Shekujt 18-të e 19-të ishte koha kur krijuesit në Evropë kishin shfaqur një interesim të shtuar për shqiptarët, sepse ata që ishin konsideruar si skithët e Perandorisë, tashmë kishin intensifikuar luftën kundër saj dhe kërkonin më shumë autonomi për pashallëqet e tyre.
Personalitetet e njohur nga radhët e shqiptarëve u bënë personazhe romanesh, si Halil Patrona e Ali Pashë Tepelena në romanet e njohura të shkrimtarit hungarez, Joki Mor dhe objekte portretesh të piktorëve më në zë të kohës. si: Jean-Baptiste van Mour, Cornelis Calkoen, Eugene Delacroix, Edward Leer e shumë të tjerë, të cilët me pikturat dhe tablotë e tyre kishin mahnitur shikuesit evropianë dhe kishin nxjerrë në dritë pamjet madhështore të personazheve shqiptare, portrete trimash e trimëreshash, tablo nga jeta e shqiptarëve në Ballkan e më gjerë Në gjysmën e dytë të shekullit 19-të në botën e pikturës ballkanike dhe evropiane veçohet piktori i famshëm me origjinë serbe, Paja Jovanoviq, i cili me imagjinatën e tij dhe mjeshtërinë e artistit i dha një dimension realist pamjeve e tablove të jetës shqiptare në Ballkan.
Piktori dhe portretisti serb, Paja Jovanoviq, ( në Austri i njohur si Pol Jaonoviq) ishte njëri ndër artistët më të mëdhenj të artit figurativ të kohës së tij, ndërsa pa dyshim më i madhi ndër serbët. Është i njohur sidomos me tablotë e tij të pasura të pasqyrimit në koloritit të popujve të Ballkanit e veçmas të shqiptarëve. Disa nga tablotë e tij janë kryevepra të artit figurativ.
U lind në qytetin e Vërshacit, në Serbi, në vitin 1859. Ishte djali i parë i fotografit të njohur të qytetit, Stefan Jovanoviq dhe nënës Ernestina, nga Temishvari me origjinë franceze. Qysh i ri i vdes nëna ndërsa babai martohet me italianen, Maria di Ponti.
Në fëmijëri shfaq interesim për të vizatuar, që ishte e kuptueshme për faktin se babanë e kishte fotograf. Vizatonte tinës, duke kopjuar vizatimet kishtare, të cilat kishin ushtruar ndikim në angazhimin e tij të mëtejmë. Në moshën 14-vjeçare zbulohet befas talenti i tij dhe dërgohet në Vjenë, për t’u regjistruar në Akademinë e Pikturës. Meqë ishte i ri në moshë dhe nuk e kishte kryer shkollimin e duhur paraprak, i duhet të kryejë shkollën e vizatimit te profesori austriak, Maholc. Përnjëherë dallohet në mësime si nxënësi më i mirë i kësaj shkolle.
Në vitin 1877 regjistrohet në Shkollën e përgjithshme të Akademisë së Vjenës dhe qysh në tetor të atij viti fiton të drejtën e studentit të rregullt. Vazhdon studimet te pedagogu i njohur pikturës, Kristian Gripenkel ( 1839-1916). Studimet e rregullta në pikturë i ka kryer në vitin 1880. Më pas kryen edhe studimet speciale për pikturën historike, në klasën e mjeshtërve te profesori, Leopold Karl Muller, i njohur me pikturat e tij të motiveve orientale, sidomos të Egjiptit. Paja Jovanoviq, asokohe ishte studenti më i dalluar i tij.
Si student i Akademisë së Vjenës i jepet mundësia edhe të vizitojë vende të ndryshme në Ballkan, si në Bosnje e Hercegovinë, në trojet e Shqipërisë, në Mal të Zi e Serbi. Nëpër këto vende ka bërë edhe pikturat e para të shquara me motive nga jete e përditshme, nga tradita dokesore e popujve, kënga, vallëzimi, veshjet, armët e reliktet e ndryshme.
Janë të njohura pikturat dhe tablotë e tij të shumta nga jeta e shqiptarëve, e sidomos piktura e mirënjohur “Shqiptari” (Arnaut). Shqiptari me çibuk, Shqiptarët akuzojnë tradhtarin, Tradhtari, Loja e gjelave, Pajtimi i gjaqeve, Prita, Shpërngulja e serbëve dhe shumë e shumë piktura të tjera.
Thuhet se gjatë jetës së tij të gjatë, gati një shekull, Paja Jovanoviq ka pikturuar rreth 4000 tablo e piktura, nga to deri tani janë zbuluar vetëm disa qindra. Ishte përfaqësues tipik i realizmit akademik në krijimtari.
Me të drejtë mund të dyshohet se një pjesë e pikturave të tij fshihen në Serbi, apo në Galerinë e Vjenës dhe nuk i jepen opinionit, pikërisht për shkak të motiveve të shumta të jetës shqiptare, motive këto që mbizotërojnë në pjesën më artistike të krijimtarisë së tij. Është i njohur fakti se zyrtarët serbë në Beograd kishin fshehur fotografitë e fotografit hungarez, Jozef Sekelj të cilat pesë vjet më parë i kishte zbuluar historiani i mirënjohur Robert Elsi, tani i ndjerë.
Një shembull konkret është shfaqur në retushimin e tablosë historike “Shpërngulja e serbëve” ku piktura origjinale e Paja Jovanoviqit është serbizuar, duke u retushuar. Po të vendosen të dyja pikturat përballë shihet se retushuesit e kanë serbizuar tablonë duke hequr shumë nga kësulat e shqiptarëve, madje edhe uniformat e ushtarëve austriakë dalin të jenë retushuara në uniforma të kozakëve e ushtarëve sllavë.
