Arkitektura shqiptare,fillimet e arkitekturës në vendin tonë

Arkitektura
Trashëgimia arkitektonike sa e larme për nga gjinitë, po kaq e hershme nga fillesa dhe e gjerë për nga kohëzgjatja, përben një pasuri të rëndësishme për historinë e popullit tonë.

Fillimet e arkitekturës në vendin tonë i shënon banesa prehistorike (deri ne shek 5 p.e.s.),e zbuluar në Dunavec (vendbanim buze-ujor palafite) që i takojnë neolitit të mesëm, dhe në Maliq që i takojnë neolitit. Banesa ndërtohej mbi një platformë druri që mbështetej mbi hunj të ngulur vertikalisht në taban. Në Dunavec janë gjetur 87 hunj të tillë të shpërndarë në mënyrë të çrregullt. Ndërtimet palafite janë përdorur nga iliret për një kohë të gjatë që përfshin edhe tërë periudhën e hekurit.

Banesat prehistorike kanë qenë tre tipash:1-Banesa të futura krejtësisht në tokë, si në Cakran –Fier ;
2-Banesa gjysmë nëntoke, përsëri në Cakran; 3-Banesë mbi tokë që është zakonisht një thineshe.
Unitet arkitektonik paraqesin edhe qendrat e fortifikuara, si në zgjidhjen e terreneve, ashtu dhe në zgjidhjen planimetrike. Duke ndryshuar funksionin nga strehime të një faze para urbane, në qendra të vërteta urbane fortifikimet pësojnë evolucion në zgjidhjet dhe format arkitektonike, si dhe në teknikën e ndërtimit. Këto ndërtime përbëjnë edhe prologun e fortifikimeve antike.

Arkitektura gjatë shekujve V-I p.e.s.
Gjate kësaj periudhe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë një përudhë lulëzimi. Arkitektura dhe Urbanistika e këtyre qyteteve janë bazuar në arritjet e arkitekturës helene po janë të lidhura me realitetin ilir,. Krahas qyteteve koloni , në territorin e Ilirisë se Jugut lindën edhe një tog qytetesh ilire si Bylisi, Amantia, Dimali, Albanopoli, Lisi etj. Ato u vendosën në kodra e maja të larta dhe rrethoheshin me mure të bërë me një teknikë të lartë. Kjo dëshmohet në ndërtimin e portave dhe të kullave mbrojtëse.

Kullat e fortifikimeve antike në vendin tonë kanë formë katrore, rrethore dhe patkoi. Në format planimetrike dhe zgjedhjen e terrenit, fortifikimet kanë një farë uniformimi si në elementet mbrojtës: kurtinat, kullat,hyrjet, të cilat i nënshtrohen një evolucioni të caktuar. Nuratura e fortifikimeve realizohej me gurë në të thatë me gurë të thyer, të latuar, dhe të parapërgatitur.

Trajtimi urbanistik i qyteteve të rrafshëta ndryshon nga ai i qyteteve në terrene të pjerrët. Nga ana tjetër, vendosja e akropolit në anë ose në mes krijon tipa të ndryshëm urbanistike.

Gjurmët e qyteteve nga planet urbanistike, dëshmojnë për një sistem të rregullt dhe të përparuar urbanistik. Ky sistem është karakteristik si për qendrat e krijuara rishtas si Antigonea, ashtu dhe për qendrat e themeluara prej kohesh si Apolonia dhe Oriku. Kjo dukuri dëshmon për një urbanistikë mjaft të përparuar në kohë, pasi themelimi i tyre përkon me fillimet e urbanistikës së rregullt romake.

Ndonëse Buthroti e ka akropolin në mes, veçoritë e terrenit kanë krijuar një skemë tjetër. Në hapësirën e krijuar ndërmjet shkëmbit të thiktë dhe murit rrethues zhvillohet qendra e qytetit, ndërsa në shpatet veriore dhe lindore përqendrohen banesat.
Hyrja në qytet është vendosur në një pozicion para se cilës hapet perspektiva e qendrës. Monumentet që përbejnë qendrën janë shëtitorja, teatri, tempujt etj.
Shkëputje të akropolit nga qyteti kanë qytetet –skela si Dyrrah dhe Aulona, sa disa gjeografë dhe historianë i quanin akropolin dhe qytetin e poshtëm si dy qytete të ndryshme.

