Isa Boletini në dosjen e Portës së Lartë

Isa Boletini, njëri nga figurat kryesore të Lëvizjes Kryengritëse Shqiptare, doli fuqishëm në skenën politike në fillim të shekullit të kaluar, atëherë kur u kërcënuan trojet tona lindore nga synimet ekspansioniste serbomëdha e bullgaromëdha, prapa të cilave qëndronte Rusia. Ky projekt nxori krye kur Perandoria Osmane u detyrua nga Fuqitë e Mëdha të pranonte hapjen konsullatës ruse në Mitrovicë (më 1902).

Projekti u konkretizua me Marrëveshjen e Myrcshtegut (23 tetor 1903), u nënshkrua nga Rusia dhe Austro-Hungaria, që më pas u mbështet edhe nga Fuqitë e Mëdha.

Rusia dhe Austro-Hungaria deklaruan se Marrëveshja lidhej për të ruajtur status quonë në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane. Në këtë kuadër parashihej të zbatoheshin “reformat” në “tri vilajete maqedone” (Vilajeti i Selanikut, i Manastirit dhe i Kosovës), për të mbrojtur “popullsinë e krishterë” (sllave).

Por nga reforma anashkaloheshin shqiptarët e dy vilajeteve (i Kosovës dhe i Manastirit), që banoheshin me shumicë shqiptare. Rusia, Franca e ndonjë fuqi tjetër u zotuan se do të

ndërrohej struktura e popullsisë së dy vilajeteve shqiptare në favor të popullsisë sllave, që u argumentua edhe me statistika të rreme të përbërjes etnike të popullsisë së këtyre vilajeteve.

Në këtë funksion u vunë në veprim edhe demografë serbë e bullgarë, si J. Cvijiqi, V. Kençevi etj., që plotësuan këtë kuadër me shifra të rreme.

Projekti sllavomadh u demaskua fund e krye nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare para opinionit të brendshëm dhe të huaj, ndërsa lajmi për hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë shkaktoi vargun e kryengritjeve shqiptare në krye me Isa Boletinin. Nga kjo kohë

ka fillin dosja e Isa Boletinit, e përbërë nga një varg dokumentesh të Shërbimit Sekret të Portës së Lartë, që gjendet në Arkivin e Kryeministrisë së Republikës së Turqisë në Stamboll.

Nga dokumentet e kësaj dosjeje mësohet se Isa Boletini ishte kundërshtar i përbetuar i “reformave”, sidomos kundër hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë.

Për këtë ai e shprehu mllefin me veprime të armatosura kundër autoriteteve vendore të zonë së Mitrovicës e më gjerë. Porta e Lartë ndërmori një varg masash për t’i penguar veprimet e tij kundër kësaj konsullate, sepse kishte marrë obligim nga Rusia dhe Franca.

Kjo vërehet në telegramin e Inspektoratit të “Vilajeteve Perandorake”, që urdhëronte komandantin e Divizionit të Mitrovicës, Shemsi Pashën që të ndërmerrte masa për të

“penguar rebelimin në Arnautlluk”, ku protagonist kryesor ishte pikërisht Isa Boletini [T. C. Başbakanlik Arşiv Genel Müdülüĝü, Istanbul, F.Dh, Mui, 9-2,46, Telegram i Inspektorit të Rumelisë, Hysen Hilmi Pashës,2 şeval 1319 (12 janar 1902)].

Për të evituar Lëvizjen Kryengritëse, valiu i Kosovës, Reshat Pasha, kërkonte nga Porta e Lartë të miratonte propozimin e tij për arrestimin e Isa Boletinit, si “bartës kryesor i trazirave në Mitrovicë e në zonën për rreth”. Mirëpo, ai tërhiqte vërejtjen se arrestimi i këtij drejtuesi të shquar të Lëvizjes Kryengritëse nuk ishte punë e lehtë, sepse ishte i pasuar nga qindra luftëtarë.

Më tej zyrtari i lartë osman tërhiqte vërejtjen se për kapjen e tij përbënte vështirësi edhe fakti se ai zotëronte “pozitën strategjike” në Boletin, dhe se kulla e tij vlerësohej “kështjellë”. Prandaj për mposhtjen e forcave të tij e të kullës kërkohej nga Stambolli të “vihej në përdorim artileria e rëndë”.

Njëherësh, për një veprim të tillë, kërkohej paraprakisht nga Kryeministria, përsëritja e urdhëresës për arrestimin e tij (që lë të kuptohej se një urdhëresë e tillë ishte lëshuar më parë nga Ministria e Brendshme).

