Kryeheroi i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) kohë pas kohe dhe hulumtim pas hulumtimi vazhdon të zbulohet si një figurë e përmasave të mëdha shqiptare- evropiane, jo vetëm në çështjet ushtarake, të karakterit dhe të njeriu me personalitet të lartë, por të një strategu, i cili njihte mjaft mirë politikën, diplomacinë, shoqërinë, historinë dhe marrëdhëniet në një kontekst të gjerë. Duke qenë një figurë komplekse dhe me një valoritet të gjithësishëm, një figurë që po vazhdon të zbulohet në arkivat dhe në këndvështrimet e kohës së tij, të kohës së mëvonshme dhe të ditëve tona, në këtë dekor të gjerësishëm ky udhëheqës ushtarak dhe shpirtëror pati lidhje të forta, por dhe krijoi lidhje të tilla me të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe ata të brendshëm për të qenë i suksesshëm dhe për të fituar gati të gjitha betejat që ndërmori për gati 25 vjet.
Ideator i Besëlidhjes së Lezhës, një kuvend jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrethanat dhe marrëdhëniet që krerët e Veriut, Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme, të cilët nuk kishin arritur të krijonin një fuqi unike dhe kundërshtuese në këtë kohë ndaj pushtuesit osman, Skënderbeu përveçse përbashkoi këtë fuqi madhore nën një qëllim të vetëm, atë të kundërshtimit të pushtimit osman, ai arriti të nxjerrë në pah figura madhore, burra të zotë dhe të aftë për t’i ardhur në shërbim atdheut, t’u japë atyre fuqi dhe reputacion brenda dhe jashtë vendit, të cilët për shkak të zhvillimeve në Gadishullin Ballkanik kanë depërtuar në arkivat e Perëndimit, por dhe të analizave të shumta për këto zhvillime.
Prof. Bardhosh Gaçe
Pavarësisht se Skënderbeu vinte nga një terren i njohur luftërash, në një moshë të pjekur dhe në kulmin e fuqisë, zhvillimet në Arbërinë e kohës ishin interesante dhe të komplikuara. Në këto kushte, ky terren, siç flet edhe Barleti dhe kronikat e kohës, kishte ecejake dhe analiza të shumta. Arbëria kishte qenë dhe kishte mbetur “Vija e Teodosit” (1054) dhe si e këtillë duhej trajtuar akoma. Skënderbeu e kuptonte mjaft mirë këtë, prandaj ai, që në krye të herës nuk u shfaq si një cenzor, përkundrazi, ai ishte një bashkëpunues i jashtëzakonshëm. Sado që ta njihte diplomacinë, sado të kishte dakordësi perëndimore dhe ballkanike, atdheun e tij nga pushtuesi osman ai e ka mbrojtur me ushtrinë shqiptare. Pra, Besëlidhja e Lezhës dhe bashkëpunimi me faktorin e brendshëm kanë qenë nga arsyet e rëndësishme të aftësive të tij për gati gjithë zhvillimet që ndodhën në këtë hark kohor.
Një nga udhëheqësit shqiptarë të kohës, me një fuqi të konsiderueshme në rrjedhat kohore krahas Skënderbeut ka qenë Gjergj Arianiti, i cili ishte vazhduesi i një familjeje të vjetër fisnike shqiptare, zotërimet e të cilëve shtriheshin përgjatë Luginës së Shkumbinit, Rrugës Egnatia dhe në lindje arrinin deri në Manastir. Është një nga familjet e njohura, të cilat shfaqen në burimet historike që nga shekulli XI. Ishte bërë e njohur që kur perandorin e Bizantit, patricin David, Arianiti e kishte emëruar strateg të Selanikut e më pas strateg të Shkupit, ndërsa djali i tij, Kontandini, njoftohet se ka qenë në shërbim të Perandorisë Bizantine. Më pas, në kohën e Anzhuinëve (1274), Aleks Arianiti ka qenë sebast, ndërsa në kronikat e mëvonshme (1304) në dokumentet e princit të Tarentit, Filipit dhe të mbretit të Sicilisë (Karli i II-të), ndër familjet shqiptare që iu njiheshin privilegje ishte dhe emri i Arianitëve. Dhe kujtesa për Arianitët vazhdon edhe në vitin 1319, kur papa Johani XXII shënon si protolegator edhe Guliem Arianitin, ndërsa në Epitafin e Glavenicës, ndër më të hershmit (1373) është shënuar dhe emri i qëndistarit Gjergj Arianiti.
