Ndërkohë që ka nisur fushata e vaksinimit për koronavirusin thuajse në të gjithë botën, shumë shtete po hasin vështirësi për të siguruar dozat e nevojshme, por edhe për të kryer këtë operacion gjigant të imunizimit të popullsisë, me qëllim frenimin e përhapjes së Covid-19. Por, një shembull i mirë sesi realizohet vaksinimi masiv i popullatës vjen nga arkivat amerikane, saktësisht nga Nju-Jorku i vitit 1947, ku më shumë se 6 milionë persona u vaksinuan praktikisht “brenda natës”, duke frenuar përhapjen e një tjetër epidemie, shumë më vdekjeprurëse sesa ajo e Covid-19.
Në shkurt të atij viti, virusi i lisë mbërriti në Nju-Jork nga Meksiko Siti, përmes biznesmenit amerikan Eugene Le Bar. Por brenda 1 muaji, përmes një bashkëpunimi të autoriteteve federale dhe shtetërore, u arrit imunizimi i të gjithë banorëve të qytetit. Si rezultat, edhe pse virusi ishte tepër ngjitës dhe vdekjeprurës, nga sëmundja humbën jetën vetëm 2 persona, vetë Le Bar dhe një tjetër.
“Ajo që ndodhi ishte pikërisht ajo që duhet bërë gjatë një pandemie, informim i shpejtë, bashkëpunim mes autoriteteve dhe vaksinim vullnetar i popullsisë”, thotë Judith Leavitt, profesore e historisë së mjekësisë në Universitetin e Uiskonsin-Madison.
Kur Le Bar dhe bashkëshortja mbërritën në Nju-Jork ai kishte nisur të shfaqte disa simptoma të sëmundjes, por gjithsesi mori një dhomë hoteli dhe qëndroi disa ditë për të vizituar qytetin. Por, më 5 mars gjendja e tij u rëndua dhe pasi u shtrua në spital, ndërroi jetë 5 ditë më vonë. Sipas të dhënave të kohës, mjekët fillimisht e përjashtuan linë, por më vonë, duke u bazuar edhe dy raste të tjera të ngjashme, u konfirmua më e keqja.
Të gjithë punonjësit dhe pacientët e spitalit u vaksinuan, si edhe të gjithë personat që kishin qëndruar në hotelin e Le Bar. Por virusi tashmë ishte përhapur. Më 4 prill, Shërbimi i Shëndetit Publik u njoftua për atë që po ndodhte dhe menjëherë u hartua plani për vaksinimin masiv. Të gjitha mediat – gazeta, radio dhe televizione – njoftonin vazhdimisht njerëzit për t’u vaksinuar, ndërsa kompanitë e prodhimit të vaksinave nisën punën pa ndërprerje, 24 orë në ditë, për të siguruar sasinë e nevojshme.
650 mijë doza u dorëzuan menjëherë, ndërsa qindra mijëra të tjera mbërritën në qytet përmes ushtrisë. Më 21 prill, vaksinën e mori edhe presidenti Harry Truman, sipas raportimeve të mediave të kohës. Pavarësisht vështirësive, për më pak se një muaj, 6 350 000 njujorkezë u vaksinuan, më shumë se 5 milionë brenda dy javësh.
Para vitit 1947, epidemia e fundit e lisë në Nju-Jork kishte ndodhur në vitin 1875, ku sipas raportimeve kishin humbur jetën rreth 2 mijë banorë. Lija (për të mos u ngatërruar me linë e dhenve) përhapej shumë lehtë, vetëm me një prekje, kollë ose teshtimë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm në shekullin XX kjo sëmundje i ka marrë jetën 300 milionë personave. Po sipas OBSH, ky është i vetmi virus i zhdukur nga qarkullimi në historinë e njerëzimit, zyrtarisht në vitin 1980, edhe pse rasti i fundit i regjistruar ka ndodhur në vitin 1977.
Çdo katër vjet, planeti duket sikur ndalon për një muaj. Rrugët boshatisen, ekranet mbushen me…
Robin Hudi nisi si një traditë gojore në shekullin XII, përpara se të shndërrohej në…
Reaksioni nuk shfaqet menjëherë, prandaj shumë pacientë nuk e lidhin atë me atë që…
Nëse ju duket se mushkonjat ju zgjedhin gjithmonë ju si objektivin e tyre kryesor,…
Shalqiri, i cili është ngrënë nga njerëzit për 5,000 vjet, është i njohur jo…
Temperaturat e larta të verës rrisin rrezikun e dehidratimit, ndaj ekspertët këshillojnë konsumimin e…