John F. Kennedy: Historia e një miti artificial

Të shtënat e armës së Lee Harvey Oswald në orët e para të pasdites së 22 nëntorit 1963 në Dallas, mbyllën epopenë e shkurtër dhe të paharrueshme presidenciale të John Kennedyt dhe vulosën mitin, i konsideruar tani nga shumë historianë një produkt mediatik, veçanërisht televiziv, i futur në të gjitha shtëpitë, dhe që JFK e përdori fillimisht si një pedanë për karrierën e tij të pandalshme dhe marramendëse.

Imazhi i atij njeriu të ri, të kulturuar, të pashëm dhe elegant ofronte vetë mishërimin e ëndrrës amerikane, atë ëndërr që zëri i tij i ngrohtë dhe bindës së bashku me parullat efektive të atyre që i shkruanin fjalimet (“Mos pyesni veten se çfarë mund të bëjë vendi për ju, pyesni veten se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj”, por edhe “Ich bin ein Berliner”, unë jam berlinez, një deklaratë e bërë në qytetin e mbrojtur nga “muri”), e shndërroi atë djalë të ri e brilant nga Bostoni, në një mit të pathyeshëm.

Magjepsja personale vlen më shumë se idetë politike

Ishte një zhvillim epokal: shfaqja e tij e papritur në skenë hodhi tutje politikën formale të viteve Pesëdhjetë dhe solli epokën e imazhit familjar dhe të hyjnizuar, ku faktorët emocionalë të përdorur me zotësi dhe magjepsja personale e udhëheqësit, mbizotërojnë ndaj ideve. Nga kjo dallgë e re u përfshi edhe më eksperti Richard Nikson, konkurrenti republikan për Shtëpinë e Bardhë në fushatën presidenciale të vitit 1960, i mposhtur nga rivali i tij në debatet televizive, jo aq shumë prej meritës se sa prej tonit, qëndrimit dhe prirjes së natyrshme për të shfrytëzuar mjetin e ri të komunikimit dhe aftësitë e tij joshëse, dke bërë që dukja të vlente më shumë se qenia, një ushtrim për të cilin Kennedy ishte përgatitur me orë të tëra trainim dhe seanca të gjata trukimi (nuk është rastësi që dalja e tij në atë debat nuk u bëri aq shumë përshtypje dëgjuesve në radio).

JFK është një prej presidentëve më popullorë të pasluftës, bashkë me Reaganin dhe Clintonin. Por jo për historianët: figura e John F. Kennedy dhe 1035 ditëve që ai kaloi në Shtëpinë e Bardhë, janë objekt i një debati prej të cilit dalin paqartësi, kontradikta dhe gabime, si për njeriun edhe për politikanin, të cilat kishin nisur që me ngjitjen e tij të pandalshme.

Në fund të viteve pesëdhjetë, JFK ishte “njeriu i ri” i politikës, d.m.th pa një të kaluar publike: ai ishte anëtar i një pakice – irlandeze dhe katolike – i huaj për establishmentin, por me ndikim: pjesë e një familje të pasur dhe të pushtetshme, që drejtohej nga një figurë e shquar, Joseph Patrick Kennedy, dhe mund të llogariste mbështetjen, përveç komunitetit irlandez të Bostonit, edhe atë të një rrjeti të fuqishëm miqësish dhe aleancash. Trashëgimtari i ambicieve politike të patriarkut mund të ishte vetëm Johni, duke qenë se djali i tij i madh Joseph Patrick Jr, kishte vdekur në luftë dhe të gjitha shpresat e klanit Kennedy, i mbartte tashmë John.

Në mesin e mbështetësve të karrierës së tij, John mund të llogariste atë të mafies së fuqishme të Çikagos, e aftë për të dhuruar “pako” të mëdha votash (me ata “miq të dyshimtë”, Joseph kishte bërë biznes të paligjshëm edhe gjatë Prohibicionizmit). Një emër, në mënyrë të veçantë, përsëritet takimeve të supozuara të patriarkut, ai i kreut të bandës italiane-amerikane, Sam Giancana, dikur shofer dhe truprojë i Al Capones, i cili më pas do të lidhej me disa teori konspirative për vrasjen në Dallas (dihet se në fund mafia u zhgënjye nga administrata e Kennedyt).