Sistemi urbanistik ortogonal dëshmohet në Apoloni, Antigonë dhe gjatësor në Bylis dhe Dymal. Në Antigonë janë zbuluar 3 sektorë në të cilën rrugët kryesore priten me njëra tjetrën me kënde të drejta duke formuar parcela drejtëkëndesh 50m të gjata.
Banesa e formës më të zhvilluar paraqitet në Apoloni, si banesë me peristil. Në të si bërthamë qendrore shërben oborri i hapur, i cili qarkohet prej një korridori të mbuluar. Për sa i përket dekorit të brendshëm, përveç gjurmëve të dyshemesë me mozaik në banesën e Apolonisë,në Dyrrah në banesat e tjera dyshemeja shtrohet me pllaka mermeri, guri apo argjile të pjekur. Në rrënojat e një shtëpie në Durrës u gjet në gjendje mjaft të mirë një mozaik i shekullit 4-3 p.e.s. i cili është një nga mozaikët më shprehës dhe artistikë të botës dhe që quhet Bukuroshja e DURRESIT e cila ruhet ne Muzeun Historik Kombëtar .

Ndërtimet Shoqërore janë treguesit më të rëndësishëm të nivelit të arkitekturës së antikitetit.

Në Apoloni, Orik, Buthrot etj., tempujt zënë pikat më dominuese duke luajtur rol të madh në trajtimin urbanistik të qytetit. Por ka edhe raste kur tempujt janë jashtë qyteteve që të përdoren edhe nga popullsia fshatare.

Tempulli më i hershëm është ai i Artemisit në Apoloni dhe Asklepit në Buthrot. Kemi dy tipa tempujsh: me portik me 4-6 kolona në anët e ngushta dhe me kolona vetëm në ballë (me ante).

Shëtitoret. (stoa)gjatë periudhës antike qenë pjesë e pandarë e formulimit urbanistik të qytetit. Ato shquhen për anën ndërtimore dhe zgjidhjen arkitektonike dhe paraqesin galeri të mbuluara me fasadë me kolona, të hapur ndaj ambientit të jashtëm ku grumbulloheshin dhe shëtisnin qytetarët në kohë të keqe ose me diell të fortë, shpesh edhe për mësim. Prej shëtitoreve njohim atë të Apolonisë, Buthrotit, Bylisit etj.
Teatrot e kësaj periudhe njohim atë të Apolonisë, Buthrotit, Bylisit etj., të cilët kanë të përbashkët ndërtimin e shkallares në trajtë gjysmërrethi, në shpate kodrinore të përshtatur nga natyra ose dora e njeriut. Ajo që ndryshon midis tyre është madhësia që varet nga fuqia ekonomike e qendrës qytetare. Teatri më i madh është ai i Apolonisë. Prej tij janë zbuluar si pjesë të skenës, me ballin e punuar sipas stilit dorik me kolona me kalenur dhe një friz me triglife. Në gjendje të mirë ruhet edhe teatri i Buthrotit për 1500 spektatorë dhe që inkuadrohej mirë midis shkëmbit të akropolit dhe murit rrethues. Më i vogli është teatri i Nikaes për 1000 spektatorë.

Stadiumet. Gjatë shek. 3-2 p.e.s. kultura fizike pati një zhvillim të veçantë dhe u ndërtuan vepra monumentale si Stadiumi i Amantias në shek 3 p.e.s. Ky stadium ka një formë antike tipike me një pistë 184.8 m të gjatë dhe 12.25 më të gjerë dhe ruhet shumë mirë. Në njërën anë të stadiumit ka 17 radhë shkallësh dhe në anën tjetër 8 radhë të ndërtuara me blloqe gurësh gëlqerore.

Arkitektura në shekullin I-V e.s.
Në këtë periudhë vihet re se arkitektura vazhdon të ruaje tiparet e mëparshme; fortifikimet bëhen të njëjta në teknikën e ndërtimit. Por me pushtimin e Ilirisë nga Roma disa qytete kthehen në koloni si Dyrrahu, Buthroti, Bylisi, Skodra etj, ku vendosen shumë veteranë dhe tregtarë romakë.

Influenca romake në këto qendra banimi paraqitet e kufizuar, sepse romakët gjetën një arkitekturë të përparuar bashkëkohore, por teknika e ndërtimit nën pushtimin romak, arriti në një nivel shumë të lartë.

Orientimi i arkitekturës romake drejt asaj helene u ndie më shumë gjatë periudhës së mbretërimit të Augustit kur dihet që perandori nuk e la kurrë Romën ashtu siç dihet se Augusti kreu studimet e larta në Apoloni.

