëvizjen e pllakave tektonike…

20 hours ago

Shkenca fshin çdo dyshim, edhe delfinët qeshin!

Delfinët qeshin vërtet. Deri më sot nga shprehitë e tyre, mjaftonte t’i shihje për të…

20 hours ago

Niset anija kozmike drejt asteroidit që mund të rrezikonte njerëzimin

Një anije kozmike është nisur drejt hapësirës për të studiuar një asteroid që NASA e…

21 hours ago