Në historinë e përgjakur e përflakur që sollën motet nga njëri shekull në kapërcyellin e tjetrit, një vend tepër të rëndësishëm, madje si simbol të shqiptarisë zë padyshim treva më veriore e Shqipërisë “Londineze”, Malësia e Madhe. E kjo trevë historinë e saj e shkroi vazhdimisht me jatagan e pushkë, por edhe me pupël e pendë, që në shumtën e rasteve për bojë kishin gjakun e bijave e bijve të saj më të mirë, të cilët u sakrifikuan që të mbijetojë Malësia e vetë Shqipëria. Padyshim momente lufte e qëndrese në mbrojtje të trojeve tona nga lakmitë e pushtuesve të “largët” e të shovenëve fqinjë nuk kanë pasur së rreshturi, madje sa vetë jeta e kësaj treve që e meriton të quhet krenaria e krejt Shqiptarisë. Por në këtë shkrim të shkurtër, unë siç paralajmërova në titull, dua të kujtoj sadopak një ngjarje që bëri jehonë të madhe jo vetëm në Malësi e Shqipëri, por edhe në kançelaritë e Europës plakë që sapo kishte filluar të zgjohej nga gjumi i gjatë, ëndrrat e të cilit shpesh na kushtuan mjaft shtrenjtë, por që gjithsesi shqiptarët në përgjithësi e malësorët në veçanti treguan para atdheut e botës se dinë t’i dalin zot çdo pëllëmbë toke që iu lanë amanet të parët, e Zoti i kishte falë këtu para gjithë popujve të tjerë që vërshuan në ditë të vështira njerëzimit.
Natyrisht lufta e gjatë e malësorëve me pushtuesin shumëshekullor turk shpesh bëri që me fqinjët tanë të “vonë” e aspak miqësor (serbo-malazezët) të krijonim bashkëpunime e aleanca në interes të përbashkët, me qëllim çlirimin nga pushtuesit mizor turkoshak, por që për fat të keq këto aleanca në përgjithësi u prishën jo për faj të malësorëve e shqiptarëve, por për faj të shovenëve fqinjë, që kërkonin hapësirë tokësore në kurrizin e trojeve tona. Një marrëveshje e tillë kishte pasur të bënte me rastin e luftrave të viteve 1911 e 1912, në luftën kundër turqve, ku thuhej se trevat shqiptare që do t’i çlironin malësorët do të ishin të tyre e nuk do t’u binte më në qafë “shteti” malazez, por që edhe pse shqiptarët malësorë çliruan trevat autoktone të tyre, si dhe ndihmuan maksimalisht e pa hile edhe çlirimin e tokave të Malit të Zi, marrëveshja u prish nga fqinjët, të cilët filluan të pushtojnë troje të Malësisë e Shqipërisë. Qëndresa heroike me pushkë në dorë për të mbrojtur tokat tona safi shqitpare nuk reshti kurrë, por në këtë kontekst të mbrojtjes së tokave tona, përveç pushkës si shok i pandarë i malësorëve, shkëlqen edhe rruga diplomatike e krenëve të Bajrakut të Kelmendit, që si “koka” e Malësisë e Shqipërisë, jo vetëm nga ana figurative u dërgojnë fuqive të mëdha një Memorandum me vlera të papërsëritëshme, të cilin po e botojmë të plotë më poshtë. E ky memorandum përfaqësonte interesat e krejt Shqipërisë së Veriut e më gjerë dhe u drejtohet autoriteteve Britanike në Londër më 26 maj 1913, kur në atë kohë Britania e Madhe ishte “fuqia” numër një e fuqive të mëdha të Europës që kishin filluar të marrin në dorë disi fatin e popujve të “vegjël” që kishin hequr mbi shpinë mizoritë e perandorisë që po jepte shpirt (Turqisë).
Natyrisht, për ta paraqitur e kujtuar sa më origjinale e me jehonën e kohës e cila ende shëndrit si margaritar në qiellin blu të Malësisë e Shqipërisë, tekstin e plotë të Memorandumit po e riprodhoj me gjuhën e “vjetër” shqipe të Veriut që quhet Gegnishte, e me të cilën të parët tanë u “morën” vesh me Europën Plakë e qytetërimin e saj.