Nga fillimi i shekullit të VI, në periudhën e sundimit të perandorit Anastas, Dyrrahu pajiset me rrethim të trefishtë, ndërtohet një hipodrom, dhe përsoset rrjeti i kanalizimeve. Ndonëse qyteti u shkatërrua nga dy tërmete, u rimëkëmb shpejt, pasi në të ndodheshin thesaret perandorake dhe Dyrrahu qe një qendër zejtaro-tregtare e rëndësishme.

Në drejtimin urbanistik qytetet e kësaj periudhe i përmbahen kryesisht skemave të trashëguara. Kështu, në Apoloni, urbanistika e qytetit përcaktohet prej rrjetit të mëparshëm rrugor hipodamik që nuk pëson asnjë ndryshim përveç se në futjen e elementëve të rinj që i japin një pamje të re qendrës. Në formulimin e qendrës shtohen monumente të reja, si: odeoni, biblioteka, buleuterioni etj. Në Buthrot rrjeti rrugor shkon sipas izoipseve dhe objektet janë të vendosura në mënyrë të çrregullt sipas terrenit, 1/4 e të cilave qenë terma dhe nimfe që i japin Buthrotit karakterin e një kurorti bregdetar si Herkulana dhe Pompeu.

Banesat në Buthrot janë përgjithësisht me peristil, ndërsa në Apoloni është zbuluar një banesë me atrium që i përkiste shtresave të pasura, dhe e zbukuruar me mozaik.
Monumenti më i madh i periudhës antike është amfiteatri i Dyrrahut, i ndërtuar në fillim të shek. II në skajin perëndimor të rrethimit të qytetit. Në formën e eklipsit, ai ka përmasa 150m gjatësi dhe 20m lartësi. Amfiteatri shfrytëzon pjerrtësinë e terrenit për një faqe të shkallares. Arena ka forme eliptike, ndërsa shkallarja përshkohet prej galerish të mbuluara me qemer të përforcuara me nervatura mbi 2m të gjera dhe 4m të larta.
Në qendër të qytetit të Apolonisë janë gjetur monumente me vlera të veçanta si Odeoni (teatër i mbuluar) dhe BULEUTERIONI ose monumenti i Agonoteteve ku mblidhej Këshilli I qytetit. Ndërmjet Odeonit dhe Buleuteronit është gjetur edhe bazamenti i Harkut të Triumfit.

Gjurmë të bibliotekave janë gjetur në Dyrrah dhe Apoloni.

Në këtë periudhë ndërtimet termale gjenden në shumicë dhe kthehen në ambiente me karakter shoqëror. Ato kanë një trajtim të rregullt arkitektonik dhe estetik,të zbukuruar me mozaikë me vlera të rralla artistike, si banjat në Apoloni, Buthrot dhe në qendrën e Dyrrahut ku termat shquhen për një arkitektonikë të përsosur.

Ndërtimet e hershme të kultit kristian
Me lejimin nga ana e perandorit romak Konstandin të fesë krishtere në shekullin e IV-të AD, fillon në Iliri ndërtimi i një sërë monumentesh kulti që ndjekin në vija të përgjithshme skemat arkitekturale romake të shekujve të fundit që nuk mbetet prapa rajoneve fqinje, si: Italia dhe Greqia. Këto ndërtime u shtrinë në një rajon të gjerë, duke përfshirë Ilirinë nga veriu deri ne jug.

Bazilikatat ishin ndërtime me karakter shoqëror më të përshtatshme për qëllime kulti për kohën. Karakteristikë e tyre është ndërtimi me nefa ku qendrori është më i madh dhe më i lartë, dhe 2 absidat në anët më të shkurtra dhe hyrja behej nga ana më e gjatë. Brenda ka një aks gjatësor dinamik që përputhet me drejtimin e lëvizjes nga perëndimi në lindje drejt altarit.

Bazilikat në vendin tonë u mbuluan me çati me kapriata druri si influencë e lidhjeve me Romën. Më e madhja e këtij lloji në vendin tonë është ajo e Butrintit në pjesën jug-lindore të qytetit.

Ndërtimet me planimetri qendrore. Këto ndërtime përbëjnë një grup të vogël por jo më pak të rëndësishëm të ndërtimeve paleokristiane. Karakteristikë është ndërtimi rreth një ambienti kryesor me planimetri me simetri qendrore rrethore, katrore, poligonale ose bashkim të tyre. Këtu aksi vertikal mbizotëron ndaj atij gjatësor.

Baptiseri i Butrintit përbën një nga dëshmitë më me vlerë të arkitekturës dhe artit të shek V-VI, rëndësia e të cilit kalon kuadrin lokal, duke qenë më i madhi me planimetri qendrore në botën mesdhetare. Dyshemeja me formë rrethore me diametër 13.5 m është mbuluar me një mozaik shumëngjyrësh me motive kafshësh dhe gjeometrik të një vlere artistike shumë të lartë. Dy radhë kolonash graniti ngrihen mbi këtë dysheme për të mbajtur mbulesën.

