Shkrimtari i njohur dhe i dashur për shqiptarët, Xhorxh Bajron, lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait të tetë, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey.
Në moshën madhore zuri vendin që i takonte në Shtëpinë e lordëve. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze.
Më 1805 Bajroni hyri në Universitetin Kembrixh (Cambridge). Kur ish akoma student botoi vjershat e para lirike “Orët e Ngesës”.
Revista zyrtare e shkrimtarëve “Edinburg Reviu”, i bëri një kritikë pa mëshirë. Poeti i ri iu përgjigj me satirën “Këngëtarë anglezë e skocezë”, në të cilën sulmoi ashpër letërsinë angleze të asaj kohe dhe gati gjithë poetët e njohur, sidomos ata të “shkollës së liqenit”. “Shtegtimi i Çajlld Harolldit” është puna letrare më e madhja e Bajronit.
Vetë autori thotë në dedikimin e këngës së katërt se “është më e gjata, më e menduara dhe më e kuptuara nga hartimet e mia”.
Populli i Shqipërisë së Jugut e mbajti për një kohë të gjatë në kujtesën e tij vizitën e poetit anglez në sarajet e Tepelenës shumë vite më parë dhe pleqtë tanë, shpesh herë mbrëmjeve, kur mblidheshin për bisedë, i përmendnin fjalët që i tha Ali Pasha djaloshit fisnik anglez:
“E kuptoj që jeni vërtet nga derë e madhe, prej veshëve tuaj të vegjël, prej duarve të vogla të bardha dhe prej flokëve kaçurrela”.
Më 1809, njëzetenjëvjeçari u nis për udhëtimin e tij të parë nga skela e Falmouthit. Mori pas një sërë shërbëtorësh, i shoqëruar prej shokut të tij të shkollës Cam Hobhouse. Së pari zbriti në Lisbonë. Prej Lisbonës udhëtoi me kalë 640 kilometra dhe arriti në Kadiz.
Nga ky port spanjoll një luftanije angleze e solli nëpër Mesdhe prej Gjibraltarit në Maltë dhe që aty në Prevezë, në Shqipëri. Nga Preveza, Bajroni dhe Cam Hobbouse erdhën në Janinë.
Vizitorët e shquar nuk e gjetën Ali Pashën në kryeqytet, prandaj më 11 tetor e vazhduan udhëtimin 160 kilometra të tjera në veri.
Më 17 u nisën në Libohovë dhe arritën në Qestorat e në Erind. Prej Erindit u nisën më 19 tetor në orën 3,30 pas dreke dhe në orën 5 arrin në Tepelenë. Pas tri ditëve si mysafirë të Ali Pashës, u kthyen po asaj udhe. Nga Janina u nisën për në Prevezë dhe së andejmi kaluan për në Greqi nën mbrojtjen e 35 shqiptarëve.
Duke u larguar nga Shqipëria, Bajroni përshkoi Akarnaninë, kapërceu pyjet aeoliane të lumit Ahelos dhe më 21 nëntor 1809 arriti në Mesolongji, ku 16 vjet më vonë do të jepte jetën për Greqinë.
Atje ktheu për në shtëpi të tyre gjithë shqiptarët që e përcollën, vetëm një jo, Dervishin, që mbeti me të përsa kohë që poeti qëndroi në Lindje.
Bajroni u kthye në Londër në korrik 1811. Gjatë udhëtimit shkroi një ditar në vargje të cilin e pagëzoi me titullin: “Shtegtimi Çajld Haroldit”.
S’kish në mend ta botonte, po shokët e tij të entuziazmuar ia rrëmbyen nga duart dhe e dërguan në shtyp. Kënga e parë dhe e dyta u pritën me lavdërime të madha. Bajroni u zgjua atë mëngjes dhe pa se qe bërë i famshëm. Cajld Haroldi e bëri edhe Shqipërinë të njohur në gjithë botën e qytetëruar.
Në të parën Bajroni përshkruan udhëtimin përmes Portugalisë e Spanjës. E dyta merret kryekëput me Greqinë dhe Shqipërinë.
Dorëshkrimi ka këtë shënim të autorit:
Bajron në Janinë, Shqipëri
Filluar në 31 tetor 1809
Mbaruar në Izmir, më 28 mars 1810.
Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë jugore, më saktësisht, në Janinë në vitin 1809, lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar.
Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Tomas Filips që të realizonte portretin e famshëm të lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar.
Portreti titullohet Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian (portret i një fisniku me veshje shqiptare) dhe paraqet Bajronin me një veshje ku ndërthuren e purpurta dhe e arta e jelekut me vizat gri e blu të një një turbani që i përngjan më shumë një shalli; e bardha e këmishës dhe e fustanellës me të zezën e kadifenjtë të një xhakete.
Ai mban në duar një jatagan i cili ka një këllëf të purpurt e të argjendtë. Portreti u vendos asokohe në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë. Megjithatë, ky nuk ishte i vetmi portret që piktori i bëri Bajronit.
Në 1835 dhe në 1840 Filips pikturoi dy variante të tjera të këtij portreti. I pari iu dhurua më 1862, nga i biri i piktorit, Galerisë Kombëtare të Portreteve (National Portrait Gallery) në Londër, ku vazhdon të jetë i ekspozuar aktualisht.
Ndërsa varianti i dytë, që u komisionua nga Xhon Murrej, botuesi i Bajronit, ndodhet i ekspozuar me publikimet e firmës në Albermarle Street, Londër.
Jeni ose një lëvizës i këmbëve ose dikush që irritohet shumë nga kërcimi i…
Termi djathë zviceran nuk i referohet nga vjen djathi, por lloji i djathit, ose…
Deva ishte politikan me prejardhje nga qyteti i Mitrovisë. Ai gjithashtu ishte ministër i…
“Oral History Kosovo” në profilin e tyre zyrtar në “Instagram”, kanë publikuar fotografi nga…
Për shumë njerëz ky është një lëng që funksionon kundër kollës dhe problemeve me…
Shurupi i mollës është një nga lëngjet më të shëndetshme që mund të konsumoni…