Urdhëresa ishte e nevojshme, sipas tij, ta bënte të njohur, sidomos për qarqet diplomatike dhe opinionin e huaj, dërgimin e forcave të reja në Mitrovicë. Kërkohej njëkohësisht dërgimi i “një numri të konsiderueshëm ushtarësh, së bashku me një sasi topash”, kundër, siç shprehej, “prijësit misterioz”. Valiu radhiste katër arsyet për organizimin e ekspeditës se re kundër Isa Boletinit.

E para, sepse insistimi i tij mbështetej edhe nga komandanti i forcave osmane të Rumelisë (lexo: pjesa evropiane e Perandorisë); e dyta, se ky ishte insistim edhe i konsujve të Fuqive të Mëdha në Manastir e në Shkup, e treta, se ekspedita duhej të organizoj edhe për shkak të “ankesave të të krishterëve”, që nënkuptonte minoritetin serb në veri të Mitrovicës, që

gjithnjë manipulohej nga Beogradi e nga Moska. Në fund: valiu vinte në dukje faktin se “Isa Boletini kishte udhëhequr kryengritjen në Kosovën Veriore”, dhe vepronte në trevën e Mitrovicës po thuaj sikur të ishte qeveri” (Telegram i valiut të Kosovës, 7 korrik, 1902).

Lëvizja kundër konsullatës ruse mori karakter të kryengritjes së përgjithshme pas fillimit të punës së saj me 7 maj 1902. Fillimi i punës së saj u shoqërua me kryengritje të njëpasnjëshme, gjithnjë nën udhëheqjen e Isa Boletinit. Kryengritësit ia dolën të depërtonin deri në periferi të Mitrovicës. Ata do ta shtinin në dorë qytetin, sikur të mos pengoheshin nga artileria e rëndë osmane.

Konsulli rus, Grigorije Stepanoviç Sçerbin thuhej se u “tmerrua nga mundësia e depërtimit të rebelëve” në zyrën e tij. Kjo qe arsyeja që ky konsull u detyrua ta braktiste qytetin dhe të kalonte në konsullatën e vendit të tij në Shkup. Atje ai sajoi një varg raportesh të rrejshme mbi “dhunën e shqiptarëve” në Kosovë (“Prepiska o Arbanaskim nasiljima u Staroj Srbiji”), që makineria diplomatike ua shpërndau fuqive të tjera.

Rusia dhe Franca detyruan Perandorinë Osmane ta largonte Isa Boletinin nga Mitrovica. Largimi i Isa Boletinit nga Mitrovica, sipas dokumenteve vijuese të dosjes qe “punë e vështirë”, sepse kishte mbështetjen e “mijëra rebelëve”. Qeveritarët osmanë, në tetor të vitit 1902, patën disa takime me Isa Boletinin. Në to u diskutua si variant më i “përshtatshëm” kalimi i tij “për një kohë në Stamboll”.

Së fundi kuptohet se në bisedën që pati Isa Boletini me sekretarin e pallatit perandorak në Mitrovicë, ishte bindur të shkonte atje “bashkë me njerëzit e tij, me armatim”. Atij i garantohej se “nuk do t’i ndodhte asnjë e keqe” atje (Telegram i valiut të Kosovës, 15 tetor 1902). Megjithatë, Isa Boletini hezitoi për një kohë ta braktiste Mitrovicën. Kjo provohet me një dokument të mëvonshëm, në të cilin kërkohej të ndërmerreshin “të gjitha masat për të ruajtur konsullin rus në Mitrovicë” (Telegram Shtabit të Truparmatës së Tretë në Selanik,10/23 tetor,1902).

Në dokumentin vijues provohet se Isa Boletini pranoi të shkonte në Stamboll, pas bisedës që kishte pasur me Shemsi Pashën në Mitrovicë (Raport nga selia e Shtabit të Divizionit në Mitrovicë, 24 tetor 1902).

Nuk thuhet në dokumente si u bind Isa Boletini të shkonte në Stamboll. Duket se ai pranoi të bënte këtë meqë kishte pasur dorëzanë Beqir beun e Bihorit, njeri i oborrit perandorak.