Arkitektura në shekujt VII-XV
Arkitektura bizantine në Shqipëri u ngrit mbi bazën e një arkitekture Ilire paraardhëse e ndikua edhe nga faktorë të rinj dhe të ndryshëm të kohës.

Duke zënë pozitë të veçantë në trevat e perandorisë bizantine, në korridorin natyral mes lindjes dhe perëndimit, territori i vendit tonë shërbeu në periudha të caktuara si transmetues apo rrezatues i vlerave arkitektonike drejt perëndimit dhe anasjelltas. Gjatë mesjetës së hershme dhe të mesme, kemi gjini të ndryshme arkitektonike, duke filluar nga banesat, ndërtimet mbrojtëse, ato të kultit si dhe ndërtime inxhinierie.

Shumëllojshmëria e tipave si dhe niveli i lartë ndërtues, tregon se arkitektura mesjetare në vendin tonë nuk qëndron prapa asaj të vendeve fqinjë më të zhvilluara, dhe flet për kontakte të vazhdueshme me këto vende, për ndikime reciproke dhe zgjidhje arkitektonike origjinale si në elemente të veçanta ashtu dhe në formulimin e tipave.
Një zhvillim të madh pati arkitektura gjatë periudhës së konsolidimit të principatave feudale shqiptare. Një fenomen urbanistik me rëndësi që merr zhvillim të plotë në këtë periudhë, dhe që kishte të bënte me zhvillimin e qyteteve, sidomos gjatë shek. XIII-XIV, është lindja e varosheve ose lagjeve jashtë mureve rrethuese të qyteteve. Kjo dukuri shënoi lindjen dhe zhvillimin e qytetit të hapur.

Gjatë shek. XIII-XIV, me periudhën e fuqizimit të principatave arbëreshe me qendra në Petrele, Kruje, Gjirokastër etj, ndërtimet mbrojtëse patën zhvillim të dukshëm, zgjerohen dhe riparohen ato ekzistuese, dhe në disa raste rrethohen dhe varoshet.
Arritjet më të shquara në arkitekturën e kultit të krishtere, i përkasin shek. XIII-XIV. Me gjithë ndikimet nga arkitektura bizantine dhe e Evropës perëndimore, ato kanë disa veçori që i dallojnë nga të parat.

Fortifikimet mesjetare mund t’i ndajmë në qytete të fortifikuara, kështjella të ngritura si seli e feudalit, për qëllime ushtarake, si pika vrojtimi të rrugëve etj. Qytetet që lindën në mesjetë e kanë origjinën tek kështjella e feudalit, si p.sh. Petrela, Kruja, Gjirokastra etj. Në disa qytete si Shkodra dhe Kanina dallojmë tri pjesë të fortifikuara që lidhen me porta midis tyre: qytetin e poshtëm, të mesëm dhe kështjellën ku rrinte paria e qytetit. Si zakonisht kështjella qëndronte në vendin më dominues të qytetit.

Gjatë shek. XV, për shkak të luftës së madhe shqiptaro-turke, në mjaft krahina të Shqipërisë u shkatërruan qytete dhe kështjella si dhe vepra të ndryshme arkitektonike. Procesi i lindjes së qytetit të jashtëm u pengua seriozisht. Gjatë kësaj periudhe i kushtohet një vëmendje e veçantë ndërtimeve mbrojtëse që u përsosen për shkak të përparimit të mjeteve dhe mënyrave të sulmit. Të kësaj periudhe janë kështjellat e Lezhës, Petrelës, Devollit, Butrintit, Shkodrës. Durrësi në këtë kohë ka qenë tepër i fortifikuar.

Arkitektura e fortifikimeve e shek. XV-XIX
Përfaqësohet me rikonstruksionin e qendrave strategjike, si: kalaja e Elbasanit, kalaja e Prezës, kalaja e Tepelenës dhe kalaja e Vlorës si më e rëndësishmja e bregdetit.

