Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në traditën tonë popullore

Nga Vlash Prendi

Figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ka qenë e pranishme gjate gjithë periudhës shekullore në kulturën popullore të trevës sonë. Nëse Kryetrimi kishte në Krujë një kala dhe sot ka një monument, gjithë jeta dhe veprimataria e tij pati, fushë veprimi edhe trevën e Kurbinit, sepse shokë miq dhe gardën e tij pretoriane, pothuajse e kishte kurbinase. Kështu mund të shpjegohet fakti se ai mbeti në shpirtin dhe mendjen e popullit tonë si symbol i strategut luftëtar dhe njeriut të lirisë.
Portreti i kryetrimit ka qenë e pranishme në të gjithë elementët e kulturës sonë kombëtare, por më e plotë ajo del sidomos në dy elemente të saj, në këngët popullore dhe në legjendat, që megjithse kanë kaluar 5 shekuj e gjysëm ruhen ende të freskëta në kujtesën e kurbinasve. Duke i hedhur një sy krijimtarisë popullore të Kurbinit – megjithse këngët e asaj periudhe janë të pakta dhe tematika e tyre e përafërt, vihen re karakteristika dalluese nga mjaft krahina të tjera, ku ai ka ushtruar veprimtarinë e tij në Krujë, Lezhë ose Mat, sepse me këtë krahinë Kryetrimi kishte lidhje të ngushta.
Krisma e pushkës dhe melodia e fyellit dhe ciftelisë e kanë shoqëruar shqiptarin hap pas hapi në rrugën e vështirë të hitstoisë gjatë gjithë jetës së tij. Ky popull i vogël por trim,ka bërë luftra të pabarabarta.Ai kurrë nuk u përkul,por ruajti dhe pasuroi brez pas brezi traditat më të mira që lanë të parët. Rapsodi kurbinas i ka kënduar me shpirt trimërisë së tij. Ai e jep në zhvillim e sipër figurën e tij që fëmijë, derisa rritet për t’i dalë zot vendit. Nuk ka si ndodh ndryshe me një trim që lind në derën e Kastriotëve.Ndoshta lindin trima,ndoshta mëkohen me një virtyt të tillë sapo lindin.Këto cilësi burrërore autori i sheh tek Gjergji i vogël,sepse ai ka lindur trim dhe është gatuar për strateg lufte, prandaj ai thotë: …Për dicka është me u habitë,/ Kur sheh shpatë po i qeshin sytë…, dhe më poshtë sikur përforcon mendimin e parë, prandaj shprehet: …Dhe kur mbushi plot një vjet,/ Lypte shpatë, lypte shigjetë…
Gjatë gjithë kësaj periudhe, figura e tij ka qenë figurë symbol dhe ka qëndruar në qendër të krijimtarisë popullore kombëtare. Kurbinasit e donin dhe e respektonin atë, sepse më tepër se kushdo tjetër kishin provuar peshën e rëndë të pushtuesit osman, prandaj që në fillim nuk i kursyen djemtë e tyre për luftën, për lirinë kjo u përjetësua edhe në këngë: …Përballë djemve kur u qëndrueka,/ Dorën lart kur e drjtueka,/ Bijt e vet që t’i bekojë,/ Skënderbeut peshqesh t’ja cojë…Por ushtria turke është e madhe në numër dhe e specializuar për djegie e shkatërrime, madje pa kursyer as fëmijët, shpesh duke lënë të shkreta edhe shtëpitë. Por trimat kurbinas të rrahur në luftra dhe të pjekur në robëri duke ëndërruar për shpresën e bardhë, marrin mallet për të luftuar kundër pushtuesit. Ja si thotë kënga: …Grumbuj, grumbuj,varg e varg,/ Shtigjeve t’Kurbinit plak,/ Çajnë Gjormakët me laçianë,/ Çfarë shtëpishë,medet që lanë…E ndërsa trimat ngjiten malit përpjetë, shohim shtëpitë e tyre që digjen. Ata dëshpërohen por janë krenarë, sepse kjo nuk është asgjë para çështjes së madhe të atdheut.Megjithatë hakmarrja e kurbinasit do të binte mbi pushtuesin, këtë do t’a bënte vetë Kryetrimi me kurbinasit. Ky fakt nuk do t’i shpëtonte rapsodit popullor kur thotë: …Mos u digj moj zemërvale,/ Se i qajme hallet në këto male,/ Po nuk ditëm t’i qajme ne,/ Na i qan trimi Skënderbe…Dhe krenaria për këtë akt heroik është e ligjshme. Prandaj: …Fluturoj kënga në mal,/ Merr Kurbini flakë e zjarr,/ E sheh Kuqna e Lugapaci,/ Dhe Selita e Gjormi e Laçi…Dhe trimëria s’ka kufi, betejat dhe fitoret janë të njëpasnjëshme, por këto suksese arrihen me ndihmën e trimave kurbinas që vetë Kryetrimi i ka zgjedhur burra të zgjuar. Ja disa prej tyre: …Ky Kokë Malçi n’at Shkopet, / Skënderbeut i fal me shnet, / Kështu ra dhe Gjetë Nikolli, / Gjaku i tij i pastër rrodhi, / Burrë me shej Mark Dodë Selala,/ Si i prêt shpata i prêt fjala… ose: …Ndre Shafloqi shqipe mali,/Kur sulmon i fluturon kali…dhe më poshtë…Ai Pal Lala i Malit të Bardhë,/Që e vranë turqit n’Valikardhë…