Siç dhe kuptohet, kronika evidentuese për Arianitët është e gjerë, siç edhe besohet se si një familje e vjetër fisnike, ajo ka qenë e shpërndarë dhe në një hapësirë të konsiderueshme. Zotërimet që ata kishin në një nga rrugët më të rëndësishme të kohës, lë të kuptohet se sa të fuqishëm dhe me sa ndikim ishin brenda dhe jashtë vendit. Arianitët janë një nga emrat më të dëgjuar të kohës, krahas Gropajve, që kanë në zotërimet e tyre qytetin e Ohrit. Opinioni dhe nevoja për të pasur një mendim më të plotë për Ariantitët bëhet dhe më kërkuese, kur sipas studiuesve, madje të vërtetuara, se ata janë shfaqur ndërkohë edhe me emra të tjerë si Komnen, Golemi, Topia, Shpata e Çermenika, si dhe me tituj të lartë fisnikërie. Për nga lidhjet e krushqitë, njihen si familja më e madhe e lidhur me familje të tjera fisnikësh të kohës, por dhe të hierarkisë së Perandorisë së Bizantit. Politikisht bëhen të njohur në dokumentet e shekullit XV, kur dhe u shfaqën si protagonistë në këto zhvillime të njohura dhe të rëndësishme. Në simbolin e tyre, Arianitët kishin shqiponjën dykrenore, për të cilën thuhet se e kishte porositur Gjergj Arianiti në Raguzë.
Gjergj Arianiti është një nga figurat më të njohura të kohës dhe të Arianitëve. Ai ka qenë i martuar me Marie Muzakën (dhe pati tetë vajza). Pas vdekjes së saj ai martohet me një vajzë italiane, të quajtur Despina Frankone (vajza e guvernatorit të qytetit të Leces, në Mbretërinë e Napolit), me të cilën pati tre djem, të cilët njihen me emrat Thomai, Konstadini dhe Arianiti si dhe një vajzë. Për shkak të angazhimeve të rëndësishme dhe zhvillimeve të mëdha në të gjithë hapësirën e zotërimeve të Arianitëve, zotërimet e tyre janë gjerësuar dhe ngushtuar, çfarë ka bërë që ata, veçmas Gjergj Arianiti, të jetë aktiv në politikën dhe zhvillimet e kohës.
Arianitët kanë pasur peshë gjatë gjithë kohës në zhvillimet ekonomike dhe politike, kështu që ata kanë krijuar lidhje dhe marrëdhënie brenda dhe jashtë vendit, krushqi dhe martesa me familjet e mëdha si: Kastriotët, Muzakajt, Dukagjinët dhe akoma më larg, me despotin serb (Stefan Brankoviçin), apo me një vajzë të një guvernatori italian të Leces. Gjergj Arianiti ka qenë një nga eksportuesit më të mëdhenj të drithërave. Zotërimet dhe ndikimet e Arainitëve shkonin deri në fushat e Manastirit e të Follorinës, në rajonin e liqenit të Ohrit, ku kufizoheshin në njërën anë me lumin Devoll me zotërimet e Muzakëve dhe në Veri me shtetin e Kastriotëve. Arianiti kishte dalje në Adriatik dhe ka kërkuar vazhdimisht të kishte në zotërim Vlorën dhe Kaninën. Pati lidhje të rëndësishme me Mbretërinë e Napolit.
