Është quajtur ndryshe edhe Sahati i Inglizit, për shkak se ka qenë rezidencë e lordit anglez Paget. Përpara se të ngrihej ajo ndërtesë që është sot, në vendin që dikur kishte qenë kënetë, ishte shtëpia e Domnorëve, të cilët u shpronësuan nga qeveria turke.
Arratisja nga Mali i Zi për në Shkodër i një kundërshtari politik të Knjaz Nikollës, bëri që me ndërhyrjen e Beroviqit (atëherë anëtar i këshillit administrativ) tek valiu i qytetit, shtëpia t’i jepej malazezit, të cilit, po me ndërhyrjen e valiut, i erdhi falja nga vetë krajli i Malit të Zi.
Pas rikthimit në atdhe të disidentit Mercariç, gjysma e shtëpisë së Domnorëve iu shit lordit Paget, ndërsa pjesa tjetër iu fal, nga qeveria, malazezit Bozho Mikashiq. Qeveria turke ia bëri këtë dhuratë malazezit për motive politike, ngase vëllai i Bozhos, Todor Kadiqi kishte vrarë në Kotor knjazin Danilo Petroviç më 1860. Nga ana e tij, Bozho ia ktheu nderën turqve duke udhëhequr ushtrinë e tyre në luftën e Tivarit më 1876, ku dhe u vra e u soll me nderime në Shkodër.
Pas vdekjes së Bozhos, krejt shtëpia iu shit anglezit Paget, i cili menjëherë planifikoi rindërtimin e saj në stilin e një kështjelle mesjetare – aspak bashkëkohore – por unikale në krejt qytetin e ri të Shkodrës.
Por cili ishte misioni i vërtetë i Peget -it në metropilin verior? Vërtet ai e kishte blerë dhe rindërtuar këtë kështjellë të vogël vetëm për të dimëruar ngase i pëlqente gjuetia, apo tjetër mision fshihej pas pasionit të tij të çmendur për relike të vjetra, të cilat ua blinte shkodranëve për “pare buke”?
Në librin, të cilit po i referohemi gjerësisht në hartimin e këtij shkrimi, autori Hamdi Bushati, thekson: “Ardhja e lordit Paget si “villegiator” në Shkodër dhe veprimet e tij tregojnë se ai qe i ngarkuem edhe me mision politikp-fetar, si agjent i përhapjes së protestanizmit në Shqipni me qendër Shkodrën.
Lordi, në shtëpinë që ndërtoi, sallonin e madh e përshtati në stilin oriental, me tavan të daltuem, me trapazan e të ndame të tjera, tue e përgatitë me qëllim faltoreje, në gjasim të kishave e të kapelave protestane; kulla e sahatit njëkohësisht do të shërbente për të rrahë kumbonën në orarin e liturgjisë. Me fjalë të tjera, lordi Paget kishte marrë nismën për themelimin e një kishe anglikane në qytetin tonë. Mbasi ndërtoi shtëpinë dhe e bani të përshtatshme për faltore, nisi të propagandojë për me tërheqë besnikë për fenë e re.
Ai paguente me të holla disa aventurierë katolikë, tue iu dhanë nga tre napolona në muej. Në lakmi të pares filluen të grumbullohen pranë lodrit anglez, i cili iu shpërndante broshura të ritit protestan.
I quejtuni Ndrekë Protestani, gjallë deri vonë, qe një renegat nga ata frekuentuesit e predikimeve të Pagetit. Veprimet e lordit nuk patën sukses, sepse në një anë ndjekësit renegatë filleun të paksoheshin, në anë tjetër protestat e klerit katolik të këtueshëm si dhe demarshet e konsullit austriak, si mbrojtës i katolikëve në Shqipni, penguen rrymën fetare të lordit Paget.
Si rezultat i protestave të masipërme, qeveria osmane ndërhyni kundër veprës së lordit; shtëpia e lordit mbeti vetëm si banesë e tij. Si aneks i kësaj shtëpie ka qënë edhe një pronë e gjanë, që zgjatej deri në qoshe të rrugës së MAPO-s së sotme industriale, bashkë me shtëpinë ku ka pasë rezidencën konsullata franceze.
Në kohën e Luftës së Parë Botnore, atëherë kur serbët po ndiqeshin nga gjermanët dhe një pjesë e asaj ushtrie të dështueme ra nepër Shkodër, erdhi Pageti në Shkodër bashkë me gjeneralin Filips, ish-guvernatorin e Shkodrës në periudhën e Komisionit Ndërkombëtar në vitin 1913.
Thuhet se shtëpinë e tij te sahati lordi ia dhuroi një oficeri anglez të regjimit të Zogut. Oficeri i përmendun ua shiti tregtarëve vëllazën Salih Mehmeti për 40.000 fr.ar. të dyja shtëpitë, bashkë me hinterlandin e tyne, që në vitin 1930.” Pra, misioni i vërtetë i lordit anglez ishte përhapja e protestanizmit.
Me këtë qëllim ai dhe ndërtesën nga brenda e projektoi si të përshtatshme për t’u kthyer në rastin më të parë në kishë. Edhe kulla, që prej të gjithëve njihet si kulla e sahatit, (Sahati i Inglizit), nuk është tjetër veçse një kullë e duhur për këmbana.
Por kur e pa se qëllimi i tij ishte tepër larg, Paget solli nga Anglia një sahat të madh me tre fusha, rrahjet e të cilit në orët fiks dëgjoheshin në thuajse gjithë kthinat e Shkodrës.
Pak vite pas çlirimit të vendit, ndërtesa kështjellë në qendër të Shkodrës iu kalua Muzeut Historik të Qytetit, ndërsa kullën e sahatit e morën MKZ -të (Mrojtja kundër zjarrit). Me këtë rast, edhe sahati u hoq, për t’u vendosur ndoshta në Tiranë, – si shumë objekte të tjera.
Aktualisht, pre afro tre vitesh, Muzeu Historik i Qytetit është shpërngulur nga ish-rezidenca e lordit anglez, ngase kjo pronë iu rikthye pronarëve të mëvonshëm, dhe u vendos në shtëpinë muze të Oso Kukë Shkodranit.
Marre nga http://www.shkoder.info/InforCulture.info
Familja Kastrioti me të drejtë ka zënë një vend të gjerësishëm në historinë shqiptare, duke…
Përshkrimet në superlativ për Shqipërinë dhe shqiptarët janë të pafundme. Interesimi i të huajve për…
Këtë foto të huajtur nga Micky Haxhiislami postuar në grupin “Albanian Vintage Photography, people, cities,…
Shkaqet e kancerit kanë mbetur të pakapshme, duke e bërë të vështirë zhvillimin e…
Tatuazhi është një formë e artit dhe shprehjes personale që ka ekzistuar për mijëra…
Shenjë delikate në këmbë që mund të nënkuptojë një sulm në zemër, paralajmëron mjeku…