Përse ushtria amerikane nuk e pushtoi Berlinin në 1945?!

Komandanti i Përgjithshëm i Trupave Aleate, D. Eisenhower, nuk i dërgoi trupat e tij drejt Lindjes në mars 1945, por në Bavari. Ai ia kishte frikën “Kështjellës Alpine” të nazistëve. Raportet e rreme të inteligjencës, frika e oficerëve të Shtabit nga një kërcënim imagjinar dhe entuziazmi i shtypit për spekulime, e kishin bërë tashmë punën e tyre: ishte thjesht një produkt i paranojës kolektive që më pas shtroi bazën për Luftën e Ftohtë.

Nga Sven Felix Kellerhoff

Ata që janë shumë të sigurt për suksesin e tyre, mund të dështojnë lehtësisht. Në javën e fundit të marsit 1945, një lajm i mirë nga Europa mbërriti në Shtetet e Bashkuara: Trupat Aleate kaluan Rinin. Gjithnjë e më shumë njësi të Wehrmacht-it gjerman po kthehen në robër lufte. Fitorja ndaj Hitlerit duket shumë e afërt.

Sidoqoftë, Komandanti i Përgjithshëm i Aleatëve, Dwight D. Eisenhower, është më pak optimist – ai po shqetësohet se përparimi i forcave të tij duket paksa si shumë i lehtë për të. Përse ka trupa të klasit të dytë në Frontin Perëndimor Gjerman, në veçanti? Eisenhower kujton një atmosferë të ngjashme pozitive në selinë e tij më 15 dhjetor 1944, përpara se të shpërthente ofensiva e fundit gjermane në Ardene.

Gjenerali me pesë yje e di se çdo vendim i gabuar mund të kushtojë jetën e dhjetëra mijëra ushtarëve amerikanë, dhe ai e merr këtë përgjegjësi seriozisht. Gjatë një “pushimi” katërditor në Kanë, Eisenhower mendon intensivisht në lidhje me alternativat e avancimit të propozuar drejt lindjes. A është me të vërtetë e drejtë të marshosh në Berlin me forcë të plotë?

Gjatë kësaj kohe, gazetat aleate raportojnë rregullisht për një lloj fortese, njw „Kështjellë në Alpe”, për një “tërheqje kombëtare” të regjimit nazist midis Liqenit të Konstancës dhe krahinës së Shtajerit. Eisenhower i merr seriozisht raportet: “Nëse gjermanët do të lejoheshin të krijonin këtë ‚kështjellë‘, ajo ndoshta mund të na detyronte të futeshim në një luftë të gjatë guerile”.

Në fakt, ideja e vendosjes së një pozicioni të fundit mbrojtës në malet e larta duket afërmendsh: asnjë peizazh nuk është më pak i përshtatshëm për përdorimin e armëve të rënda siç janë tanket. Rrugët e ngushta malore dhe urat e ngushta shpesh parandalojnë përdorimin e tyre. Askund tjetër përparësia materiale apo ajo numerike nuk luan një rol më pak të rëndësishëm se aty.

Dhe Eisenhower e di se Hitleri i do Alpet dhe gjithmonë ka preferuar të qëndrojë në vendbanimin e tij në Obersalzberg, mbi Berchtesgaden. A mos vallë nacionalsocialistët po i grumbullojnë trupat e tyre elitë në male, a ekzistojnë vetëm njësi të „Volkssturm“-it (njësi të ngritura në javët e fundit të Rajhut me popullsi civile me mosha jo të afta për luftë të ashtuquajtura: Stuhi Popullore‘)tashmë midis Rinit dhe Elbës në të njëjtën kohë? Kjo do të shpjegonte në një farë mënyre edhe arsyen se pse trupat britanike dhe ato amerikane takojnë kaq pak njësi të fuqishme të trupave SS dhe njësi speciale të Wehrmacht-it.

Eisenhower merr një vendim dhe dërgon një “Mesazh Personal për Marshallin Stalin” më 28 mars 1945, në të cilin shkruan se: “Operacionet e mia parësore kanë për qëllim rrethimin dhe asgjësimin e forcave të armikut në zonën e Ruhr-it.” Një avancim i njëkohshëm duhet të shkojë drejt jugut „për të parandaluar kësisoj konsolidimin e rezistencës gjermane në fortesën Alpine”. Berlini madje as nuk përmendet në atë telegram.

Mesazhi shkakton trazira të rënda politike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara; veçanërisht Winston Churchill turfullon. Kryeministri britanik këmbëngul: “Më duket jashtëzakonisht e rëndësishme për t‘i shtrënguar duart me rusët, sa më larg në Lindje”. Kjo do të thotë se synim i avancimit të Aleatëve duhet të vazhdojë të jetë Berlini.