Padyshim kështu memorandumi është disi më i “vështirë” për t’u lexuar, por që shpresoj se për hir të respektit të kësaj ngjarjeje e të parëve tanë do t’na e falin këtë vështirësi, e cila as nuk ka të krahasuar me vështirësitë e panumërta të paraardhësve tanë pa të cilët nuk do ta kishim as këtë “grimë” Shqipëri që kemi sot…
Memorandum
T’nênshkruemt Kreen t’Bajrakut t’Kelmêndit, tuej vûu oroe:
a) se pêsë Malet e Mishkodres: Hoti, Gruda, Kelmêndi, Kastrati e Shkreli, permrênda atyne kufîjve nder t’cillt sod me sod gjinden të caktueme, jânë pr kahë gjaku, gjûha, kanûni e doket nja me fise tjera t’komit shqyptaar;
b) se kahë feja jânë nji besimit me Dukagjin, Pukë, Mirditë, Kthellë, Malcië t’Lezhës etj., se prandej ndollin t’ndryshuem prejë Malit t’Zii;
c) se intereset e gjallimit t’tynë gjinden t’lidhuna e t’pershkueme me ato t’krahinës (Vilajetit) t’Shkodres, njaq saa e shûmta pjesë e Malcorve dimnon nder vise t’shtrîme prejë Shkodret deri n’gjygjet t’Kavajës, e qi prandej t’kaluemt e tyne nên sundim t’Malitzii kishte me u pertrîi nji rrenim t’madh n’ekonomii;
d) se kto Male per trii vjet rresht kan derdhë gjakun vetun per lirië e perparim t’komit shqyptaar, e se vetun mâs këtii qellimit luftuen sivjet krahas me Malazez, deer si mâs t’mârrunit të Tuzit njoften mêndimin pushtues e jo librues t’Malitzii;
e) e se Malazeztm (si tjerët Slav t’Balkanit), gjith kohen e luftës me Turkië kan bîndë marë shekullin e gjytetnuem me mizorii e dhunii t’kryeme mîi Shqyptarë e mîi katolikë t’Shqypniis, t’cillve u kan djegë Kishë, rrenue eltet, mytë meshtarë, grîi fmîi e graa, plaçkitë gjâa e pasunii e rroposë me top e me zjarm, kundra ç’do arrsyjet e vullndetit t’Europës, gjytetin e Shkodrës;
f) e se prandej antipatia e saa qind vjetve ndermjet komit shqyptaar e popujve Slav t’Balkanit sod gjindet mâa tepër e egercueme, po mârrim lêjen me ja u paraqitë luten neper mjet t’Madhniis s’Ate atyne Pushteteve t’Mdhaa t’Europës, t’cillat ja kan vûu detyrë vedit me perkujdesue per lirim e perparim t’Shqypniës, si pesë Malet, t’permênduna sypri, me ata kufij ner t’cillt jànë gjetë deer sod t’pershtrîeme, t’perbâjnë nji pjesë t’vetme me Shqypnië t’librueme. Për ndryshe, si n’kohë t’kalueme, nder ata kufîj kaa me rrjedhë prap gjak nierit.
Kol Nika, Gjon Neli, Prek Groshi, Gjergj Prêçi, Luk Nika, Gjeto Deda, Prêk Zuri, Baza Doshi, Prêk Shtiefni, Luc Ujka, Tom Gjoni, Prel Toma, Kol Prêçi, Marash Vata, Pjeter Ndoka, Tom Prela, Pashko Elezi, Mark Kola, Mark Ujka, Pjeter Deda, Zef Pjetri, Zef Gjoni.
E pas këtij Memorandumi teksti i të cilit rrezaton vetëm shqiptari çdo fjalë e jonë nuk do të kishte më vlerë, prandaj po e mbyll këtë shkrim të shkurtër me shpresë se kemi kujtuar sadopak këtë ngjarje e protagonistët e saj që edhe pse tashmë nuk rrojnë më, ata “flasin” për ne e trojet tona që ende lëngojnë nga shovenët fqinjë që mbajnë të ndara jo vetëm troje, por mbi të gjitha zemra dhe shpirtra malësorësh e shqiptarësh. Gjithsesi shpirtrat e këtyre burrave që i dualën zot jo pak Malësisë e Shqipërisë në ato kohë të vështira u bëfshin “ambasadorët” shpirtërorë të malësorëve e shqiptarëve pranë krijuesit e shelbuesit të Gjithësisë, Zotit të të gjithëve… që padyshim nuk na ka harruar.
Ndue Bacaj
Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…
Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…
Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…
Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…
Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…
Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e…