MUSTAFA MERLIKA – KRUJA: “KUJTIME VOGJLIJE E RINIJE” – FAMILJA E IME (Xhiu i Fajës dhe Esat Pashë Toptani)

Nji i Merlikaj, me trimnín, burrnín, shkathtín e squetín e tij kishte zbutun e shtrue vullnetit të vet Luânin e Toptanvet dhe shpëtue e shlirue Krujën prej sherrit e zgjedhës së këtyne. Djalë, shoq e mik, në shumë rasa edhe vëlla e babë i tij, im ungj Xhiu i Fajës së Merlikës i shërbeu Gani Be Toptanit për shumë vjet, me besnikí të pashoqe, por pa i u bâmë asnji herë rob i mirakândjeve të tija. Ky i Merlikaj, ky Krutan, ky Shqiptar i lemë e i rritun në virgjënín e nji natyre të mrekullueshme, pa të perpjekun me kurrnji botë tjetër posë asaj së katundarit e të malsorit të thjeshtë, ishte synthesa e vërtyteve mâ të nalta të racës së vet. Vritet Gani Beu në Stamboll e atij i duket se po të kishte qênë vetë me tê s’do të kishte guxue kush me i a nisun, a së paku do të kishte pasun gzimin me dhânë shpirtin ke kâmbët e tija. I bien ndër mênd fjalët qi kishin bâmë bashkë të mbrapmen herë në Janinë para se t’u dajshin për jetë. I dukej se ato fjalë ishin nji farë bese e dhânme për me i marrë gjakun. Ishte gjeni i racës qi flitte në shpirtin e tij, ishte ai qi s’e lênte në paqë deri sa mos të kishte krye detyrën e vet.

Nji ditë prej ditsh i hŷn Esad Pashës n’odë, vetëm për vetëm.

  • Ç’âsht Haxhi?
  • Pashë, un due me shkue në Stamboll.
  • Në Stamboll?
  • Si urdhno.
  • E ç’do me bâ në Stamboll mre?
  • Me i marrë gjakun t’im zot.
  • Shih, shih budallai! Ti humb mre në Stamboll, ti je nji  copë mish me dy sŷ atje.
  • Prandej po vij ke Zotnija e jote, qi të më drejtojsh.
  • Ku do me i marrë gjakun ti Ganiut? Ku e di tina se kush e ka vrá atê?
  • Pashë, ti e di mâ mirë se un: kush tjetër mund t’a ketë vrá Gani Bén

veçse vetë vullneti e fjala e Sulltanit?

Pasha i vên të dy duert krés e, tue shetitun si i marrë nëpër odë:

–     Pu pu pu pu pu pu… shih ç’flet budallai! Ti paske lafitë

mre!….. bjer mre në shehadet, jakë mre në vete, ç’flet kështu?! Hajd, hajd dil jashtë nji herë mos të të shof  këtu! Edhe për shpirt të Pejgamberit me i a zânë kuj me gojë këtë fjalë të vrava…

Xhiu âsht tërbue prej këtij gjesti të pashpresuem të vëllait t’atij për të cilin ky, vetëm mik, donte me lânë kryet. Me gjithë këtê merr me dalë i qetë përjashta.

–     Mbaje mênd, veç, i thotë Pashës tue dalë,  se sikur të të kishin pasë vrá tý në vênd të tij, Gani Beu s’kishte rrue gjallë deri tashti pa t’a marrë gjakun!

Nesret Pasha çon e e thërret vetë Xhiun. E pret me nji fytyrë qi donte me u dukun e rândë, por qi sŷt, jashtzakonisht në shkëlqim, ishin tue e tradhtue. E rrok Xhiun në qafë e e puth. Merr e e vên afër vetes edhe nis me i folë kështu:

  • Dje më ke nxé fort me ato fjalë të marra. Un e dij se ti s’e ke kursye jetën kurrë as për mue as për Ganiun. Por duhet t’a dijsh se kjo punë qi ke mendue ti âsht mâ e rrezikshmja qi ke pá deri sod. Atje vdeka âsht e sigurtë. A e ke bâ hesáp? Dro ti kujton se mundem me të shpëtue un. As dreqi nuk mundet me të shpëtue atje. Emni i im s’duhet të përmêndet kurrë, me kurrkênd. Ti mendoju mirë, e në t’u mbushtë mêndja me vdekun vërte për Ganiun, të kallzoj un se kush na e ka gjakun e tij e të gjêj un njerëz me të drejtue në Stamboll.Po shko, shko e mendoju mir’e mirë nji herë e mbasandej eja prap ke un.
  • Pashë, s’kam ç’mendohem mâ, jam mendue edhe e kam dá punën t’eme. Pres vetëm urdhnin t’ând e mësimet e tuja. Për jetën t’eme mos kij gajle, veç vêmë në rrugë qi mos të më jesë puna pa krye.

Para se t’u niste për Stamboll në verën e vjetit 1899 – ishte 49 vjeç-, Xhiu bâni nji gostë të madhe në Sarisalltik të Krujës qi ngjati dý dit e dý net, thirri të tânë dashamirët e vet për me i përshëndetun për të mbrapmen herë, por pa i diftue gjâ kurrkuj. As t’im et s’i kishte kallzue se ku e pse po vente, por vetëm qi s’kishte për t’u kthye mâ.

Me gjithë këtê im ungj u kthye prap mbas nandë vjet burgimi në burgun e përgjithshëm të Stambollit qi i a pat hapun dyert Revolucjoni i Tyrqve të Rij në 1908. N’Urë të Gallatës shpëtoi për mrekullí nga sulmet e njerëzve të të vramit. Sulltan Hamidi i a ktheu dënimin me vdekë në burgim të përjetshëm, simbas zakonit qi kishte, me gjithë se i vrami Xhavid Beu qe i bir’i Sadrazemit të vet Halil Rifat Pashës. Kthimi i tij qe nji e leme për së dyti. Buja e këtij kthimi qe e madhe, si zâni i tij e si puna qi kishte bâmun. S’mbet kush pa vojtun së paku me i a pimë nji kafe, shumë edhe të panjohun deri atëherë.

Vetëm Bibë Paloka, nji malsuer i squet, nuk desh t’a pijë kafen t’âmbël.

–  Un s’të kam ardhun për gzim, or Xhi, tha Biba, por për idhnim, e prandej edhe kafen do t’a pij t’idhët.

–   Pse kështu or Bibë?

–   Paj, or Xhi, me çaf ke bâ deri sod ke mbërrîmun në kulmit të lavdís, e s’ka Shqiptar qi mund të të rrijë ngjat. Sikur të kishte pasë vjerrë Mbreti a të kishe pasë dekun në burg, kishe mbetun me kët’emën. Tash erdhe shëndosh, e, paç jetën e gjatë, pra, mbasi erdhe; por mue të marrit s’më ngrofet zêmra se s’ka për të të tundue ai qi s’lut me bâ ndonji punë të pahijshme. Do të kishte qênë mâ mirë të kishe pasë dekun atje. Âsht vênd dreqi ky vêndi i ynë, or Xhi, e për ditë po shkon tue u prishun mâ keq.

Xhiu bâni buzën në gaz e të gjithë qeshën prej fjalvet të Bibë Palokës së “marrë”. Por nuk dij sa qenë ata qi e kuptuen urtín e thellë t’atyne fjalve. Xhiu s’ndëjt pa i u përgjegjun:

  • Tashti jam plak mâ, or Bibë. Po shkoj e hŷj dervish në ndonji teqe. Atje do Zoti e s’vjen kush me më rá mbë qafë..
  • Për qiell e për tokë e ke gjetun, or Xhi.

Xhiu s’u bâ dervish, nuk shkoi në teqe,ndêjt në shtëpi të vet, dhe ndêjt e rroi me nderë, si gjithë jetën e tij, edhe dhetë vjet tjera.

