Për disa shekuj, vikingët ishin superfuqia dominuese në pjesën më të madhe të Europës.
Shumë shpejt, ata u shfaqën rrufeshëm me barkat e anijet e tyre të shpejta, duke sulmuar, duke vjedhur e duke plaçkitur, duke vrarë e duke bërë masakra dhe më pas u zhdukën për t’u shfaqur në një formë tjetër e të fragmentuar (në kohët e sotme njihen mirë pasardhësit e tyre skandinavë: norvegjezë, islandezë, suedezë, danezë etj.).
Vetëm në një fazë të dytë, ata u bënë sërish të gjallë, këtë radhë duke pushtuar toka e duke zhvilluar qendra të rëndësishme tregtare. Por, gjatë këtyre hapave që ata kanë përshkuar në historinë e vet, ata ruajnë edhe plot mistere e të fshehta.
Rrënjët e ekspansionit viking
Fillesat e ekspansionit viking gjenden në fillim të shekullit të gjashtë pas Krishtit. Mendohet se ata u nisën për të kryer aksionet e tyre plaçkitëse, thjesht nga nevoja për të mbijetuar. Europa Kontinentale me klimën e saj relativisht të mirë e të këndshme, dhe me kështjellat e qytetet e saj të pasura, duhet t’u ketë ngjarë atyre si një parajsë e vërtetë. Duke filluar rreth viteve 800 të erës sonë nis dhe ajo që njihet si “epoka e vikingëve”. Ndërsa fillimisht, veprimtaria e tyre kufizohej vetëm në disa aksione të vogla plaçkitjesh e grabitjesh, nisin e ravijëzohen edhe ngulmimet apo kolonizimet e para vikinge.
Ata vendosen te Hebridët, ngulen në Angli, Irlandë, Islandë e Groenlandë, madje, mendohet se kanë arritur të parët edhe Amerikën, një teori kjo tashmë shumë e rrahur. Ata ngritën një rrjet të pasur e të gjerë tregtar dhe anijet e tyre çanin Atlantikun, detin e Veriut e atë të Lindjes, nga Rusia deri në Groenlandë. Në një kohë të caktuar, ata duket se u dhanë fund aksioneve të tyre plaçkitëse e grabitjeve. Asnjë kështjellë, asnjë qytet nuk ishte i sigurt prej tyre. Nga mbreti i Frankëve (në Gjermaninë e sotme) ata morën si dhuratë, madje edhe Normandinë, duke kursyer në këtë mënyrë vetëm Parisin. Nga shekulli i nëntë e duke vazhduar në atë të dhjetin, kronikat na dëshmojnë raporte të panumërta mbi sulmet vikinge. Aksionet e tyre u shtrinë, madje në kohë të veçanta deri në Ngushticën e Bosforit e Detin Kaspik.
Vetëm në shekullin e 11, ylli i tyre nisi të perëndojë. Qytetet nisën të mbroheshin më fort e të forconin muret e tyre. Në Angli, Harold Goduinson u shkaktoi vikingëve në “Stamford Bridge” një humbje shkatërrimtare. Harald III Hardraade, mbreti i Norvegjisë, ra në këtë betejë. Përveç tyre, ata filluan të kishin konkurrentë në dete. Qysh para themelimit formal të lidhjes hanzatike (lidhje tregtare e qytet-shteteve të zonës së detit Baltik) në vitin 1356, një tip i ri anijesh u doli përpara vikingëve, duke u hapur probleme serioze: Kogat.
Gozhdën e fundit në arkivolin e tyre, në njëfarë mënyre, sigurisht, e nguli edhe kristianizimi i Skandinavisë nga ana e mbretërve gjermanë. Nga burra trima e të etur për gjak nga Veriu, ata nisën të bëheshin kristianë të butë e të dhënë tashmë pas të rejave të kohës.
Tre shekuj me radhë, vikingët e kishin prekur ndjeshëm historinë europiane. Para së gjithash, sukseset e tyre ushtarake bënë që të merreshin me ta arkeologë prej shumë shekujsh.
Çfarë fshihet pas tyre? Si ndodhi që një masë fshatarësh skandinavë të mund të pushtonin gjysmën e kontinentit e ta ulnin atë në gjunjë nga frika? Njëri ndër çelësat e suksesit të tyre ishin sidoqoftë anijet e tyre.