Me gjithë largimin e Isa Boletinit nga Mitrovica, kthimin e konsullit rus në Mitrovicë e kundërshtuan me forcën e armëve pasuesit e tij, që ishin me mijëra. Qindra prej tyre u vranë nga gjylet e topave osmanë në periferi të qytetit. Atëherë u vra edhe konsulli rus nga një ushtar shqiptar. Kjo ndodhi në kohën kur Shçerbini po i komandonte topçinjtë osmanë që duhej të qëllonin në pozicionet e luftëtarëve shqiptarë. Për vrasjen e konsullit flitet në një dokument të dosjes se Isa Boletinit.

Në të vihet në dukje se ky udhëheqës i shquar e Lëvizjes Kryengritëse kishte pasur ndikimi të madh jo vetëm te kryengritësit, por edhe në radhët e ushtarëve shqiptarë të ushtrisë osmane. I raportohej Stambollit se autor i atentatit ishte Ibrahimi (Halit Ibrahim Popofci, shqiptar nga fshati Sukë i Gjilanit), që ishte dhjetar i togës së Taborit të Katërt të Regjimentit 17 të ushtrisë së rregullt osmane.

Thuhej se Shçerbini ishte qëlluar nga Ibrahimi me pushkë të tipit mauzer. Pas atentatit eprorët e Ibrahimit urdhëruan ushtarët e togës së tij të qëllonin mbi të. Ibrahimii mori plagë të rënda, u arrestua dhe më pas vdiq në burgun ushtarak të Shkupit (Telegram i shifruar nga Shkupi, dërguar zyrës kryesore për korrespodenca në Stamboll, 31 mars 1903). Konsulli rus pak para se të vdiste kishte deklaruar se ishte “viktima e parë në historinë e re serbe, për çlirimin e Serbisë se Vjetër”.

Për qëndrimin katërvjeçar të Isa Boletinit në Stamboll (1902-6), flitet vetëm në një dokument të dosjes së tij, i dalë nga këshilltari i Vezirit të Madh, në fund të dhjetorit të vitit 1905. Sipas këtij dokumenti, Isa Boletinit iu dha vendimi nga Ministria e Pyjeve, Xeheve dhe e Bujqësisë, bashkë me një ferman (urdhër) perandorak, me leje për të filluar punimet Fabrika e Gurëve të Mullinjve në Boletin, si dhe iu akordua titulli bej.

Në fund të dokumentit thuhet se Isa Boletini kishte blerë edhe çifligun nga Ali Hasani (këshilltari i Vezirit të Madh, Jakupi, 21 dhjetor 1905).

Ndonjë studiues, duke u mbështetur në fermanin e sulltan Abdyl Hamidit II, ka hedhur tezën se Isa Boletini mbështeste sulltanin dhe politikën e tij. Dihet se titulli beut në Perandorinë

Osmane jepej mbi bazën e një prone të caktuar, ose i jepej ushtarakëve dhe administratorëve të lartë. Përpjekjet për ta paraqitur Isa Boletinin si i përkëdheluri i sulltanit nuk u bëjnë ballë argumenteve.

Isa Boletini u kthye në vendlindje pas izolimit 4-vjeçar, më 1906. Në dokumentin e parë të kësaj kohe nuk vihet në dukje data e saktë e kthimit, por bëhet e ditur se Isa Boletini “i shoqëruar nga njerëz të tij” kishte “udhëtuar në Novi Pazar” (Njohtim i valiut të Kosovës, dt 3 mars 1906). Nuk thuhej se cili ishte synimi i shkuarjes së tij në atë qytet.

Nga dokumente të proveniencave të tjera është provuar se Sanxhaku i Jeni Pazarit ishte pjesë përbërëse e Lëvizjes Kryengritëse të Isa Boletinit, ku ai kishte lidhur prej kohesh miqësi me disa atdhetarë të asaj krahine.

Nga fillimi i gushtit 1908 Isa Boletini rishfaqet në dokumentet e dosjes së tij me një veprimtari të ngjeshur. Sipas informacioneve të mbledhura në terren të njerëzve të mytesarifit të Prishtinës, provohet se ai ishte vërejtur me disa bashkëveprimtarë të tij, “duke lëvizur

fshehurazi” në viset e kazasë së Vushtrrisë dhe në kazanë e Shkupit, ku po bënte “veprime antiligjore kundër shpalljes së Kushtetutës” (Raport shtesë, dt. 8 gusht 1908).

