Nga Albert Vataj
Fausti është personifikim i shpirtit të ri, bashkëkohor, i afirmimit të aspiratave dhe forcave krijuese të njeriut, një betejë ngadhnjimtare të së mirës ndaj së keqen, të përkushtimit të devotshëm me vesin . Atë e mundon mendimi se i ka kaluar jeta pa gëzime, ndërkaq, përkundër gjithë atij mësimi, nuk u ka dhënë njerëzve idetë më të mira, me të cilat ato do të kishin mundur të bëjnë një jetë më të mirë materiale dhe më të përkryer shpirtërore. Asnjëherë nuk është i qetë, gjithnjë në lëvizje, në kërkim, që të prodhojë diçka, sepse, sipas tij, në themel të krijimit të botës nuk qëndron fjala, por vepra. Për të vepruar njeriu duhet të jetë i motivuar. Sipas Faustit motivimi është lufta e të kundërtave, siç është për të lufta kundër Mefistofelit, simbolit të shkatërrimit. Fausti arrin në përfundimin se i dobishëm është ai njeri, i cili nuk mbështetet vetëm mbi arsyen, mbi shkencën, por edhe mbi dashurinë, mbi ndjenjën, sepse kjo e dyta e ndihmon më shumë njeriun për ta përjetuar natyrën dhe jetën. Përpjekjen për të rrokur lartësi të reja, drejt absolutes e pafundësisë, Fausti e paguan me vuajtje të pandërprera. Gjithnjë ai mbërrin aty ku synon, por kurrë nuk kënaqet me atë që mbërrin dhe vazhdon përpara. Po në këtë pafundësi ngjitjeje ka dhe një përfundim: Fausti ka arritur kuptimin e vërtetë të jetës, se jeta është ngjitje e pandërprerë për në majë. Dhe vetëm kështu njeriu mund të jetë i lumtur.
“Faustit” është kryevepra e Johan Volfgang Gëtes dhe njëherazi njërës prej veprave më të qëndrueshme në historinë e letërsisë botërore. “Fausti” është në një farë kuptimi dhiata e Gëtes, testamenti i gjithë jetës së këtij poeti e mendimtari të shquar, kumton studjuesi dhe përkthyesi Shpëtim Çuçka.
“Fausti” në thelb nuk i flet shijes së njeriut, por mendjes së tij. Dhe historia jonë mijëravjeçare njerëzore na mëson se pa mendjen nuk mund të hedhim as edhe një hap të vetëm përpara, as individualisht, as, aq më pak, shoqërisht.
E megjithatë “Fausti” i drejtohet me atë mënyrën e vet, në të vërtetë gjeniale, edhe shijes së njeriut. Së pari, sepse nuk ka bukuri njerëzore, që të mos jetë e krijuar nga mendja e njeriut. Së dyti, sepse një krijesë e vërtetë e mendjes njerëzore është patjetër e bukur, pavarësisht nëse ajo është një produkt material apo një krijim shpirtëror, nëse është një shfaqje e talentit të saktësisë shkencore apo një krijesë e fantazisë artistike.
Në “Prologun në qiell” ne gjejmë momentin e lidhjes së nyjës së tragjedisë. Kjo nyjë është e mishëruar në pyetjen: A është në gjendje njeriu të gjejë “gëzimet më sublime” mbi dhe? Dhe nëse po, si mund t’ia arrijë kësaj?
Në të vërtetë i tërë “Fausti” përcillet rreth disa pyetjeve-bosht: Ç’është jeta njerëzore? A është ajo një gëzim? Nëse po, a qëndron gëzimi i jetës te dëfrimi, madje vetëm te dëfrimi?
Pikërisht këtu dhe për këtë çështje, për fatin e njeriut-Faust, për atë se si do të bëhet e gëzueshme jeta e tij, lidhin një bast perëndia dhe djalli. I pari beson se njeriu do të përparojë e do ta gjejë gëzimin, lumturinë falë parimit hyjnor. Dhe beson se në këtë synim jetik njeriut do të jetë i shtrënguar t’i bëhet mbështetje edhe vetë djalli. I dyti është i bindur se njeriu nuk mund t’i shpëtojë grackës së konceptimit djallëzor të gëzimit dhe do të kthehet kështu në një dëshmi të plotfuqisë të së keqes.
Përse zoti ka lejuar që përkrah njeriut gjithë jetën të ecë djalli, e keqja?
Njerëzit e fesë kanë predikuar në shekuj se kjo është bërë me qëllim që njeriu të pastrohet nga e keqja dhe të përgatitet për jetën e përtejvarrit. Sikur të ishte vërtet kështu, atëherë do të dilte se e keqja qenkësh e mirë, përderisa përbën kushtin që njeriu të shkojë drejt përsosjes. Dhe atëherë e keqja, domethënë tërësia e vetive të këqija, jo që nuk do të duhej luftuar, por do të duhej bekuar e mbase edhe kultivuar, me qëllim që pastrimi i njeriut të ishte sa më i plotë dhe rrënjësor.
E vërteta është se historia e zhvillimit të njerëzimit ka qenë dhe vazhdon të jetë një luftë tejet e zymtë, shpesh në dukje e pashpresë, por gjithsesi e pandalshme, e paepur e forcave përparimtare për të mposhtur pengesat e krijuara nga forcat frenuese ose, thënë ndryshe, djallëzore, që janë të pranishme dhe egërsisht aktive në shoqërinë njerëzore, dhe për të ecur në rrugën drejt përparimit, domethënë drejt përmirësimit të jetës këtu, mbi dhe. Kjo do të thotë se në historinë e njerëzimit ka pasur jo vetëm forca që donin ta konsideronin të keqen si diçka me burim hyjnor dhe me karakter të amshuar, pra të paluftueshme e të pandreqshme, por edhe forca që e kanë konsideruar atë thjesht një dukuri shoqërore e si të tillë plotësisht të ndreqshme.
