Mark Honigsbaum – The Guardian
Më 7 shtator 1854, në mes të një epidemie të furishme kolere, mjeku John Snow iu drejtua bordit të kujdestarëve të famullisë së St James me kërkesën për hequr dorezën nga një pompë uji publike në Broad Street në Soho të Londrës. Snow kishte konstatuar se 61 viktima të kolerës kishin nxjerrë kohët e fundit ujë nga pompa dhe arsyetoi se uji i ndotur ishte burimi i epidemisë. Kërkesa e tij u pranua dhe, edhe pse do të duheshin edhe 30 vjet të tjera që teoria e mikrobeve të kolerës të pranohej, veprimi i tij i dha fund epidemisë.
Ndërsa përshtatemi me një raund të ri të kufizimeve të koronavirusit, do të ishte mirë të pranojmë se Boris Johnson dhe Matt Hancock kanë një pikë të ngjashme përfundimtare për Covid-19. Për fat të keq, historia sugjeron që epidemitë rrallë përfundojnë siç përfundoi epidemia e kolerës në 1854. Krejt e kundërta: siç vërejti historiani social i mjekësisë Charles Rosenberg, shumica e epidemive “çojnë drejt mbylljes”. Kanë kaluar 40 vjet nga identifikimi i rasteve të para të SIDA-s, për shembull, megjithatë çdo vit 1.7 milion njerëz infektohen me HIV. Në të vërtetë, në mungesë të një vaksine, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk pret shumë para vitit 2030.
Sidoqoftë, ndërsa HIV vijon të jetë kërcënim biologjik, ai nuk frymëzon asgjë si frika që ngjalli në fillim të viteve 1980, kur qeveria Thatcher nisi fushatën “Mos vdis nga injoranca”, e mbushur me imazhe të frikshme të gurëve të varreve. Në të vërtetë, nga këndvështrimi psikologjik, mund të themi se pandemia e AIDS përfundoi me zhvillimin e ilaçeve antiretrovirale dhe zbulimin se pacientët e infektuar me HIV mund të jetonin me virusin edhe në moshë të thyer.
Deklarata Great Barrington1, që mbron përhapjen e kontrolluar të koronavirusit në grupmoshat më të reja së bashku me mbrojtjen e të moshuarve, godet një dëshirë të ngjashme për të dëbuar frikën e Covid-19 dhe për të sjellë narrativën e mbylljes së kësaj pandemie. E nënkuptuar në deklaratën e nënshkruar nga shkencëtarët në Harvard dhe institucione të tjera është ideja se pandemitë janë po aq sociale sa fenomenet biologjike dhe se, nëse do të ishim të gatshëm të pranonim nivele më të larta të infeksionit dhe vdekjes, do të arrinim imunitetin e tufës më shpejt dhe do të ktheheshim në normalitet më shpejt.
Por shkencëtarë të tjerë, që shkruajnë në “Lancet”, thonë se strategjia e Great Barrington mbështetet në një “mashtrim të rrezikshëm”. Nuk ka prova për “imunitet të qëndrueshëm” ndaj koronavirusit pasi ndodh infeksioni. Në vend që t’i jepet fund pandemisë, argumentojnë ata, transmetimi i pakontrolluar te të rinjtë mund të rezultojë thjesht në epidemi të përsëritura, siç ishte rasti i sëmundjeve të tjera infektive para zbulimit së vaksinave.
Nuk është rastësi që ata e kanë quajtur peticionin e tyre rival “memorandumin e John Snoë”. Veprimi vendimtar i Snoë-it në Soho mund t’i ketë dhënë fund epidemisë së vitit 1854, por kolera u rikthye në 1866 dhe 1892. Vetëm në vitin 1893 filluan provat e para masive të vaksinës së kolerës në Indi, gjë që bëri të mundur vënien nën kontroll të sëmundjes. Pika kryesore e këtyre përpjekjeve erdhi në 1980 me çrrënjosjen e lisë, sëmundja e parë dhe ende e vetmja që u eliminua plotësisht. Sidoqoftë, këto përpjekje kishin filluar 200 vjet më parë me zbulimin e Edward Jenner në 1796 se mund të krijohej imunitet kundër lisë me një vaksinë të bërë nga e njëjta familje virusi.
