Në thellësitë e viteve, Shqipërisë nuk i kanë munguar miq dhe dashamirës të huaj, si politikanë, që kanë dhënë një kontribut të vyer, përkrahje të madhe për çështjen tonë kombëtare, në lëmin e arsimit, për përgatitjen e kuadrove në degë të ndryshme të zhvillimit. Një ndër këto është edhe z. Teodor Ippen, konsulli i përgjithshëm i Austrisë në Shkodër.
Kur ishte në Shkodër si konsull i përgjithshëm, tregoi interesim të madh për gjuhën tonë, të cilën e zotëronte shumë mirë dhe bëri vëzhgime të thella në historinë e Shqipërisë, sidomos të mesjetës duke botuar një sërë librash dhe artikujsh mbi këtë temë. Mbi kishat e vjetra dhe rrënojat e kishave shkroi veprën “Alte Kirchen und Kirchenruinen in Albanien” (Mbi kishat dhe rrënojat e kishave në Shqipëri) – Wien 1900 – 1901. Bashkautor i Thalloczy, një tjetër historian gjerman, me veprën “Illyrisch – albanische Forschungen – Munik” 1916, (Gjurmime iliro – shqiptare).
Me zell të madh dhe përkushtim ndihmoi për zhvillimin e arsimit dhe të arsimimit në shkolla si dhe të letërsisë dhe të gjuhës amtare, jo vetëm duke botuar shumë libra shkollorë, por duke dërguar në institucione të larta gjermane dhe austriake me bursa të qeverisë austriake. Ndaj tij studentët shqiptarë kanë shprehu mirënjohjen e tyre të thellë.
Kështu i shkruante djalërisë shqiptare, përmes revistës “Djalëria”, organ i shoqërisë së studentëve shqiptarë në Vjenë:
Asht nji nder kujtimet ma të gëzueshme të jetës s’ime, qi kjeshë dishmitar i zgjimit të ndjenjës kombëtare në Shqipni e i punës me gjuhën kombëtare e me literaturën, si edhe qi mujta në vitin 1913 me marrë pjesë në këtë punë, ashtu qi Aeropagu i Europës i dha Shqipnisë së pamvarëshme edhe pse kufij jo të drejtë si i përkitshin asaj, por prapë kufij, mbrenda të cilëvet mujte me jetue. Journalistët e shkrimtarët europjanë bijnë shpesh në gabim të pashijshëm me folë mbi Shqipni në nji mënyrë sikur t’i banojshin ato vende vetum cuba e barij të padijtun! Por kjo asht farë e shtremtë, tue lanë mas syshë klerin katholik e qytetet katholike në veri, kje nji numur shumë i madh shqiptarësh shumë të xanun qi i shërbyene shtetit turk si oficjerë e nënpunës, ashtu kjene edhe në koloninë shqiptare t’Egyptit e Rumenies njerz me dije e mësim të madh.
Si mik i vjetër i Shqipnies qi jam në duel për ma tëmadhen kënaqësi të marr vesht, se në Vjenë e ndër tjera kryeqytete shumë djelmoça shqiptarë, ma e shumta e tyre bursistë të qeveries, janë dhanë mas mësimit të degave të ndryshme të dituniës. Mbrenda ma pak se dhet vjetëvet ka me pasë prandaj Shqipnia në dispozitë të vetën nji numur të madh mjekësh, ingenierësh, kemistësh, specialistësh bujqsijet e pyjesh të kombsies së vet. Dija asht fuqi! Ky bataljon poinierësh të dituniës ka me kenë i zoti me e ngrehë Shqipnin pa pasë nevojë aspak për të hujt, në shkallën e qytetnimit e të kulturës europjane e me i gatue popullit shqiptar nji vend mes popujve më të përparuem. Dija e atdhedashnia kanë me dijtë me i gjetë ata mjete, per me mujtë at pengim ma të madh, si ndalon zhvillimin shqiptar, mungesën e kapitalit.
Th. Ippen
Delegat i jashtëzakonshëm i Austrisë e ministër fuqiplotë n.P.
Zoti Th. Ippen
Shërbimin më të madh ia ka bërë çështjes sonë kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës më 1913, ku mori pjesë si këshilltar i ambasadorit austriak. Propozimet e tija të përgatitura në bazë studimesh të thella mbi gjendjen etnike dhe gjuhësore të Ballkanit për të caktuar kufinjtë e shtetit të ri shqiptar. Ata propozime qenë themeli mbi të cilët ato që na deshën të mirën mundën të na shpëtonin të paktën një pjesë të madhe të trashëgimit tokësor të prindërve tanë. Propozimet e z. Ippen edhe pse nuk u pranuan të tërë dhe që ne shqiptarët lipset t’i vjatojmë ato vende dhe qytete me vlerë të kombit tonë. Kjo s’do ndryshojë mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj z. Ippen për atë që ka bërë që edhe kufinjtë e sotëm të Shqipërisë, mbështetur mbi propozimet e tija, pushtojnë të paktën thelbin e trashëgimit tonë kombëtar.
Nga: Paulin Kamsi
Veçanti nga e përgjithshmja përbën karakolli i Çajupit ose siç e quajnë vendasit “Taborri i…
Një dietologe po inkurajon individët që përjetojnë fryrje të stomakut të adoptojnë një praktikë të…
Nga: Pëllumb Vreka Viti 1992. I ndodhur në Greqi për shërbim pune, drekova me ish-gjeneralin…
Ora verore fillon të dielën e dytë të marsit dhe përfundon të dielën…
Tsipraku me bisht të gjatë, i quajtur shpesh zana e borës ose shima-enaga në…
Në dekadën e parë të shekullit XX, studiuesi hungarez Baroni Nopcsa udhëtoi gjerësisht në malësitë e Veriut…