Janë të shumta përpjekjet e studiuesve e gazetarëve serbë, për ta mohuar përkatësinë e motiveve shqiptare të Paja Jovanoviqit me arsyetim se veshja me tirq, kapelë të bardhë, shokë, xhurdi, armë e opinga paskan qenë veshje ballkanike me elemente vllahe, shqiptare e greke. Realisht edhe mund të ketë pasur një përzierje të disa elementeve të veshjeve, por veshja tradicionale e shqiptarëve është evidentuar qysh në mesjetën e hershme dhe si e tillë ajo u ka shërbyer model veshjeve të popujve të Ballkanit e më gjerë. Tirqit me material të leshit të përpunuar i njohur si zhgun, pastaj të qëndisura me gajtanë kontrasti, tirq të bardhë e gajtanë të zi, apo tirq galanë me gajtanë ngjyrë kafe, kapela e bardhë, ( plisi) shalli mbi kapelë, shoka e kuqe, kanë mbijetuar deri në ditët tona në të gjitha viset shqiptare sidomos të Shqipërisë së mesme veriore e verilindore.
Paja Jovanoviqi, nëse gjykojmë sipas krijimtarisë së tij nuk duket të ketë qenë fare i rënduar me shovinizëm, as duket të ketë qenë ndonjë urrejtës i shqiptarëve si shumë e shumë bashkatdhetarë të tij. Ai thjesht ishte një artist i madh, për mendimin tim piktori më i madh dhe më i njohur i Ballkanit, i kohës, i cili në tablotë e tij më shumë se asnjë piktor tjetër paraqiti dhe bëri të pavdekshëm koloritin ballkanik, me tablo e motive shumë të pasura të të gjithë popujve të Ballkanit, edhe pse duhet pranuar hapur se motivet e tij më të preferuara kanë qenë motivet shqiptare, veshja, doket, Besa, Besëprerja, ndëshkimi i tradhtisë, karakteri luftarak i shqiptarit, shpirti i sakrificës e të tjera. Të gjitha këto elemente i gjejmë të pasqyruara në tablotë e pikturat e tij, ashtu sikur gjenden edhe sa e sa motive nga historia serbe, nga mitologjia serbe, por edhe nga ajo malazeze, hercegovase etj.
Janë shumë të njohura tablotë nga historia e Serbisë si: Kurorëzimi i Dushanit, Mihailo Pupin, Stefan Deçani, Mbreti Millutin, Aleksander Karagjorgjeviq, Josip Broz Tito, etj.
Tabloja “Shpërngulja e serbëve” dhe retushimi i saj i mëvonshëm
Kjo tablo është motivuar nga shpërngulja e të krishterëve nga viset e Kosovës së sotme, pas vitit 1690, kur forcat austriake të ndihmuara nga forcat vendore shqiptare, serbe vllahe e të tjerë në krye me gjeneralin austriak, Pikolomini kishin humbur betejën në Shkup e në Kaçanik dhe nga frika e represionit turk ishin nisur drejt veriut të Ballkanit
Analiza e dy portreteve të shqiptarëve
Piktura “Shqiptari”, në origjinal “Arnaut” e pikturuar me një realizëm të jashtëzakonshëm, nga Paja Jovanoviq ka nxjerrë në dritë karakterin luftarak dhe stoik të shqiptarit, ka nxjerrë karakterin dhe psikologjinë e tij në fund të shekullit 19-të. Ai ishte shqiptari tipik i kohës sikur, Mic Sokolit, Sefë Koshares, Sylejman Vokshit, Ali Ibrës, Jakup Ferrit e shumë të tjerë. Tiparet e tij, fiziku i lidhur sikur i personazheve antike të Homerit, armët në brez dhe gatishmëria për sakrificë janë tërësia e derdhur me mjeshtërinë e ngjyrave e të brushës, por edhe imagjinata kreative, realiste për të bërë të pavdekshme një epokë.
Portreti i shqiptarit të vjetër, është po ashtu një krijim autentik, origjinal, i cili pasqyron stoicizmin shekullor shqiptar, qëndresën, fizikun i cili bëhet një me gurin dhe duket sikur njeri prej guri, gjithnjë i gatshëm për të sulmuar armikun atje nuk e priste. Ai ka në dorë pushkën e gjatë, pushkën arnaute, hutën e preferuar, pastaj në brez shpatën, patllaken, secilën për masë të vet.
Pa pikturat e tablotë artistike të këtij piktori të madh, perceptimi dhe imagjinata jonë për ta pasqyruar të kaluarën do të kishte qenë edhe më e varfër sesa është. Brushat dhe ngjyrat e piktorëve asokohe kanë qenë ashtu si aparati fotografik apo kamera e sotme. Pa veprat e tyre nuk do të mund të ktheheshim lehtë në pasqyrimin artistik e realist të kohëve të kaluara.
Ahmet Qeriqi, Shkurt 2015 /radiokosovaelire.com /InforCulture.info
Nga: Ilir Muharremi Portreti i Skënderbeut është realizuar me një trajtim të butë figurativ nga…
Diabeti është një nga sëmundjet në rritje në botë dhe megjithëse ka mënyra për ta mbajtur…
Më shumë se tre milionë fëmijë në mbarë botën ndërruan jetë nga infeksionet rezistente…
Ozempic është bërë sinonim i humbjes së shpejtë të peshës dhe rregullimit të sheqerit…
Kur planifikojmë një udhëtim në Evropë, shpesh priremi të zgjedhim vende si, Parisi, Londra,…
Nëse jeni duke u ballafaquar me dhimbje të veshit nuk jeni të vetmit. Dhimbja…