Budika është një figurë historike interesante, që me kalimin e kohës është shndërruar në arketipin e një force të madhe. Mbretëreshë e fisit Iceni dhe udhëheqëse e rezistencës së Anglisë, ajo udhëhoqi ushtrinë gjigante kundër legjioneve romake për të çliruar Britaninë nga perandoria romake. Në vitet 60-të pas Krishtit, mbretëresha rebele sfidoi Romën, që kohët e fundit kishte pushtuar Bretanjën, duke udhëhequr mijëra burra e gra kundër shtypësit romak, duke mos hezituar të digjte çfarëdo që i dilte para./Konica.al

Rebele, mbretëreshë, luftëtare, vejushë, nënë, grua: në rrugëtimin e jetës Budika veshi role të shumta… dhe gjithsesi, ajo përmendet vetëm në dy burime historike, të dyja të shkruara nga historianë romakë. Në veprën e historianit romak Takitus (shek. II) dhe Dion Cassius (shek. III). Secili jep detaje në lidhje me kryengritjen bretone: shkaqet, personazhet kryesore, fitoret dhe humbjet, ngjarje që datojnë në vitet 60-61 pas Krishtit. Sidoqoftë, hulumtimet e fundit sugjerojnë se revolta mund të ketë përfunduar në fund të viteve 60-të, pasi të dhënat në pllakat romake të zbuluara së fundmi tregojnë se Londinium (Londra moderne) ishte sërish një qendër e lulëzuar tregtare. Mirëpo, portretin e Budikës na e jep vetëm Cassius: “Budika, një grua bretone e familjes mbretërore, që zotëronte më të madhen inteligjencë sesa shihet shpesh te një grua.[…] Shtatlartë, e frikshme për t’u parë dhe e pajisur me një zë të fuqishëm. Me flokët e kuq flakërues që i arrinin deri tek gjunjët, veshur një gjerdan të artë, një tunikë shumëngjyrëshe dhe një pelerinë të trashë kapur nga një karficë zbukurimi. Ishte e armatosur me një shtizë të gjatë dhe u shtinte tmerrin atyre që e shihnin”.

Më shumë se egërsirë, Budika shihej si paralele me mbretëreshën e Anglisë, Elisabeta I. Më pas, viktorianët e shndërruan atë në mbrojtëse sypatrembur të kombit britanik. Për shekuj me radhë ka qenë simboli i luftës kundër padrejtësive të kryera nga Roma patriarkale në dëm të vlerave femërore të Evropës pararomake. Budika mishëron të gjitha cilësitë që patriarkana romake nuk do t’ua kishte dhënë kurrë grave. Mbretëresha kelte ishte një grua e lirë, e paepur dhe e papërmbajtur. Iu lutej perëndive pagane dhe ishte udhëheqëse e një ushtrie njerëzish të egër lyer në ngjyrë blu, të cilët e ndoqën deri në vdekje. Ajo u bë arketipi i gruas dhe nëna hakmarrëse, deri në vetëmohim, për të marrë hakun e atyre që dëmtojnë atë që është e saja. Ndryshe nga Zhan d’Arka dhe heroina të tjera të mëvonshme, Budika nuk hoqi dorë nga statusi i saj si grua, nuk miratoi zakone mashkullore, nuk e fshehu natyrën e saj femërore pas velit të misticizmit. Ishte grua nga koka te këmbët, madje nuk do të hiqte dorë as nga simboli i feminitetit: amësia. Keltët i konsideronin gratë të barabarta me karakteristikat e tyre, shumë larg vizionit patriarkal romak. E lindur rreth vitit 30 pas Krishtit, në kohën e perandorit Claudius, ajo shquhej për inteligjencën, fizikun atletik dhe bukurinë. Në moshën 18-vjeçare u martua me Prasutagon, mbretin e Icenëve, të cilët gëzonin njëfarë pavarësie nga romakët, falë marrëveshjeve të arritura me perandorin, që parashikonin taksa të larta. Keltët ishin të traditës druide: kërkonin harmoninë e qenies njerëzore me natyrën, me astrologjinë dhe me magjinë. Ishin luftëtarë të zotë, që besonin në rimishërim, nuk i druheshin vdekjes dhe ishin guximtarë në beteja. Budika kishte dy vajza me mbretin dhe ushtroi rolin e saj si bashkëshorte mbretëreshë. Keltët i konsideronin gratë të barabarta dhe mendonin se ajo mund të mbante pozicione politike dhe fetare. Çfarë ndodhi me Budikën? Askush nuk e di. Takitus shkruan se ajo u helmua, kurse Dion Cassius shkruan se Budika u sëmur dhe vdiq. Jeta e saj është kthyer në një trashëgimi të fuqishme, që shërben si arketip dhe përfaqëson rebelimin përpara nënshtrimit. Historia e Budikës padyshim do të kishte rënë në harresë, po të mos kishte qenë për rizbulimin e shkrimeve të Takitusit në shekullin XVI, gjatë Rilindjes.

Historia e Budikës, e cila lëkundet midis historisë dhe legjendës, na tregon se në të kaluarën kishte dhe gra, nëna të guximshme, që arritën të demonstronin talentin e tyre jashtë shtëpisë. Emri i Budikës spikat midis numrit të pafund të burrave që përshkruan historia.

Simbol i luftës dhe guximit, interpretimi më i famshëm i asaj periudhe është statuja “Budika dhe vajzat”, projektuar nga Thomas Thorneycroft, e instaluar në Urën Westminster në Londër, si një simbol i qëndrueshëm i shpirtit dhe forcës britanike

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here