Përgjigjja e Stalinit për Eisenhower tingëllon jashtëzakonisht miqësore. Sugjerimet e tij korrespondojnë saktësisht me idetë e Shtabit të Përgjithshëm në Moskë: “Berlini tashmë e ka humbur rëndësinë e tij të mëparshme strategjike. Komanda e Lartë Sovjetike planifikon të lëvizë vetëm trupa të kategorisë së dytë drejt kryeqytetit të Rajhut. “Në realitet, diktatori mbledh së bashku trupa elitare të pajisura mirë për betejën e Berlinit. Nisja e tyre ishte planifikuar të niste më 16 prill.

Eisenhower nuk ia ka idenë për këtë kur ai jep urdhërin vendimtar më 2 prill 1945: Armata e Parë e SHBA duhet të ndërpresë lidhjen tokësore midis Berlinit dhe Alpeve. Armata e 3-të dhe ajo e 7-të e Shteteve të Bashkuara, marrin detyrën të zhvendosen drejt jugut. Synimet e tyre janë Bavaria e Epërme dhe Berchtesgaden.

Më 11 Prill, trupat e para amerikane arritën brigjet e Elbës afër Magdeburgut. Tanimë ata i ndajnë 100 km nga kryeqyteti. Më 15 prill, dy divizione elitare të Armatës së Parë janë gati të marshojnë drejt Berlinit; brenda 48 orëve ata mund të arrinin periferitë perëndimore të qytetit.

Në të njëjtën kohë Armata e 3-të nën komandën e George S. Patton përparon me shpejtësi në juglindje. Në të po të njejtën datë, 15 prill, kishin mbetur edhe 150 kilometra mes pararojës së tij dhe Potsdamit. Njësitë më elitare amerikane në Europë tanimë mund ta fusin në kllapë Berlinin nga dy drejtime. Por Eisenhower nxjerr një udhëzim shumë të prerë: ndaloni në Elbë. Pse e merr këtë vendim komandanti amerikan?

Ai me të vërtetë ka frikë se mund të ekzistojë një “Kështjellë Alpine”. Në faqen e saj të parë “New York Times” shkruan me të madhe më 12 nëntor 1944 për “qoshen ku fshihet Hitleri”. Gazeta raporton për “fakte” të pretenduara: Një nga “zonat më të bukura dhe veçanërisht piktoreske të Bavarisë jugore” është kompleksi “më i fortifikuar dhe më i ruajtur nga afër” i të gjithë Rajhut të Tretë. Në Untersberg-un fqinjë, punëtorët e detyruar kishin zgjeruar shpella të mëdha, duke i shndërruar në magazina, në vetë Salcbergun kishin ndërtuar strehime ajrore që ofronin siguri ndaj sulmeve ajrore dhe të mbrojtjes dhe atyre kimike në vetë Obersalzberg, dhe armët e rënda kundërajrore ishin vendosur në anën përballë, në vargmalet Latten.

Më 2 shkurt 1945, prestigjiozja zvicerane nga Zyrihu “Weltwoche” me sa duket konfirmoi këtë prezantim: “Raporte të besueshme nga Gjermania përmbajnë detaje teknike në lidhje me ndërtimin dhe zgjerimin e pozicioneve mbrojtëse të Berchtesgadenit në Obersalzberg si një qendër nevraligjike.” Kalimet malore thuhet se janë ndërtuar tashmë. E përjavshmja zvicerane përfundonte më fjalët: “Fortesa e Berchtesgadenit nuk është një legjendë. Divizionet e Armatës SS do të përpiqen të mbajnë një zonë që shtrihet në perëndim në zonës së Algojit (origj: Allgäu) dhe në lindje që shkon deri në Vjenë “.

Një javë para urdhrit për ndalimin e avancimit të dhënë nga Gjenerali Eisenhower, „New York Times“ raportoi se pozicionet gjermane në Alpe ishin edhe më të vështira se manastiri italian i Monte Cassino-s, ku një betejë vrastare shpërtheu në pranverën e vitit 1944. Një ditë më vonë, revista amerikane “LIFE” shkroi se trupat gjermane në Alpe do të mbronin pozicionet e tyre deri në pikën e fundit të gjakut.