Dhe nën udhëheqjen e Kryetrimit,trimat kurbinas me cilësi nga më burrëroret,binin nga lufta në luftë,nga fitorja në fitore. Dhe pas fitore populli i Kurbinit i priste me bujari e sofrën plot. Këtë e pasqyron edhe kënga e bukur popullore: …N’kullë të Çobës në Selitë,/ Të gjithë krushq erdhën atë ditë…Por lapsit të rapsodit popullor nuk i shpëton as çorganizimi i ushtrisë osmane. Madje edhe pamja sa ironike, aq edhe e trishtueshme e ushtarëve turq, pas një humbje përben tablonë më reale të kohës. Kushtrimi është dhënë, shpatat vringëllojnë, trupa pajetë turqish rrokullisen në greminë. Atëherë: … Mbet kufoma përmbi kalë,/ Tu u përkund ngadalë-ngadalë,/ Rrokulliset n’shesh e mbet,/ Hap shallvarët për ibret. Siç shihet, lavdinë e heroit e ruajti më mire se kushdo në zemër populli i Kurbini nëpërmjet folkorit të tij, reltivisht të ri, pasi krijimet e asaj periudhe janë tepër të pakta dhe më e vjetra mendohet të jetë kënga “Ky Kokë Malci n’at Shkopet”. Siç del edhe nga tekstet e mësipërme rapsodi popullor me një mjeshtëri të lartë artistike i vesh kryetrimit cilësi të mbinatyrshme.Vargjet kanë në brendësi të tyre unitet mendimi dhe plotësojnë njëri-tjetrin mjaft mirë duke shënuar edhe kulme sepse: …Kah kalonte Skënderbeu,/ Gjamë të madhe merrte dheu,/ Trim i fortë, porsi skifter,/Shpata e tij helm e zeher… Por ai nuk ka vdekur, as nuk vdes kurrë sepse rron në zemrën e kombit të vet. Prandaj rapsodi konkludon: …Hero i dashtun Skënderbe,/ Edhe sot je gjallë ndër ne…
Populli shqiptar ka trashëguar një kulturë të gjërë historike ku figura e Skëndërbeut ka dominuar gjithnjë.Vec të tjerave,një pasuri e pakrahasueshme ishin edhe legjendat e mbledhura nga goja e kurbinasve,të cilat flasin shumë për forcën dhe mencurinë e tij. Ata janë të shumta,e për më tepër nuk ka fshat të trevës sonë që nuk ka një legjendë për të. Kjo tregon se fusha e lëvizjes dhe luftratve të tij ka qenë Bajraku ynë.Këto legjenda që kanë arritur deri më sot,janë kryesisht të shkurtra më 4-6 rreshta me sens mencuri dhe shkathtësie, por edhe shpjegime toponimesh,sidomos në Krujë, Kurbin dhe Lezhë. Nuk është e rastit që mjaft legjenda për Kryetrimin janë ruajtur në Kurbin.Nëse shohim legjendat e mbledhura do të konkludojmë se nëpërmjet tyre dalin shpesh cilësi realiste si mencuria, burrëria,trimëria etj,porn ë disa të tjera ai vishet me cilësi hyjnore,duke përdorur shpesh hipërbolën si figurën më të përshtatshme letrare për të pasqyruar vetitë e tij. Në legjendën “Viçi dhe sqapi”,vetëm duke u nisur nga romuzet që i hedhin njëri-tjetrit Skëndërbeu dhe Kokë Malci, shohim se janë dy burra të shquar dhe të mencur. Këtë e tregon jo vetëm shakaja e Kokës, por edhe përgjigja e Kryetrimit kur i thotë: “Burrë Velet dhe i mençëm paske qenë or Kokë,Zoti soin most a shoftë,por edhe me ta shtue most a shtoftë”. Legjenda të tjera me gjeografi Brenda trevës sonë,na e paraqesin kryetrimin si nje udhëheqës të aftë e trim,strateg lufte,të shkathët e të mëncur,që edhe në situate të vështira di të dalë faqebardhë,madje të cajë rrethimin. I tillë del ai në legjendat “Beteja e Fushë-Kuqes” dhe “Dhitë e egra”. Respekti dhe dashuria e kurbinasve për princin e Kastriotëve ishte e madhe.Bujaria e tyre ishte e pashoqe. Kjo ndodh në Skuraj,në shtëpinë e Kokë Malçit, ku ushtrisë së Skëndërbuet në vend të ujit i jepet për të pi verë.Kjo,jo për të treguar bollëkun,por mbi të gjitha bujarinë, sepse