Fausti, ndryshe nga shumica e njerëzve mendon se jeta nuk ka kënaqësi, por ka vetëm kuptim dhe në prag të vdekjes është i vetëdijshëm se ka arritur ta rrokë më në fund këtë kuptim të jetës dhe të shijojë kënaqësinë – një kënaqësi të pakrahasueshme me asgjë tjetër – që të sjell diçka e tillë. Pikërisht te ky dallim midis kënaqësive të ndryshme e të veçanta në jetë dhe kënaqësisë së vetme e të madhe që të sjell të rrokurit e kuptimit të jetës qëndron dallimi midis të zakonshmes dhe tragjikes te njerëzit. Për kushtet themelore shoqërore, që kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë në shoqërinë njerëzore, jeta e atyre njerëzve që nuk mendojnë vetëm për vete, por i përkushtohen të përgjithshmes, është tragjike. Ndonëse kjo nuk është diçka për të ardhur keq, së paku jo për ta.
Fausti, pra, i dëshpëruar nga kotësia e jetës së tij prej dijetari alkimist, që e bën të arrijë deri aty sa të orvatet për vetëvrasje, dhe i shtyrë nga dëshira e madhe për ta shijuar thellë atë jetë, të cilën e di që është e vetme, pranon të lidhet me Mefistofelin, domethënë me të vetmen fuqi, që i ka dhënë për shok zoti.
Mefistofeli dëshiron ta kënaqë Faustin me qejfet e jetës. Ai është i bindur që doktor Faustit ajo që i ka munguar në jetë kanë qenë pikërisht qejfet. Dhe në radhë të parë dy prej tyre: qejfet e pijes dhe qejfet e marrëdhënieve me femrën. Ndaj e shpie në pijetoren e Auerbahut, e lidh me Margaritën, e shpie në qejfet e natës (natën e Valpurgës).
A ka ndonjë gjë të re këtu për lexuesin e sotëm? Në thelb duket se jo. A nuk ofron edhe sot shoqëria njerëzore, madje me shumicë – pas disa përpjekjesh jo edhe aq të sinqerta për të vënë ndalim ligjor – pije alkoolike, përfshirë drogat, dhe qejfe sensuale? Mos vallë ende duhet të themi se këto lloj “shërbimesh” i paska në dorë Mefistofeli dhe ai e mëkëmbësit e tij i vjelin të ardhurat e këtyre “sektorëve”? Apo, për të qenë më të qetë me ndërgjegjen tonë, duhet të themi se këto të këqija janë në fund të fundit të pashmangshme?
***
Fausti në 5 akte
Akti 1
Doktor Fausti, një filozof plak i zhgënjyer nga jeta, i drejtohet Satanait. Shfaqet Mefistofeli dhe i propozon një pakt: duke i dhënë shpirtin e tij, Fausti do të jetojë një rini të dytë. Me një lëvizje të dorës, ai sjell imazhin e Margaritës dhe plaku pranon.
Akti II
Një festë zhvillohet pranë njërës prej portave të qytetit. Disa ushtarë bëhen gati të shkojnë në regjimentin e tyre dhe njëri syresh, Valentini, i lutet Zotit ta mbrojë Margaritën, të motrën. Pastaj bën të shpërthejë vera e një fuçie, çka i bind ushtarët që ai është djalli. Të rinjtë largohen dhe Mefistofeli e shpie Faustin në një vend ku njërëzit po vallëzojnë. Fausti shquan Margaritën mes valltarëve dhe magjepset i tëri nga bukuria e saj.
Akti III
Zibeli, nxënësi i Faustit, mbledh lule në kopshtin e Margaritës. Ashtu siç e kishte parashikuar Mefistofeli, ato vyshken sapo i prek djaloshi, por uji i bekuar i gjallëron sërish. Pas kësaj, Mefistofeli lë një kuti plot me stoli të çmueshme në kopshët dhe largohet duke marrë Faustin me vete. Kur kthehet në shtëpi, Margarita, e mrekulluar, sheh kutinë me stoli.
Akti IV
Margarita ankohet se e ka braktisur i dashuri. Ushtarët kthehen dhe Valentini gëzohet tek mendon se do të takojë të motrën. Margarita shkon drejt kishës për t’i kërkuar falje Zotit, por Mefistofeli e ndjek duke i thënë se do të përfundojë në ferr.
Akti V
Margarita ndodhet në burg sepse ka vrarë fëmijën që mbante në bark. Mefistofeli e ndihmon Faustin të takohet me të dhe ky i përgjërohet asaj që të arratiset bashkë me të. Duke e ndier se jeta po e lë, Margarita nis të lutet ndërsa Fausti vazhdon t’i përgjërohet. Pastaj ajo vdes dhe Mefistofeli deklaron se ajo do të shkojë në ferr, por një kor engjëllor shpall shëlbimin e saj. /InforCulture.info
Është një ndër kurat më të lashta popullore përdorur mijëra vite më parë për…
Ekspertë të ushqyerjes së shëndetshme e kanë cilësuar lëngun e mishit si një eliksir…
Hudhra është një ushqimet më mirëbërëse për organizmin. Përdorimi i saj i rregullt çdo…
𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞” 🇦🇱 📚…
Sot është Dita Kombëtare e Alfabetit, ku do të prezantohet drafti i fjalorit të rinovuar…
RETROSPEKTIVË: Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video) https://www.facebook.com/watch/?v=550225794417404&rdid=2l0cmv6oLgz5kHUY