Kur Esad Be Toptanit i qe dashun t’ikte prej Tirane me ndore të Xhiut të Fajës nga frika e të vëllait e t’a shpëtonte kryet në shtëpít të tymosun të Merlikajve në Krujë, kishte njohun atje t’im atë qi porsa i kishin çemun musteqet. Tue u kthye mbandej në Tiranë, i falun pref Ganiut, e merrka edhe atêdjalë mbas vetes. Dhe nuk e lëshoi mâ deri qi këtij i u rrit i biri me ato ndiesí e ideale politike e shoqnore qi ishin në kundrështim të plotë me ndjenjat, mêndësin dhe të gjitha veprimet e nji Esad Toptani. Jeta e dy vëllazënve ka shkue krahas, im ungj me Gani Beun dhe im atë me Esadin, deri qi këta hŷnë në shërbim të Sulltanit, i pari ajutant i Abdyl-Hamidit në Stamboll dhe i dyti Komandant i Gjindarmërís së Vilajetit të Janinës. Si u danë nga Bejlerët zunë vênd në Durrës, nga frika e gjaqevet qi kishin, ku e shihshin veten mâ të sigurtë e ku kishin gjetun edhe nj farë mundsije me jetue me gjithë familje tue hymun si Kryerojtarë njâni në monopol të krypës e tjetri n’atë të duhanit. Ishin tashmâ të dy të martuem e familja shkonte gjithnji tue u zgjânue. Me gjithë këtê rrogat, për atë kohë, ishin të mira, edhe prej Kruje diç vinte. Kjo jetë, me peripetina e perjoda të ndryshme të bartuni dhe të zhbartuni ndërmjet Durrsit e Krujës, vazhdoi deri në luftën greko-tyrke të 1897-s. Në këtë lufte im atë qe thirrun si rezervist -ishte 32 vjeç-, por në vênd të tij kishte dërgue nji bedel. E qe se mbas pak kohe, pak para se me fillue lufta, nji telegramë prej Esad Pashës grishte me u nisun nji orë e mâ parë për Janinë të dy vëllaznit. N’ato rrethana, ai dhe i vëllai Gani Beu dojshin me pasun te krahu nga nji burrë besnik të provuem. Mbrênda pak ditve gra e fëmijë dhe plaçka shtëpije u bartën në Krujë dhe të parët t’anë u nisën për udhë të tyne. Familja përbâhej n’atë datë prej dhetë frymësh gra e fëmijë, të mbetun pa krye nën kujdes t’Axhë- Rremës, kushrînit të parë të dy babavet t’anë.

T’im atë Esad Pasha e mbajti edhe mbas luftet pranë vetiu në Janinëderi në 1902 kur u transferue vetë në Shkodër. Prej ksaj date e mbrapa e ka përdorun si qehajà çifliqesh, veç perjodës 1908-1912, kur ai qe zgjedhun deputet i qarkut të Durrsit në Parlamentin tyrk e e pat marrë edhe t’im atë prap me vete në Stamboll.

Meta i Fajës së Merlikës ishte nji tip burri të zakonshëm qi, për karakterin e vetijat morale të tija, të kishte pasë lemun në botën katholike të Perëndimit mund të kishte pasun fatin me u numrue në rradhën e shënjtënve. I urtë, i butë, i qetë, zêmërgjânë, bujar, dashamirë i gjithkuj, i drejtë.

postbck postbck

Recent Posts

Pse Çabej e “fshiu” himnin e tij?

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e…

6 hours ago

Shqiptarë të famshëm që vunë themelet

Është e dëshmuar se për 500 vite, shqiptarët kanë qenë pjesë integrale dhe e pandarë…

7 hours ago

Teuta, sundimtarja që për hajni e humbi një mbretëri

Mbretëresha Teuta e Ilirisë dhe ushtria e saj pirate, sunduan Detin Adriatik në lashtësi dhe…

7 hours ago

Ja gabimi që të gjithë bëjnë kur përgatisin çajin

  Është fakt se bërja e një filxhani çaji duket dhe është një proces i…

8 hours ago

Çfarë i Ndodh Trupit Nëse Hani Mandarina Çdo Ditë

  Mandarinat e Xarrës tashmë janë shndërruar në krenari, jo vetëm për zonën ku mbillen…

8 hours ago

Lëngu i Rasojit ndihmon për këto probleme shëndetësore

  Në zonat më të thella të vendit qasja ndaj mjekësisë moderne ka qenë prej…

9 hours ago