Fortifikimet e shekujve XVIII-XIX i përket periudhës së pashallëqeve të mëdha. Kalaja e Shkodrës në fillim të shek. XVIII u meremetua nga Bushatllinjtë dhe kalaja e Beratit nga Ahmet Kurt Pasha. Midis gjithë sundimtarëve të pashallëqeve, u dallua për ngritje fortifikimesh, Ali Pashë Tepelena. Në ndërtimet e tij, Ali Pasha, përdori një numër të madh arkitektësh dhe inxhinierësh të huaj. Veç kalave që ndërtoi jashtë territorit të sotëm shqiptar, si në Janine, Prevezë, Arte Sul etj, ndërtoi shumë të tilla brenda territorit të sotëm shqiptar, si në Tepelenë, Gjirokastër, Shën Triadhe, Butrint, Libohovë, Shën Vasi, Porto Palermo, Malloha dhe Berat. Pjesa më e madhe e fortifikimeve ruhen në gjendje të mirë dhe dallohen nga teknika e ndërtimit me gurë të latuar,nga format e rregullta gjeometrike, kullat, frëngjitë për topa dhe elementet dekorative.

Ndër tiparet më karakteristike që i dallon fortifikimet e shek. XVIII-XIX, janë madhështia e tyre dhe fortësia për t’i bërë ballë artilerisë, format e rregullta gjeometrike të planimetrive, lartësia e barabartë e kullave dhe kurtinave dhe rënia me pjerrtësi e tyre në anën e jashtme, mbisundimi i formave poligonale të kullave, heqja dorë nga përdorimi i bedenave dhe krijimi i parapeteve me frëngji. Për sa i përket trajtimit të jashtëm, ato janë me gurë të latuar, trajtimi monumental i portave dhe dekoret dhëmbëshare që kufizojnë pjesën e sipërme të kullave dhe kurtinave.

Ndërtimet e Kultit Mysliman u morën nga modelet turke duke krijuar një fizionomi të tyrën vendase dhe me tipologji të fiksuar. Xhamitë grupoheshin në ato me kupole dhe ato të tipit me sallë të mbuluar me çati. Këto të fundit kanë qenë tipat e parë menjëherë pas pushtimit, duke adoptuar kishat, si në Shkodër, Kruje, Berat, Elbasan dhe Kaninë. Me interes është teknika e ndërtimit dhe strukturave të tyre, si: kupolat, qemerët, harqet e shkallëzuara nëpër dritare, teknika e ndërtimit me gurë e tulla të mureve të jashtme që përdorej rrallë në Turqi dhe që tregon për influencën e stilit vendas në këto objekte. Përdorimi i harqeve të mprehta në formë fund lundre, është një element formal që më vonë në fund të shek. XVIII, zëvendësohet me harkun rrethor që përdorej gjerësisht në arkitekturën popullore dhe në ndërtimet e kultit të krishterë.
Xhamia më komplekse është ajo e Plumbit në Shkodër e ndërtuar me 1773-1774 nga Mustafa Pashë Bushati. Ajo i ngjan xhamive të Stambollit. Vëllimi qendror, i mbuluar me çatitë e ulura trekëndëshe në qoshe ose me kupolë, prezenca e portikut, vendosja në tri radhë e dritareve janë karakteristikat kryesore të kësaj xhamie. Në anën e jashtme një rol të madh lozin dhe minaret.

Arkitektura e Kultit të Krishterë trashëgoi shumë tipare pararendësja e saj paleokristiane dhe duke filluar prej pjesës së dytë të shekullit të XVI filluan të ndërtohen kisha të vogla që vazhdojnë të ndërtohen deri në pjesën e parë të shekullit XVIII ku arrijnë edhe kulmin. Arkitektura e kultit të krishterë karakterizohet nga interpretimi i lirë i tipave dhe formave duke treguar individualitetet dhe përpjekjet e tyre për të gjetur ekspresione të reja arkitektonike.

Gjatë shekujve XVI-XIX u ndërtuan një sërë veprash të kultit të krishterë . Fillimisht ato ishin të vogla dhe me planimetri të thjeshta. Kishat me vlera të veçanta u ndërtuan në shekullin e XVIII ku spikat për vlerat e veçanta bazilika e Voskopojës.
Sipas kritereve kishat pasbizantine i ndajmë: 1 -Një nefeshe- 2-Me strukturë në formë kryqi me kupolë 3 –Bazilikat.

Kisha e Shën Kollit në Voskopojë është një nga monumentet më me vlerë që kemi trashëguar nga e kaluara. Muret e saj të brendshme janë të veshura me piktura nga kryemjeshtri i shek. XVIII, David Selenica dhe vëllezërit, Konstandin dhe Athanas Zografi.