Me më shumë se 170 vaksina për Covid-19 në zhvillim, mund të shpresojmë se kësaj here nuk do të na duhet të presim kaq gjatë. Sidoqoftë, profesor Andrew Pollard, i cili po udhëheq provat klinike të vaksinave të Universitetit të Oksfordit, paralajmëron se nuk duhet të presim rezultate në të ardhmen e afërt. Në një seminar në internet javën e kaluar, Pollard tha se koha më e shpejtë për një vaksinë në dispozicion ishte vera 2021 dhe edhe atëherë, vetëm për punonjësit shëndetësorë të vijës së parë. Konkluzioni është se “mund të na duhen maskat deri në korrik”, tha ai.
Mënyra tjetër se si mund të luftohet pandemia është një sistem i mirëfilltë gjurmimi dhe testimi. Pasi të mund ta ulim normën e riprodhimit nën 1 dhe të sigurohemi që të mbetet në atë nivel, çështja e distancimi social bëhet e panevojshme.
Sigurisht, disa masa lokale mund të jenë të nevojshme herë pas here, por nuk do të ketë më nevojë për kufizime momentale shtesë,në mënyrë që të parandalohet mbingarkesa e sistemit spitalor. Në thelb, Covid-19 do të bëhej një infeksion endemik, si gripi ose ftohja e zakonshme, dhe do të zbehej me kalimin e kohës. Kjo është ajo që duket se ka ndodhur pas pandemive të gripit në vitin 1918, 1957 dhe 1968. Në secilin rast, gati një e treta e popullsisë së botës ishte infektuar, por megjithëse numri i vdekjeve ishte i lartë (50 milion në pandeminë 1918-19, rreth 1 milion secili në ato të 1957 dhe 1968), brenda dy viteve pandemitë u shuan, ose sepse u arrit imuniteti i tufës ose për shkak se viruset humbën virulencën.
Skenari më i keq është që Sars-CoV-2 të mos zbehet, por të kthehet përsëri, disa herë. Ky ishte rasti i Vdekjes së Zezë, në shekullin e XIV, sëmundje që shkaktoi epidemi të përsëritura evropiane midis 1347 dhe 1353. Diçka e ngjashme ndodhi në vitet 1889-90 kur “gripi rus” u përhap nga Azia Qendrore në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Megjithëse një raport i qeverisë angleze dha 1892 si datën zyrtare të mbarimit të pandemisë, në të vërtetë gripi rus nuk u zhduk kurrë. Në vend që të zhdukej, ai u bë përgjegjës për valët e përsëritura të sëmundjes gjatë gjithë viteve të fundit të mbretërimit të Mbretëreshës Victoria.
Edhe kur pandemitë përfunojnë, megjithatë, historia sugjeron që ato mund të kenë efekte të qëndrueshme kulturore, ekonomike dhe politike.
Vdekjes së Zezë, për shembull, i atribuohet nxitja e kolapsit të sistemit feudal dhe lulëzimi i një obsesioni me imazhet e botës së nëndheshme. Në mënyrë të ngjashme, murtaja e Athinës në shekullin e V para Krishtit thuhet se shkatërroi besimin e athinasve te demokracia dhe hapi rrugën për instalimin e një oligarkie spartane të njohur si Tridhjetë Tirantët. Edhe pse spartanët u dëbuan më vonë, Athina kurrë nuk e rifitoi besimin e saj. Nëse Covid-19 do të ketë të njëjtin efekt politike për qeverinë e Boris Johnson, këtë vetëm koha mund ta tregojë.
Mark Honigsbaum është lektor në City University of London dhe autor librit “Shekulli Pandemik: Njëqind vjet panik, histeri dhe arrogancë”
1Deklarata Great Barringtonit është një propozim i shkruar dhe firmosur në Institutin Amerikan për Kërkime Ekonomike në Great Barrington, Massachusetts në 4 tetor 2020. Ajo mbron një “qasje alternative të shëndetit publik” të bazuar në rreziqet nga pandemia COVID-19 që përfshin “mbrojtje të përqendruar” të atyre që janë më në rrezik dhe kërkon të shmangë ose minimizojë “dëmin social” të bllokimit. /mekulipress /InforCulture.info
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…