Kompozitori Fahri Beqiri, sigurisht gjatë do të mbahet mend si personalitet i veçantë i botës së muzikës shqiptare në Kosovë. Ai i takon dy botërave të muzikës sonë – muzikës klasike dhe muzikës popullore. Në të dyja ai ka arritur majat.
Në fillim të karierës së tij ai i kushtohet muzikës klasike. Shkruan disa vepra, ndër të cilat veçohen Sonata për Klarinet dhe piano, Kuntetit frymor dhe Poema dramatike “Skenderbeu”, dhe secila prej tyre është kryevepër e gjinisë respektive. Në kohën kur u krijuan, ato zgjuan vemendjen e profesionistëve të të gjitha qendrave të mëdha jugosllave. Me këtë, për herë të parë muzika klasike kosovare dhe niveli i saj profesional bëhet konkuruese në ambientin kulturor jugosllav.
Pas kësaj, krahas punës si Profesor në Akademinë e Muzikës, ai i përkushtohet segmentit tjetër të krijimtarisë, të cilën e njihte shkëlqyeshëm – muzikës popullore, si aranzher, kompozitor, udhëheqës i ansambleve popullore, udhëheqës i festivaleve të muzikës popullore. Në pesëdhjetë vjetët e fundit, Fahri Beqiri, me të drejt, konsiderohet babâ shpirtëror i muzikës popullore shqipe në Kosovë-autoritet ipakontestueshëm.
Ambienteve tona koncertore dhe artistëve që performonin në të, sigurisht do t’i mungoj njeriu që ishte dëgjues i pashmangshëm dhe çuditërisht i pasionuar.
Fahri Beqiri ishte zëri i parë kritik, që vërente çdo detaj të rëndësishëm në realizimin e koncertit, dhe asnjëherë nuk hezitonte që ta thot drejtëpërdrejt. Ne, që ishim në skenë, të gjithë i besonim fjalës së tij, meqë e thonte njeriu që dëgjonte jashtë mase, me aftësi absolute. Mbi të gjitha, e thonte njeriu më dashamirës dhe më i sinqert i botës sonë muzikore.

Rafet Rudi /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here