Në të gjithë këtë larmi tipash të kishave, të përbashkët kanë theksimin e aksit të zgjatur horizontal, dhe aty ku është i pranishëm aksi vertikal. Trajtimi dekorativ karakterizohet nga volume të mbyllura, faqe të rrafshëta dhe hapësira të pakta ndriçimi.
Në këtë periudhë kemi shumë manastire. Këto ndërtime formonin një tërësi arkitektonike, ku vendin qendror e zinte kisha. Brenda një manastiri takon ndërtime me karakter të ndryshëm, por ato kanë krijuar ansamble që dallohen për një kompaktësi kompozicionale, ku çdo ndërtesë zë një vend të caktuar në saje të funksionit që përmbush. Me vlera të veçanta arkitektonike dhe ikonogtrafike janë manastiri i Ardenicës dhe i Apolonisë.
Zhvillimi Urbanistik i Qytetit Mesjetar të shek. XV-XIX.

Megjithëse pushtimi turk pati pasoja negative nga luftërat shekullore, qyteti shqiptar kishte arritur një shkallë të rëndësishme zhvillimi. Në shek. XVII qyteti shqiptar rritet dhe forcohet ekonomikisht. Të dhënat e udhëtarit Evlia Celebia, nga përshkrimet e tij, qyteti shqiptar i kohës kishte pësuar rritje të konsiderueshme, si Berati, Gjirokastra, Elbasani etj, që u ruajt dhe gjatë shek. XVIII-XIX duke marrë fizionominë e tij urbanistike, që u ruajt në tiparet themelore dhe në shekujt pasues. Gjatë shek. XVII, pazaret shndërrohen në qendra të mirëfillta shkëmbimi dhe prodhimi dhe që formojnë ansamble në formë vargu në dy rreshta. Pazaret e qyteteve në shek. XVII pajisen me kulla të larta në të cilat vendosën orë me kambanë.

Në shekullin XVIII në siluetën e qytetit fillon të spikasë faltorja me kullën e sahatit, si një ndërtim monumental që së bashku me ndërtime të tjera shoqërore, si banjat, medresetë etj, pasuron më shumë qendrën e qytetit. Por çdo lagje kishte qendrën e vet ku ndërtohej xhamia me hamam dhe çezme.

Shekulli XIX shënon një rritje të mëtejshme të qytetit shqiptar. Në çdo qytet pazari rritet si qendër prodhimi dhe shkëmbimi. Në urbanistikën e qyteteve gjatë këtij shekulli vërehet një ecuri e pa barabartë, e cila karakterizohet nga shkallët e ndryshme të zhvillimit ekonomik, p.sh. në qoftë se Elbasani, Gjirokastra dhe Berati në përgjithësi nuk ndryshojnë tiparet urbanistike, Shkodra njohu një proces zgjerimi, në zonën ku shtrihet sot, duke iu larguar kalasë e cila humb çdo funksion në mesin e shekullit të XIX. Rritje të bujshme ka dhe Korça, qendër tipike zejtaro-tregtare. Në qoftë se në Shkodër qyteti u zhvillua pa plan, në Korçë zgjerimi i tij u bë sipas një plani, duke u shkëputur nga tradita mesjetare.

Qyteti i vonë shqiptar mori tiparet themelore urbanistike nga gjysma e dytë e shek. XVII, duke zgjidhur çështjet kryesore të tij, si: shtrirjen e qytetit, vendosjen e qendrës së tij, rrjetin rrugor etj. Kjo skemë u ruajt e pa prekur në arritjet e saj kryesore.
Qyteti mesjetar klasifikohet sipas dy kritereve:
-Qytete që lidhen me fortifikimet, si Berati, Gjirokastra etj.
-Qytete që shtrihen në terrene të rrafshët ose të pjerrëta, si Tirana, Kavaja , Elbasani.
Qytetet me kështjella janë edhe qytetet më të lashta, por dhe më të zhvilluarat. Fillimisht qyteti është i lidhur me fortifikimin, por më vonë me lindjen e varosheve, qyteti shtrihet jashtë fortifikimit.

Terrenet e aksidentuara janë edhe mbrojtje natyrale. Terreni i pjerrët ka ndikuar mjaft në krijimin e ansambleve arkitektonike me orientim të detyruar, ku të gjitha ndërtimet i vishen faqes së kodrës duke krijuar ndërtime organike dhe kompakte. Ngushtica e truallit përbën një problem në këtë rast. Ndërtimet vendosen në formë vargu, si në lagjen Mangalem të Beratit ose kanë shtrirje më të lirë si në disa lagje të Gjirokastrës. Lidhja e përsosur me terrenin, rrit monumentalitetin e këtyre ansambleve.