Gjergj Arianiti ishte një luftëtar i shquar i kohës, e për këtë shkak posedonte një forcë të madhe luftarake. Veprimtaria luftarake e Gjergj Arianitit njihet kryesisht në luftën për të ruajtur zotërimet e tij në viset malore të Shqipërisë Qendore dhe Shqipërisë Juglindore si dhe në zonat gjatë luginës së Shkumbinit. Në vitin 1432 thuhet se ka qenë në oborrin e sulltanëve në Edrene. Më pas u kërkua nga popullsia e viseve shqiptare për t’u vënë në krye të kryengritjeve që kishin shpërthyer në vend, dhe nga viti 1432-1434, ai korri fitore të njëpasnjëshme, që më së shumti u zhvilluan përgjatë luginës së Shkumbinit dhe grykat e Labërisë. Aksione luftarake Gjergj Arianiti zhvilloi edhe në drejtim të Maqedonisë, në kuadër të luftërave të popujve të Ballkanit kundër pushtimit osman. Dokumentet e kohës tregojnë se ai qe në bashkëpunim me ekspeditat antiosmane hungareze të vitit 1443. Pas Lidhjes së Lezhës (1444), Gjergj Arianiti, pasi mori pjesë në Kuvendin e Lezhës, u lidh ngushtë me luftën e udhëhequr nga Skënderbeu, duke marrë pjesë në të gjithë betejat kundërosmane deri në vitin 1450. Duke qenë edhe vjehrri i Skënderbeut, Gjergj Arianiti luftoi për të qenë i pavarur, zotërues i zotërimeve të tij, të cilën e vërtetojnë dhe shumë marrëveshje që ai i ka bërë i pavarur nga askush tjetër me shtetet të tjera.
Në vitin 1432 Gjergj Arianiti thirret për t’i prirë revoltës popullore në një sërë kryengritjesh. Në këtë kohë ai ishte 36 vjeçar. Pas largimit në Adrianapojë, kthehet me shumë luftëtarë dhe përfshihet përsëri në luftë, në refuzimin e pushtetit të rëndë osman, dhe bëri të mundur largimin e spahinjve, timarlinjve, duke u vënë në ballë të kryengritjeve fshatare, ai u përkrah gjithashtu në Durrës dhe Tiranë nga Andrea Topia dhe në Veri nga Nikollë Dukagjini. Në këto kushte, Porta e Lartë kërcënohej nga rreziku që kishte të bënte me kryengritjet e përmasave të madhe. Duke iu përgjigjur me ushtri dhe përforcime të mëdha, Danja e Dukagjinëve ra, po ashtu dhe zotërimet e Topiajve u kthyen në gjendje të mëparshme, ndërsa Gjergj Arianitin ushtritë turke nuk arritën ta thyejnë. Gjergj Arianiti e zgjeroi mjaft objektin e kryengritjes, duke e shndërruar atë në një forcë të madhe, ku bie në sy refuzimi në Kurvelesh që iu bënë Perandorisë Osmane dhe beteja e vitit 1432-1433, kur ushtria e Ali bej Evrezonit, e cila e gjendur në ngushticat e vargmaleve të luginës së Shkumbinit (Bërzeshta), pësoi një humbje tragjike. Gjergj Arianiti fiton emër të madh në këtë kohë dhe zëri i tij kryengritës jehon edhe në Europë.
Kur Kruja sulmohej me topa e ç’mundej nga ushtria venedikase, Gjergj Arianiti ishte 67 vjeç, por ai dërgon të birin, Konstandinin, bashkë me 3000 luftëtarë, duke iu bashkuar fushatës çlirimtare antivenedikase. Veprimet luftarake të Konstandinit ndihmuan në marrjen e Durrësit, Danjës dhe qyteteve kështjella bregdetare, që ishin nën protektoratin venedikas deri në Shkodër. Po ashtu, i vënë në krye të një ushtrie me 4000 luftëtarë, Gjergj Ariantiti, i moshuar, me një sasi të konsiderueshme argjendi, mbështeti idenë e rimarrjes së kështjellës së Stefigradit, në betejën e të cilës iu vra i vëllai. Gjergj Arjaniti pati dy kryeqendra të njohura të tij, në bregdet Kaninën dhe në malësitë lindore Sopotin.
Gjergj Arianti hyri në analet perëndimore në një kohë të hershme, që kur ai u vu në krye të kryengritjeve popullore, të cilat në fillim kishin karakter ekonomik, që kundërshtonin reformat e dhunshme të pushtuesit. Gjithsesi, siç dhe kuptohet, betejat më së shumti u zhvilluan në hapësirën e zotërimeve të tij, përveç betejave që u zhvilluan në Kurvelesh dhe në Kuç, duke i dhënë atij edhe një rëndësi të madhe dhe politike në kancelaritë e Perëndimit. Arianitët kishin pasur gjithmonë lidhje të forta me familjet dhe zotëruesit e mëdhenj të vendit, me fiste feudale ndër të cilët shquheshin: Buat, Zenevistët, Sgurët, Topiajt, Muzakët, Dukagjinët, Gropajt, Balshët, Kastriotët, Spanët e të tjerë, me të cilët ndanin fate të përbashkëta.