Një mbështetje sikletosëse për karrierën e një presidenti të ardhshëm, që premtonte luftë kundër korrupsionit. Kësaj i shtohet një hije asnjëherë të zhdukur tërësisht, për një simpati ndaj regjimeve naziste dhe fashiste, që ai kishte shfaqur gjatë viteve të shkollës, kur kish bërë një udhëtim të gjatë në Evropë. Një ves i familjes ky, po të kesh parasysh që i ati kish bërë emër si filohitlerian, në kohën kur ishte ambasador në Londër.

Ndër meritat e padiskutueshme të Kennedy-it të ri, është sjellja heroike gjatë luftës, kur atij iu dhanë dy medalje për vlera të shfaqura gjatë një aksioni në Paqësor, por nga ana tjetër nuk mund të injorohet se ai ishte mik dhe mbështetës i senatorit famëkeq Joseph McCarthy, një përndjekës i paepur i kujtdo që edhe dyshohej si mbështetës i komunizmit, duke përdorur metoda të stilit nazist.

Dështimet e shumta të politikës së jashtme të Kennedyt, nuk i pëlqyen krahut progresist të partisë së tij, Demokratëve, megjithatë propaganda e shndërroi atë në president liberal (vëllezërit Bob dhe Teddy u treguan shumë më liberalë se ai). Përkundrazi, ai ishte një politikan i kujdesshëm, një konservator i ndërgjegjshëm për buxhetin dhe promovues i uljes së taksave, që u bë modeli i Ronald Reagan në fushatën e tij presidenciale të vitit 1981. Shumë dritëhije, pra.

Emri i JFK u lidh gjithashtu virtualisht me lëvizjen e të drejtave civile, por politika e promovuar në Shtëpinë e Bardhë në dy vjet, duket se nuk e konfirmon këtë gjë. Nëse gjatë fushatës elektorale ai kishte fituar mbështetjen e progresistëve, që tregonin solidaritet me Martin Luther Kingun, kreun e lëvizjes afro-amerikane, i arrestuar pas një demonstrimi jo të dhunshëm, më vonë, gjatë presidencës së tij, John dëshmoi se ishte shumë i vakët në problemin e segregacionit racor, i vetëdijshëm për faktin se elektorati i bardhë i shteteve jugore përbënte një rezervuar të konsiderueshëm votash, që nuk duhej armiqësuar.

I gjithë klani Kennedy, pra, e përjetoi marshimin për të drejtat civile të organizuar nga vetë King në vitin 1963, me bezdi dhe shqetësim. Vetëm në atë pikë, presidenti vendosi, pas gati dy vjet e gjysmë nga marrja e detyrës, të paraqiste një ligj në Kongres kundër segregimit (ligji që pa dritën vetëm nën presidencën e Lyndon Johnsonit, më i bindur se paraardhësi i tij për mbështetjen e të drejtave të zezakëve).

Por është në politikën e jashtme që matet më mirë, distanca midis pacifistit Kennedy dhe presidentit i cili, pikërisht në këtë terren, pësoi humbje djegëse (Kuba) dhe u bë protagonist i vendimeve të improvizuara (Vietnami), që do të rëndonin mbi fatet e vendit. Çështjen kubane e kishte trashëguar nga administrata e mëparshme dhe “patatja e nxehtë” e pushtimit të të ishullit, ishte vendosur nga CIA nën presidencën e Eizenhouer: presidenti i ri, megjithatë, mund ta refuzonte atë, por nuk e bëri. Ishte një katastrofë që normalisht do të kishte shkatërruar menjëherë, imazhin e çdo kryetari të shtetit.