kurbinasi kur shtron sofrën me bujari,pasuria nuk shteron kurrë, aq më tepër për mikun e vecantë si Skënderbeu.Sintezë e kësaj është legjenda “Skënderbeu dhe lumi i Matit” tregohet se prijësi i shquar ishte i thjeshtë dhe bisedonte më ushtarët si vëllai me vëllanë, u jepte zemër dhe u tregontë taktika lufte e cila nga kjo ndoshta varej edhe fati i fitores. Gjatë një bisede të tillë, lumi i Matit e pengon dhe ai e mallkon atë. Siç shihet,në shumë legjenda ai vishet me cilësi të mbinatyrshme, shpesh duke përdorur hipërbolën,por interesi për t’i njohur dhe studiuar legjendat si pasuri e madhe kulturore e shpirtërore,është i madh, sepse kjo do të ndihmonte të plotësonin më mirë përfytyrimin tonë për figurën e Kryetrimi,që shkriu jetën për lirinë e vendit.
U ndalëm në dy moment të kulturës sonë kombëtare ku figura e Skëndërbeut del më e plotë,por edhe në fusha të tjera të saj, figura e tij ka qenë prezente si fjala bie,në fjalët e urta, këngët e djepit apo në qendismat e grave dhe vajzat e Kurbinit,sidomos pas vitit 1967-1969.Në cdo rast,dëshira e popullit tonë ka qenë t’a ketë kurdoherë afër figurën e tij legjndare ose së paku,pasardhësit të trashëgonin cilësitë e tij të papërsërtshme. Cilësitë e tij morale dëshironte t’i kishte cdo shqiptar, pra,të ishin trima të shkathët dhe të mencur si ai. Kështu i këndonte nëna djalit në djep,duke shpresuar që pasardhësi i saj të merrte të paktën një cilësi të tij: …Të rrittë Krishit, të rrittë Zoti, / M’u bafsh trim si Kastrioti… Sic shihet, nëna dëshiron të trashëgojë nga ai në radhë të parë rimërinë,për t’i dalë Zot atdheut.Kjo tematikë shihet tek shumica e ninullave të asaj periudhe.
Në artin e qëndisjes ai u përjetësua nga nënat dhe motrat tona në sajë të duarve të tyre të arta me një figuracion të pasur dhe nivel të mirë artistic,për shumë vjet me radhë,sidomos pas vitit 1967,ai zuri vend në bandat e murit,mbulesa të ndryshme e qëndisje të tjera që realizoheshin në zonën tonë.Shpesh,kërkohej të imitohej përmendorja e Krujës apo e Tiranës por në disa edhe një pikturë mjaft e realizuar e korcarit të fillimit të shekullit tonë Spiro Xega. Në disa raste qëndisej dhe vetëm portreti i tij bashkë me përkrenaren. Kjo a bërë që aftësitë e tij prej trimi dhe burri të shquar edhe sot pas 550 vjetësh të mbeten të pashlyera në kujtesën e popullit tonë.
Historia e popullit tonë është historia e luftës për liri dhe pavarësi, e luftës për të fituar të drejtat dhe liritë e humbura padrejtësisht në rrjedhat e historisë. Këtë luftë e dëshmon dhe e pasqyron,para së gjithash kultura shpirtërore dhe arstistike e popullit të trevës sonë, sepse ai luftën nuk e pushoi asnjëherë deri në fitoren e saj. Ai do ta derdhë gjithnjë në kulturë dhe art epopejnë e luftrave për liri duke transmetuar brez pas brezi traditat më të mira të popllullit tonë.

postbck postbck

Recent Posts

Lëvizja e këmbës: Pse ndodh dhe si ta trajtoni atë?

  Jeni ose një lëvizës i këmbëve ose dikush që irritohet shumë nga kërcimi i…

8 hours ago

A e dini pse djathi zviceran ka vrima?

  Termi djathë zviceran nuk i referohet nga vjen djathi, por lloji i djathit, ose…

9 hours ago

Kush ishte Xhafer Deva dhe pse Ambasada gjermane kundërshton restaurimin e shtëpisë së tij

  Deva ishte politikan me prejardhje nga qyteti i Mitrovisë. Ai gjithashtu ishte ministër i…

9 hours ago

Kështu pritej Tito në Kosovë në vitin 1950

  “Oral History Kosovo” në profilin e tyre zyrtar në “Instagram”, kanë publikuar fotografi nga…

11 hours ago

Kura me mese arrash për zemrën, mushkëritë dhe imunitetin

  Për shumë njerëz ky është një lëng që funksionon kundër kollës dhe problemeve me…

11 hours ago

Shurupi i mollës – Zbuloni sëmundjet që parandalon

  Shurupi i mollës është një nga lëngjet më të shëndetshme që mund të konsumoni…

11 hours ago