Banesa del drejtpërdrejt në rrugë, duke marrë pjesë aktivisht në formimin e saj. Terreni ka kushtëzuar ndërtimin e banesës 2-3 katesh, e cila për vetë kompozimin vertikal dhe vendosjen në formë shkallësh, është elementi kryesor mbisundues në krejt formulimin arkitektonik. Ndërtimet e kultit humbasin në këto ansamble, duke u shkrirë me masën dinamike të ansamblit të banesave në formë shkalle që është edhe elementi më i qenësishëm arkitektonik i këtij kompozicioni.

Një karakter tjetër kanë qendrat qytetare apo lagjet në terren të rrafshët. Ndërtimet janë të rralla, me troje të mëdha dhe të rrethuar me mure të larta. Banesa shumë rrallë merr pjesë në formulimin e rrugës. Gjelbërimi i dendur shpesh mbulon banesën. Qetësia kompozicionale këtu thyhet vetëm nga ndërtimet e kultit mysliman. Ato zakonisht ndërtohen në sheshe, duke bërë më të përcaktueshme efektin e volumeve të tyre dinamike.

Në qytetin mesjetar shtresat e pasura nga ato të varfra dalloheshin nga banesa. Banesat e të pasurve ndërtoheshin në troje të përshtatshme, të gjera, plot dritë e gjelbërim, kurse shtëpitë e të varfërve në troje të ngushta dhe pa shumë dritë. Dasitë fetare janë pasqyruar gjithashtu në qytetin shqiptar mesjetar.

Në qytetet me mure mbrojtëse, rrugët kryesore zënë fill nga hyrjet e kalasë duke u shpërndarë pastaj në një mori rrugësh dytësore që ndiqnin në përgjithësi vijat e izoipseve. Por lindte nevoja edhe e rrugëve pingule me to, të cilat realizoheshin në formën e shkallëve. Një vend të rëndësishëm lozin dhe rrugët që lidhin qendrën tregtare me zonat e banimit si dhe rrugët midis lagjeve.

Në qytetet e rrafshëta, rrugët kryesore janë vazhdim i atyre që lidhin qytetin me qytetet e tjera. Në vend të rrugëve të ngushta të qyteteve shkëmbore, në qytetin e rrafshët rrugët janë më të gjera, por shpesh pa krye, të cilat shtrohen me kalldrëm.
Gjelbërimi është karakteristikë tjetër e qytetit të asaj kohe. Veçanërisht në lagjet me terren të aksidentuar, gjelbërimi bën lidhjen e ndërtimeve me trojet në mënyrë të natyrshme, duke theksuar karakterin monumental të saj.

Në gjendjen e sotme, qytetet muze të Beratit, Gjirokastrës, (të dy këto qytete mbrohen nga UNESCO) si edhe qendrat historike të Elbasanit dhe Korçës, i përgjigjen në kompozim urbanistik arritjeve të shek. XVIII-XIX.

Banesa Shqiptare
Në arkitekturën e ndërtimeve qytetare një vend të rëndësishëm zë banesa, për vetë përhapjen e gjerë dhe vlerën e realizimeve arkitektonike në të gjitha trevat e Ballkanit të banuar nga shqiptarët. Banesa pati lulëzimin e saj gjatë shek. XVIII-XIX, ku ajo dallohet për një tipologji të pasur dhe të kristalizuar, si dhe për arritje me vlera të mëdha si në fshat dhe në qytet. Lëvizja e madhe e Rilindjes Kombëtare që përkon me lindjen e marrëdhënieve kapitaliste, u pasqyrua në pasurinë e madhe të vlerave arkitektonike të banesës. Banesa qytetare dallohet në tipologji nga banesa fshatare, sidomos nga ajo e Shqipërisë së veriut. Banesa qytetare në shumicën e rasteve është banesë njëfamiljare, por rrallë hasim banesa për dy vëllezër që zhvillohen në simetri sipas një aksi.

Banesa qytetare gjatë shekujve XVI-XIX
Sipas kompozimit planimetriko-volumor. Banesa qytetare klasifikohet në 4 grupe:
-Banesa me shtëpi me vatër zjarri(banesa Tiranase)
-Banesa me hajat
-Banesa me çardak
-Kulla qytetare (banesa gjirokastrite)
Urbanistika dhe Arkitektura e qyteteve Shqiptare në gjysmën e parë të shek. XX
Kjo periudhë përkon me pushtimin austro-hungarez, pas saj me periudhën e qeverisë së Fan Nolit, vazhdon me mbretërinë e Zogut, dhe, në fund me pushtimin Italian. Qytetet shqiptare me fizionomi mesjetare fillojnë t’i nënshtrohen studimeve të mirëfillta urbanistike të realizuara nga arkitektë austro-hungarezë të cilat tentonin t’i jepnin qyteteve shqiptare pamjen e qyteteve evropiane.