Ja se si shkoi. Pasi revolucioni i Castros mori pushtetin në Havanë, në vitin 1959, SHBA pa me shqetësim ardhjen e një qeverie socialiste, disa milje larg bregdetit të Floridës; fillimisht ata u kufizuan në veprime të zbulimit, për të studiuar armikun e mundshëm, derisa, në vitin 1961, CIA vendosi të hartojë një plan për të pushtuar Kubën dhe vendosur atje një kukull filoamerikane, siç kishte qenë udhëheqësi i rrëzuar Fulgenzio Batista. Projekti përfshinte zbarkimin në Gjirin e Derrave (hyrja në bregdetin jug-perëndimor të ishullit) të 1,400 burrave: një grup mërgimtarësh dhe mercenarësh kubanë të stërvitur në SHBA, të cilët supozohej se do të rrëzonin regjimin e Castros. Por në “Brigadën 2506”, e përbërë nga kundërshtarë të Castros, vetëm 135 zotëronin një përvojë ushtarake, ndërsa pjesa e mbetur e “pushtuesve” përbëhej nga aktivistë të gatshëm antiCastro, të mbledhur lart e poshtë.

Operacioni i improvizuar ishte një dështim kolosal, sepse mbrojtësit e Castros arritën të kthenin pushtuesit në shtëpi: në më pak se 72 orë, midis 17 dhe 19 Prillit 1961, gjithçka shkoi drejt greminës. Për Kennedyn nuk ishte vetëm dështim ushtarak, por edhe një politik. Operacioni zbuloi, në të vërtetë, se si Presidenti Demokrat improvizonte nisma potencialisht shpërthyese, pa asnjë përgatitje. Jo vetëm kaq, por ai preferoi të përdorte ndërhyrje të armatosura për të mbështetur interesat e SHBA jashtë vendit, në vend që të përdorte kanale diplomatike, siç kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore. Plus ende nuk dihej që, me të pësuar këtë goditje ideja e pushtimit, Kennedy do të vazhdonte të ndiqte idenë e eliminimit fizik të Castros me metoda të pista: një numër i pabesueshëm sulmesh, të gjitha të dështuara, nganjëherë në mënyrë groteske.

Përplasja me Hrushovin, e zgjidhur me një marrëveshje të fshehtë

Shtetet e Bashkuara përfunduan duke nxitur Lider Maximon, tashmë të trembur nga sulmi në Gjirin e Derrave i vetëdijshëm për komplotet e porositura kundër tij, që të kërkonte mbrojtje nga Bashkimi Sovjetik i Nikita Hrushovit, i cili qe i lumtur që do të mund të instalonte në ishullin e Karaibeve, një arsenal raketash atomike të drejtuara nga SHBA. Por fotot e CIA zbuluan ekzistencën e tyre dhe e zhytën botën në makthin e apokalipsit bërthamor. Përplasja e tmerrshme midis dy superfuqive u zgjidh të shtunën e 27 tetorit 1961, kur Hrushovi, duke lehtësuar botën mbarë, ra dakord të tërhiqte raketat në këmbim të premtimit amerikan për të mos e pushtuar ishullin. Versioni zyrtar i Uashingtonit shpërfaqi figurën e një Kennedy të vendosur, fitues i betejës epike, i aftë për të përkulur liderin sovjetik duke e vënë atë para një ultimatumi. Në realitet, dhe kjo do të mësohej vetëm njëzet vjet më vonë, përplasja u zgjidh me një marrëveshje të fshehtë: tërheqjen e raketave të NATO-s nga Turqia (gjë e cila ndodhi në heshtje dhe pas gjashtë muajsh për të mos rënë në sy).

Ndërgjegjësimi se kishte qenë një hap larg nga katastrofa bërthamore, megjithatë, e bëri Kennedyn t’i hapte udhë një periudhe të relaksimit me bllokun sovjetik, duke konsoliduar reputacionin e tij si një shpëtimtar i paqes. Gjë të cilën, megjithatë, ai nuk e bëri në skakierën e Azisë Juglindore. Për të mbrojtur regjimin pro-perëndimor të Vietnamit të Jugut kundër komunizmit, Kennedy rriti numrin e këshilltarëve ushtarakë amerikanë në vend, nga 700 në 16 mijë, duke hedhur bazat e atij përshkallëzimi të përfshirjes së armatosur të Uashingtonit në Indokinë, që pasardhësi i tij, Lyndon Johnson, do ta përfundonte me luftën katastrofike të Vietnamit.