Për shkaqe të njohura historiografike, janë zbuluar marrëveshje, marrëdhënie, angazhime dhe interesa të natyrave të ndryshme, që e bëjnë kronikën shqiptare shumë të pasur. Pavarësisht “preambulës” me të cilët njihet në ditët e sotme Kuvendi i Lezhës (1444) parësia shqiptare e kohës, përveç çështjes madhore, atë të kundërshtimit të pushtimit osman, ka pasur natyrën specifike të zhvillimeve të brendshme, e mu për këtë shkak, Skënderbeu njihet për bashkëpunimin e vazhdueshëm me krerët më të njohur të kohës, për të mos iu cenuar zotërimet e tyre, pavarësinë e tyre.
Kuvendi i Lezhës u mbajt në marsin e vitit 1444 në kishën e Shën Kollit në Lezhë dhe u quajt Kuvendi i Princërve Arbërorë. Kuvendi ishte mjaft i rëndësishëm, pasi në këtë kohë, kur Perandoria Otomane nga njëra anë dhe republika e Venedikut nga ana tjetër ishin rreziqe të pranishme në Arbëri, mundësia për t’i dakordërsuar në një aleancë të tillë princërit shqiptarë ishte e vështirë, pasi interesat lidhur me zotërimet e tyre ishin të njohura. Në këto kushte Skënderbeu, si njëri nga njerëzit më të rëndësishëm dhe më të fuqishëm të kohës, arriti t’i bëjë bashkë princërit e Arbërisë pavarësisht diferencave që ata kishin për vendimet që u morën me këtë rast. Në kuvend kishte rëndësi të madhe pjesëmarrja e princërve, jo vetëm nga gjeografia, por dhe nga fuqia që ata kishin në zotërimet e tyre, për shkak të krijimit të aleancës së madhe që kërkohej para këtij rreziku të dyfishtë. Në kuvend morën pjesë princër të dëgjuar si: Gjergj Arianiti, Andrea Topia me djemtë, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka me disa familjarë, Lek Zaharia, Pjetër Spani me djemtë dhe Lekë Dushmani. Në kuvend mori pjesë edhe Stefan Cërnojeviç.
Lidhja e Lezhës ishte aleancë politiko – ushtarake e princërve arbërorë. Skënderbeu arriti t’i mbledh e t’i bashkoj të gjithë princat arbëror dhe të krijonte një ushtri të rekrutuar me trima shqiptarë që nuk u dridhej syri dhe nuk kishin frikë që të përballeshin me osmanët, pasi princërit e arbrit, si njerëz të fuqishëm dhe me mbështetje në popull iu bashkuan atij në mbrojtje të trojeve nga pushtuesi otoman. Gjergj Arianiti ishte njëri nga eksponentët e rëndësishëm të kësaj Besëlidhjeje, duke qenë dhe njëri nga zotëruesit e mëdhenj të një hapësire të konsiderueshme në Shqipërinë Qendrore e deri në Jug, por duke qenë dhe një luftëtar dhe strateg i njohur dhe i sprovuar në luftërat kundër osmaneve, qysh në luftërat e viteve 1432-1434. Ndryshe shumë princërve të tjerë, Gjergj Arianiti vinte në kuvend me një histori betejash dhe me një ushtri që kishte treguar qëndresë dhe aftësi kundër pushtuesit. Nën “autoritetin” e Besëlidhjes së Lezhës Skënderbeu dhe ushtria shqiptare zhvilloi shumë beteja fituese, duke i dhënë asaj një emër të ndritur dhe të dëgjuar në të gjithë Evropën Perëndimore dhe fuqitë e kohës, të cilët ishin shumë të lidhura me Arbërinë për shkak të interesave të tyre.
