ANILA DEDAJ/Në qendrën historike të qytetit të Vlorës, në lagjen e famshme “Muradie”, një ekspozitë fotografie dhe arkivore, si dhe libra dedikuar Luftës së Njëzetës, bënë që vëmendja të kthehej një shekull pas, në një nga ngjarjet më vendimtare të historisë së Shqipërisë.
Teatri “Petro Marko” dhe universiteti “Ismail Qemali” pritën më tej 25 kumtues nga i gjithë vendi në kuadër të konferencës shkencore të mbajtur për 100-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës, organizuar nga Akademia e Shkencave.
Kryetari i këtij institucioni, Skënder Gjinushi, gjatë fjalës së tij e konsideroi si një detyrim të përhershëm të historiografisë shqiptare, që t’u jepet vendi i merituar epokave më të lavdishme të historisë sonë e ngjarjeve madhore që kanë përcaktuar ekzistencën e identitetin tonë.
“Në Luftën e Vlorës populli ynë evidentoi ndër cilësitë më të vyera të tij si një popull me ndjenja kombëtare të përparuara: tiparin e tij si një popull liridashës, luftarak dhe trim; ndjenjën e fortë kombëtare të mishëruar ndër shekuj dhe veçanërisht gjatë Rilindjes Kombëtare dhe lëvizjes për pavarësi; aftësinë e tij për të reaguar në mënyrën e duhur në momentet kryesore historike siç ishte Lufta e Parë Botërore; formimin e plotë të ndërgjegjes kombëtare dhe krijimin e një elite të nevojshme politike me aftësinë për t’u vetëqeverisur e për të mbrojtur lirinë e sovranitetin e vendit”, u shpreh ai.
Historianët trajtuan tema si “Politika italiane ndaj Shqipërisë në Konferencën e Paqes 1919-1920”, “Preludi i Luftës së Vlorës – tre muaj të sfidave të mëdha”, “Lufta e Vlorës në debatet politike të Romës më 1920”, “Impakti i Luftës së Vlorës në zhvillimet e brendshme në Shqipëri” etj.
Akademiku Pëllumb Xhufi, ndërsa referoi për “Ngjarje që çuan në epopenë e Vlorës”, u ndal te Konferenca e Paqes në Paris, si një nga momentet kyçe, që do të paralajmëronte lakminë e vendeve fqinje për të pushtuar Shqipërinë. Italia që kishte qenë një vend ndihmës për Shqipërinë, siç shprehet akademiku, shumë shpejt do të kthehej në një makth, duke kërkuar me këmbëngulje zbatimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës.
“Perandoria e së drejtës dhe epoka e drejtësisë universale, që Presidenti Amerian Woodrow Wilson kishte synuar, dukej se ishte larg për Shqipërinë, që pas Luftës së Parë Botërore, gjendej në udhëkryq, me një pavarësi të kushtëzuar, ku shumë të drejta vareshin nga autoritete jashtë vendit. Franca dhe Britania e Madhe po ashtu, duket si i kthejnë shpinën vendit tonë”.
“Këta kishin vendosur të mbështetnin në mënyrë të pakushtëzuar rivendikimet tokësore të klientëve të tyre ballkanikë”, thotë Xhufi, ndërsa tregon më tej gatishmërinë e tyre të plotë për t’i dhënë Shqipërinë e Jugut, Greqisë, pavarësisht se shumica e popullsisë ishte shqiptare. Në kushte të tilla, vlonjatët dhe mbarë shqiptarët morën fatin e trojeve të tyre në dorë. Ata ishin të vendosur që Vlorën të mos e dorëzonin në duart e pushtuesve italianë. 3 muaj beteja të njëpasnjëshme, derisa në 3 shtator të vitit 1920 forcat shqiptare hynë fitimtare në qytetin e Vlorës duke i detyruar pushtuesit italianë të largoheshin, jo vetëm nga rrethi i saj, por edhe nga qytete të tjera si Saranda, Durrësi e Shëngjini./ Panorama.al /InforCulture.info
BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…
HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…
Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…
Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…
Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…
Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…