Ndërkohë janë zhvarrosur nga thellësitë e deteve disa nga anijet e tyre dhe janë studiuar hollësisht. Restaurimi ka qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm. Mjeshtrit e ndërtimit të anijeve vikinge rezulton të mos kenë përdorur kurrë sharra. Rrënjët e aheve ndaheshin në gjatësinë e tyre dhe kjo përbënte dhe një ndër të fshehtat e anijeve të tyre. Nëpërmjet ndarjes (jo prerjes me sharrë) druri arrin të mbajë strukturën e tij fillestare të paprekur e të fortë.
Dërrasat mund të shkëputeshin si ristela të holla, duke mbetur kështu shumë elastike. “Anijet e dragoit” nuk ishin konstruktuar për
t’u bërë rezistencë dallgëve, ato ishin bërë më shumë për t’iu përshtatur apo për t’i rrëshqitur atyre. Barkat apo anijet e tyre të lehta, krijonin në njëfarë mënyre rezistencë të vogël ndaj dallgëve, duke arritur një shpejtësi të admirueshme për atë kohë.
Interesante në formën e dizajnin e anijeve vikinge ishin edhe velat. Në fillimet e saj, fuqia e prodhuar nga era nuk ishte shumë popullore ndër veriorët. Si burra të vërtetë, ata preferonin më mirë të lundronin duke i dhënë fort rremave të tyre, se sa të qëndronin në bord të anijeve apo barkave të tyre duke pritur për erë të mbarë. Forma e velave ishte konceptuar nga vikingët shumë mirë, duke përbërë në fakt një inovacion për kohën. U besohej lëndëve të para vendase dhe kështu që leshi për prodhimin e tyre ishte i një cilësie shumë të lartë. Përveç kësaj, në përdorim vihej edhe një teknikë shumë e sofistikuar krehjeje. Në fund, materiali i përftuar ngjyhej edhe me dhjamë kali, duke u bërë shumë rezistent ndaj ujit.
Për sa u përket armëve të tyre, një supozim i ndërtuar mbi fakte e dëshmi arkeologjike flet për armë moderne për kohën, që të kombinuara pra me anijet e me tërbimin e tyre në luftë, sillnin një sukses të jashtëzakonshëm. Këmishat apo parzmoret e tyre të zinxhirta, dëshmoheshin si mburojat më të mira të kohës ndaj heshtave e shigjetave të çdo lloji e mase. Luftëtarët vikingë kishin ulur në maksimum rrezikun për vdekje, por sigurisht se plagosjet duhet të kenë qenë të mëdha, e së bashku me to edhe vuajtjet e tyre.
Nëse folëm pak për armët e tyre mbrojtëse, tashmë duhet të themi dy fjalë sigurisht edhe për armët e tyre mësymëse, pasi besohet se ato përbëjnë edhe thelbin e fitoreve vikinge. A mos ndoshta shpatat e tyre ishin diçka e rrallë? Thuhet se vrullit të goditjeve të tyre nuk mund t’i rezistonte dot askush. Por kjo nuk përbën një shpjegim. Shpatat e tyre nëpër muze, renditen tek ato të nivelit të mesëm e atij të vogël çuditërisht. Por ato dëshmojnë megjithatë një veçori që nuk e kanë të tjerat.
Duke i skanuar ato me rreze “Röntgen”, arkeologët kanë zbuluar se mbi materialin e tyre është punuar shumë, për sa i përket mprehtësisë dhe kjo duket se ka qenë një tipar shumë i veçantë i tyre. Motivet e tjera të suksesit të tyre në pjesën më të madhe kanë qenë ato religjioze, por edhe ato natyrore, të një race të zellshme e trime, me njerëz të gjatë e që rriheshin nga ajri i pastër i natyrës nordike. Religjioni (paganizmi dhe ritet e tyre për zotat) asokohe prekte shumë aspekte të rëndësishme të jetës së përditshme, dhe veçanërisht lidhej me luftëtarët.
Karakteri, morali, ndikimi i besimeve të tyre, anijet, armët dhe shpirti inovativ, punëtor e liridashës i tyre, bëri që ata të lënë gjurmët e tyre në historinë botërore si paraardhësit e një populli që edhe sot e kësaj dite, renditet me standardet e nivelin e mirëqenies, në shkallët më të larta në botë.
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Vetevrasja është një temë tepër e ndjeshme dhe komplekse që prek…
BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…
HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…
Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…
Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…
Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…