Pretendimi për ta paraqitur Isa Boletinin “luftëtar kundër Kushtetutës” bie ndesh me një dokument tjetër të dosjes së tij. Rrjedhimisht, në raportin e Hysni Hilmi Pashës thuhet se mijëra kryengritës shqiptarë të armatosur bashkë me udhëheqësit e tyre ishin afruar dy orë larg Shkupit dhe qëllim i tyre ishte të hynin në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës për të marrë pjesë në manifestimin e shpalljes së Kushtetutës, ku do të “shtronin disa kërkesa, dhe në krye të tyre ishte “rebeli Isa Boletini”.

Qeveritarët rinj osmanë që kishin ardhur në pushtet edhe me mbështetjen fuqishme të shqiptarëve, nuk lejuan masën e madhe të shqiptarëve të merrte pjesë në atë manifestim. U lejuan vetëm 60 përfaqësues të tyre (Telegram i Inspektorit të Rumelisë Dërguar Portës së Lartë, dt. 25 korrik 1908). Isa Boletini nuk pranoi të ndahej nga pasuesit e tij.

Nga dokumente të huaja dihet se Isa Boletini, ishte në radhët e drejtuesve të Kuvendit të Ferizajt (5-23 korrik 1908) dhe mbështeti telegramin që iu dërgua sulltanit nga ky kuvend për ta detyruar atë të shpallte Kushtetutën (22 korrik 1908). Konsulli austro-hungarez në Mitrovicë e cilësonte Isa Boletinin si “figurën kryesore të ngjarjeve të korrikut 1908”. Kjo provohet edhe nga dokumente të tjera.

Isa Boletini ishte ndër të parët drejtues të Lëvizjes Kryengritëse që u bind se premtimet e turqve të rinj, që u ishin dhënë shqiptarëve para se të vitin në pushtet kishin qenë farsë. Kjo bindje dëshmohet edhe nga studiuesja E. Durham, që e vizitoi atë kohë Shqipërinë, e cila e thotë se “shqiptarët që kërkuan Kushtetutën e Abdylmexhidit, ishin mashtruar” (Durham Twenty Years, fq.191-2). Për më tepër të gjithë ata shqiptarë që shfaqën aspirata të qarta kombëtare pas ngadhënjimit të Revolucionit, u sanksionuan nga regjimi i dalë prej tij. Dervish Hima u dënua me burg vetëm pse brohoriti publikisht në Shkodër “Rroftë Shqipëria” (K. Prifti, Dervish Hima).

Isa Boletini iu kundërvu me forcën e armëve edhe regjimit të turqve të rinj nga fillimi i gushtit 1908 (Raport i dt. 6 gusht 1908). Pas përleshjeve të para me ushtrinë osmane (në gjysmën e dytë te shtatorit 1908 (Telegram, 24 shtator 1908), Isa Boletini u shpall “reaksionar” dhe kundër tij u ndërmorën masa ushtarake (Raport i Truparmatës së tretë, 30 shtator 1908), por ai shoqërohej me njerëz të armatosur.

Në njoftimin e kajmekamit të Mitrovicës, Hajdar beut, që ia drejtonte Komandës së Truparmatës së Tretë, bëhej e ditur se “Isa Boletini është vërejtur në rrethinat e Pejës dhe të Mitrovicës në takime të fshehta për organizimin e kryengritjes së armatosur” (Telegram. dt. 17 tetor 1908).

Komanda e Truparmatës së përmendur njoftonte Ministrinë e Brendshme se Isa Boletini po bënte përgatitje për “aktivitete të armatosura ushtarake” (Shkresë e Truparmatës së Tretë, dt. 17 tetor 1908).

Në fakt Isa Boletini me drejtues të tjerë të kryengritjeve organizoi një mbledhje të fshehtë “për rezistencë të re kundër rendit të ri” dhe “po zhvillonte aktivitete të armatosura ushtarake (Raport,17 tetor 1908)./ Ramiz Abdyli, Koha Ditore

Inforculture.info

postbck postbck

Recent Posts

A ndihmon soda e bukës me problemet e diabetit /Disa këshilla se ku ta përdorni

  Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…

38 minutes ago

“Peshku i apokalipsit” rishfaqet në Kaliforni: shkencëtarët kërkojnë sekretet e specieve

  Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…

42 minutes ago

Zbulohen kulla kripe në tabanin e Detit të Vdekur

Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…

18 hours ago

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve në Pakistan…

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…

21 hours ago

Ditarët e panjohura të komandantit gjerman të forcave supreme: Hit’leri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri, gjenerali Badoglio dha dorëheqjen prej humbjeve…

Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…

21 hours ago

Gladiatorët ishin influencuesit e Romës së lashtë

Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e…

21 hours ago