Martesa e Skënderbeut me Andronika (Donika) Arianitin, e përmendur si Donika Kastrioti, ka qenë një nga temat e njohura që herët. Skënderbeu, një strateg lufte i njohur dhe Gjergj Arianiti një prijës i dëgjuar, njiheshin si zotërues të territoreve të gjera në vend. Ndaj pushtimit osman dhe rrezikut të tij më i ekspozuar ishte Skënderbeu, të cilit i cenonte këto zotërime krahas strategjive të tjera të njohura. Siç dhe është bërë e ditur, në Arbëri, gjatë kësaj kohe, kur vendi ishte i ndarë në zotërime princash dhe principatash, martesat ishin të prira të bëheshin për të krijuar aleanca dhe për të bërë fuqi, për t’i mbrojtur zotërimet dhe interesat e tyre të caktuara. Të gjitha martesat dhe miqësitë që Arianitët dhe Gjergj Arianiti vetë kishte bërë, ishin të lidhura fort me çështjet e zotërimeve që ai kishte në Shqipërinë Qendrore, kështu që miqësitë e tij shkonin që nga dinastitë serbe, e deri në Italinë përtej detit.
Martesa e Skënderbeut me Andronika Arianitin është përfolur shumë nga burimet historiografike dhe interpretimet e shumta, aq sa është shkruar se Gjergj Arianiti shpeshherë është grindur me Skënderbeun, pasi në kohë relativisht të ngushta zotërimet e tij janë rrezikuar, janë zgjeruar dhe ngushtuar, kështu që ai, duke pasur një nuhatje të hollë dhe më shumë përvojë në mjedisin arbëror, i bënte një shërbim të madh vetes dhe vendit nga një krushqi e tillë. Donika Arianiti bëhet gruaja e Skënderbeut. Ajo ishte dukeshë, dhe pas martesës me Skënderbeun bëhet princeshë dhe Gruaja e Parë e Arbërisë. Sipas burimeve të shumta, Donika ka qenë 23 vjeçare kur është martuar me Gjergj Kastriotin (Skënderbeu), ndërsa kryekapedani i Lidhjes Shqiptare mendohet se ishte 46 vjeçar. Gjergj Arianiti, Donikën e kishte lindur me gruan e tij të parë, Marie Muzakën, bashkë me pesë motra të tjera të saj. Donika është lindur dhe rritur në Kaninë të Vlorës, njëra nga kryeqendrat e Gjergj Ariantit, krahas asaj që kishte në Sopot.
Donika dhe Skënderbeu u kurorëzuan në martesë më 21 prill të vitit 1451, një dasmë e madhe e cila u bë në Kaninë dhe zgjati tre ditë. Është një nga ngjarjet e shënuara të Arbërisë për të cilën janë ngritur këngë, kanë shkruar kronikat dhe opinionistët e kohës, janë bërë analiza dhe komente të shumta, pasi ishte një martesë që lidhte fort dy emra të mëdhenj, dy fuqitë zotëruese të Arbërisë së kohës, në unitetin e të cilave vareshin mjaft dhe fatet e vendit. Skënderbeu pati më vete gjatë kësaj ngjarjeje rreth 500 kalorës. Shkëmbimi i unazave është bërë në kalanë e Kaninës, ndërsa në Kishën e Bardhë (Qishbardhë), çiftit i është dhënë bekimi ungjillor.
Martesa me Donika Kastriotin (Arianitin) e Skënderbeut ka vazhduar më pas në manastirin e njohur të Ardenicës, për të vijuar në kalanë e Beratit, duke i dhënë asaj një vlerë të rëndësishme, që më së shumti lidhej me fatet e vendit dhe me nevojën për të krijuar unitet dhe fuqi luftuese nga pushtuesit dhe Republikës së Venedikut, e cila kishte zotërimet e veta në Arbëri, por posaçërisht kundër pushtuesit osman, i cili po përgatitej për të sulmuar shtetin e Arbrit. Dasma e tyre u shoqërua me gëzim e rrallë me valle dhe me këngë të shumta popullore. Krahas memorialit që është ngritur në sheshin e dasmës në Kaninë, një varg toponimesh dëshmojnë këtë ngjarje historike. Në lumin e Shushicës tashmë është toponimi Vau i Skënderbeut, Kroi i Skënderbeut dhe Rrepet e Skënderbeut. Po kështu, në fshatin Mesarak të Armenit, pranë lumit të Vjosës, gjendet një krua tjetër me emrin e kryeheroit si dhe mjaft këngë e rrëfime popullore.
Në mjeksinë popullore është i njohur rekomandimi i kurës nga çaji i gështenjës, në…
Pavarësisht se sa përvojë keni në kuzhinë, ushqimi i djegur lë njolla kokëforte në…
‘Verbëria e borës’ ose fotokeratiti, është dhimbje dhe parehati e përkohshme e syve pas…
Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…
Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…
Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…