Imazhi pozitiv i Kennedyt, i detyrohet shumë edhe pranisë së Zonjës së Parë, Jacqueline Lee Bouvier, një grua interesante, e kulturuar dhe e rafinuar. Edhe pse, për të nuk ishin vite të lehta: prapa retorikës së pallatit fshihej realiteti i një burri tradhëtues serial, i nxitur nga një oreks i pangopur seksual. Me kalimin e kohës dëshmitë e aventurave të tij, përfshirë ato të konsumuara direkt në Shtëpinë e Bardhë, kanë prodhuar një seri të pafund anekdotash, brenda së cilës është e vështirë të dallosh të vërtetën nga sajesat. Padyshim që biografët bien të gjithë dakord mbi marrëdhëniet me Marilyn Monroe, divën më të famshme dhe të dëshiruar në botë, një lidhje që rrezikoi të njolloste një herë e mirë figurën e JFK.

Në imagjinatën kolektive, të gjithë e asociojnë Marilyn me këngën “Happy Birthday, Mr. President”, e pëshpëritur me zë joshës nga diva gjatë pritjes solemne për ditëlindjen e 45-të të Kennedyt në Madison Square Garden, në Nju Jork. Pothuajse një rrëfim publik. Mbrëmja do të përfundonte me takimin e fundit mes dy të dashuruarve. Nga frika e skandalit, “Mr. President”, mbase i alarmuar nga shfaqja e pacipë e divës, vendosi ta lërë, duke ia besuar detyrën vëllait të tij Bob. Sipas thashethemeve, Ministri i ri i Drejtësisë ra në dashuri me divën, si një djalosh i parritur.

Kur në mëngjesin e 5 gushtit 1962, aktorja u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në Los Angeles, zyrtarisht prej një doze të tepruar barnash, pak vetë i besuan tezës së vetëvrasjes. Supozimet ishin të shumta dhe të gjitha hidhnin hije mbi presidentin: Marilyn kishte dijeni për diçka që nuk duhej ta dinte? Apo ishte vrarë thjesht sepse do të zbulonte marrëdhënien e saj, me të dy vëllezërit në majat e pushtetit? Pati shumë paqartësi dhe fshirje provash në hetime, ndërhyrje të FBI dhe CIA, regjistrime të munguara, raporte policore të zhdukura, prani misterioze në vendin ku u gjet e vdekura. Të gjitha këto ushqyen teorinë, ndonëse asnjëherë të provuar, të krimit shtetëror.

Por në mitin e John Fitzgerald Kennedy, mes të vërtetave dhe gënjeshtrave, është edhe kjo.

Artikulli është marrë nga BBC History dhe është përshtatur në shqip nga bota.al.

postbck postbck

Recent Posts

Hurma Arabie me qumësht – Kura që bën mrekulli për shëndetin

  Është një ndër kurat më të lashta popullore përdorur mijëra vite më parë për…

2 hours ago

Të mirat në shëndet nëse pini lëng mishi për shtatë ditë

  Ekspertë të ushqyerjes së shëndetshme e kanë cilësuar lëngun e mishit si një eliksir…

2 hours ago

Kura e fortë kundër reumatizmës, ,mbipeshës dhe sinozitit – Si ta përdorni çdo ditë

  Hudhra është një ushqimet më mirëbërëse për organizmin. Përdorimi i saj i rregullt çdo…

2 hours ago

𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞

𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞” 🇦🇱 📚…

3 hours ago

Dita Kombëtare e Alfabetit, sot publikohet drafti i fjalorit të Gjuhës Shqipe

Sot është Dita Kombëtare e Alfabetit, ku do të prezantohet drafti i fjalorit të rinovuar…

4 hours ago

Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video)

RETROSPEKTIVË: Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video) https://www.facebook.com/watch/?v=550225794417404&rdid=2l0cmv6oLgz5kHUY

4 hours ago