Me 1920 Tirana shpallet kryeqytet i Shqipërisë dhe qeveria e Fan Nolit vendos t’i japë qytetit pamjen dinjitoze të një kryeqyteti evropian, i cili duhet të ishte njëkohësisht edhe qendër administrative. Për këtë arsye projektohet për herë të parë sheshi në qendër të qytetit (sheshi Skënderbej) ku u hodhën njollat e para të godinave qeveritare, si dhe aksi historik Veri-Jug i bulevardit të madh, në të cilin bën pjesë ky shesh, dhe që ka autor ing. Eshref Frasherin, ministër në qeverinë e Fan Nolit, së bashku me dy autorë të tjerë; njëri italian Chiaravelli dhe tjetri austriak Weiss.
Foto me projektin e Eshref FRasherit.

Mbreti Zog i dha një rëndësi të madhe planeve rregulluese të qyteteve kryesore të vendit, një pjesë e të cilave gjeti zbatim. Me 1930 në Tiranë fillon zbatimi i bulevardit të madh i quajtur bulevardi “Mbreti Zog”, dhe ndërtimi i ministrive. Gjithashtu zgjerohen rrugët kryesore të qytetit dhe përcaktohet kufiri i qytetit. Me 1931 kufiri i kryeqytetit brendashkruante një sipërfaqe prej 600 ha, dhe përcaktoheshin zonat e zhvillimit në perspektivë, si p.sh. zona industriale, e banimit, e gjelbëruar etj. Në këtë periudhë autorët e planeve rregulluese janë arkitektët austriakë, ku veçojmë arkitektin, Kohler.

Në periudhën e pushtimit nga Italia fashiste pas 1939, arkitektët italianë rishikojnë të gjitha planet rregulluese të qyteteve kryesore ose i bëjnë nga fillimi. Arkitektura dhe Urbanistika në këtë periudhë është racionale, pra e tipit fashist. Dallohet kompleksi i “sëpatës së liktorit “ në fund të bulevardit kryesor të Tiranës i përbërë nga Stadiumi, dhe dy godinat anash bulevardit. Arkitektët italianë ku veçohet ark. Gerardo Bosio, Ivo Lambertini dhe Ferdinando Poggio kanë realizuar hartimin e planeve rregulluese të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Beratit, Petrelës, Sarandës etj., në të cilat përveç arkitekturës dhe urbanistikës racionale, respektohet psikologjia dhe tradita e shqiptarit të lidhur me pronën private etj. Ato e projektuan Tiranën sipas karakterit ekstensiv me vila private, duke ruajtur zonat historike në qendër me xhaminë, teqenë, kullën e sahatit, të cilat merren si pika referimi. Planet rregulluese të qyteteve shqiptare të vitit 1942 të realizuara nga arkitektët italianë janë marrë për bazë në linjat e tyre kryesore në planet rregulluese pas çlirimit.

“Piramida” e ndërtuar si Muze për Diktatorin Enver Hoxha dhe e konvertuar me 1992 në Qendër ndërkombëtare të Kulturës, të asaj Kulture që ai, Enver Hoxha ia privoi shqiptarëve për 50 vjet të qeverisjes së tij dragoniane.

postbck postbck

Recent Posts

Autorët antik që shkruan për ilirët

H O M E R IPër emrin e Homerit, eksistimin e tij si autor dhe…

3 minutes ago

14 nëntor 1908, nisi Kongresi i Manastirit, njehsimi i alfabetit dhe përhapja e shkollave shqipe

Përhapja e gjuhës shqipe ishte një stafetë që kaloi nga Rilindja Kombëtare tek Kongresi i…

2 hours ago

1912-1913: – Okupimi serb i Durrësit dhe bartja e artefakteve në Beograd

Nga Skënder Latifi Më 23 shkurt 1913, anija ushtarake greke “Trifilia” e kishte një mision…

2 hours ago

A e dini se… në Mat gjenden 33 varre shkëmbore Ilire?

Në krahinën e Matit ndodhen 33 varre shkëmbore Ilire të shpërndara pothuajse në të gjithë…

3 hours ago

Këto janë sëmundjet që kuron qumështi i bletës

  Kërkesa për qumështin e bletës është gjithnjë në rritje, ndaj dhe bletarët janë duke…

5 hours ago

Pse stjuardesat e kanë të ndaluar t’ju ndihmojnë të vendosni valixhet në raftin sipër?!

  Për shumë pasagjerë, ngjitja e valixhes në raftin e sipërm të avionit është një…

5 hours ago