Sidoqoftë, “Gara drejt Jugut” e gjeneralit Patton në gjysmën e dytë të prillit 1945 tregoi se nuk kishte pothuajse asnjë rezistencë nga Wehrmacht-i në Bavari. Ndërsa Ushtria e Kuqe pushton nën humbje të paimagjinueshme çdo rrugë që të çon drejt kryeqytetit perandorak të Berlinit, trupat më të mira të ushtrisë amerikane marshojnë nëpër shtigje malore paqësore dhe nëpër fshatra piktoreske alpine, në kërkim të fortifikimeve gjermane.

Pasi “Kështjella” e supozuar është një produkt i paranojës kolektive që përhapet pothuajse njëkohësisht në agjencitë amerikane të inteligjencës, Shtabin e Përgjithshëm dhe shtypin amerikan. Kjo ide u shfaq për herë të parë më 29 tetor 1943, në një telegram të koduar drejtuar shërbimit sekret amerikan OSS, në të cilin shkruhej: “Struktura mbrojtëse janë ngritur në luginat e rajonit austriak të Tirolit që nga muaji i kaluar”. Një informacion i rremë që shkaktoi panik të kotë.

Pasi një komandë shërbimi SS mundi ta përgjojë dhe ta deshifrojë një mesazh radio nga OSS, në të cilin bëhej fjalë pra për një shqetësim të amerikanëve lidhur me një “tërheqje kombëtare” për nazistët. Raporti iu paraqit drejtuesit vendor rajonal të nazistëve në zonën e Vorarlbergut – dhe Franz Hofer vendos ta bëjë pikërisht këtë propozim për Hitlerin: të ndërtojë një “Kështjellë Alpine”.

Por Martin Bormann, njeriu më i fuqishëm në mjedisin e Hitlerit së bashku me Heinrich Himmler, Joseph Goebbels dhe Albert Speer, fillimisht e bënë letrën e Hoferit “të zhdukej”. Ai ishte i shqetësuar se Hitleri mund ta konsideronte nismën e kreut rajonal nazist si tradhti. Pra, asgjë nuk ndodhi, përveç disa „eksplorimeve“.

Ato ndoshta përbëjnë edhe bazën për ndarje informacioni të mëtejshëm, të cilat OSS i merr në pranverën e vitit 1945. “Në Tirolin Perëndimor dhe Vorarlberg, instalimet e fortifikimeve, shpërthimet dhe ndërtimet e depove në lartësi të mëdha kanë nisur ndërkaq për ca kohë,” raporton një raport i datës 22 shkurt. Pesë ditë më vonë, katër pjesët kryesore të “Fortesës Alpine” përshkruhen në detaje, dhe një e pestë është planifikuar gjithashtu. Më 3 mars, një raport tjetër thotë: “Pozicionet alpine janë në thelb të zaptuara nga trupat SS.”

Të gjitha vetëm thashetheme, siç del në fakt të jetë tetë javë më vonë. Në 1944-1945 ndërtimi i fortifikimeve bashkëkohore në Alpe as nuk filloi. Vetëm më 28 prill, në Berlin, Rajhu i Tretë ndërsa tashmë përfshinte vetëm qendrën e qytetit deri Stadiumin Olimpik në Schlossplatz, Hitleri dha urdhër për të ndërtuar e zgjeruar një “Fortesë Qendrore të Alpeve “. Raportet e rreme të inteligjencës, frika e oficerëve të Shtabit të Shtabit nga një kërcënim imagjinar dhe entuziazmi i shtypit për spekulime, e kishin bërë tashmë punën e tyre: Ushtria e Kuqe pushton Berlinin dhe kështu krijon bazën për Luftën e Ftohtë.

*Marrë nga gazeta gjermane „Die Welt“. Përktheu dhe përgatiti për Gazetën Fjala: Armand PLAKA

postbck postbck

Recent Posts

Shkaktarët e Vet.evrasjes: Një pasqyrë e ndërlikuar e faktorëve psikologjikë, shoqërorë dhe biologjikë

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Vetevrasja është një temë tepër e ndjeshme dhe komplekse që prek…

8 hours ago

Si u spraps më 1912 armata e tretë serbe nga veriu! Beteja e Drinit dhe thirrja e Isa Boletinit

BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…

1 day ago

Hakmarrja serbe një vit pas humbjes së madhe në betejën e Kolesjanit! M*sakrat e tmerrshme në Dibër, u vr’anë gra, fëmijë dhe pleq

HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…

1 day ago

Kodi kalorsiak shqiptar në folklorin sllav

Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…

1 day ago

Musolini në Shqipëri/ Kur makina i mbetej në baltë

Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…

1 day ago

Përpjekje të reja për të studiuar historinë e klimës në Tokë

Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…

2 days ago