Të huajt që jetonin në Shkodrën e viteve 1777

Në shtëpinë e Zotit. Nevila Nika tregon në librin e botuar nga UET PRESS jep të dhëna mbi emigracionin e imigracionin  dhe përfaqësitë e huaja në Shkodër. 

Të dhënat në këtë drejtim janë për këtë shekull shumë fragmentare. Jam përpjekur që nëpërmjet rreshtave të këtyre dorëshkrimeve të qëmtoj të paktën emrat e të huajve, që banonin në Shkodër e rrethina, si edhe të shqiptarëve që lëviznin në vende të tjera.

Kështu nga regjistri i Ipeshkvisë së Shkodrës,107 mësohet nga një relacion i vitit 1777 hartuar nga vetë Ipeshkvi i Shkodrës mbas vizitës baritore nëpër famullitë e Dioqezës na jep një të dhënë mjaft interesante. Sipas tij banorët

e fshatit Bria disa vite më parë është shpërngulur tërësisht për në Kaninë. Deri tani nuk ka qenë e mundur të verifikohet nga ndonjë burim tjetër, në se bëhet fjalë për fshatin Kaninë në afërsi të Vlorës apo jo. Megjithatë duke patur parasysh ngjashmërinë e pozicionit gjeografik të të dy fshatrave dhe ekzistencën sot në Kaninë, por edhe në Vlorë e fshatra të tjera të familjeve me mbiemra katolikë, mund të arrijmë në përfundimin se ky fshat duhet të jetë shpërngulur për në Kaninë aty nga dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVIII menjëherë pas shtypjes së kryengritjeve kundër shtimit tej mase të taksave, tributeve e angarive, që kishin përfshirë të gjithë ato krahina me popullasi të besimit katolik.

Nën sundimin e familjes Bushati spikat fakti se tregtia e lundrimi marrin një zhvillim të paparë prej dekadash e ndoshta prej shekujsh. Janë të shumta të dhënat që gjenden në regjistrat e vdekjeve të famullisë së Top-hannës, Shkodër, për individë që kanë ndrruar jetë në vende të huaja. Në regjistrin,108 të kësaj famullie bëhet fjalë për vdekjen e Pietër Radonjit nga Shkodra në Peloponez (More) më 14.9.1765. Në regjistër nuk bëhet fjalë për arsyet e vdekjes dhe natyrisht as edhe arsyet se përse Pietër Radonji gjendej në More. Mendoj se duke qenë se pjestarët e komunitetit katolik të kësaj Dioqeze merreshin gjerësisht me tregti e lundrim, personi në fjalë mundet të ketë shkuar atje për të tregtuar mallra të ndryshme. Po nga këto regjistra gjenden të tjera informacione si,”….në Tetor 1794 erdhi lajmi se vdiq afër fshatrave të Korçës, Nikoll Pali, 50 vjeç…”.

Po të kësaj natyre janë edhe shënimet që gjenden në këto regjistra si, “…më 3 Mars 1795 vdiq në Ankona Mark Vladanji…. më 21 Mars 1795 vdiq në Raguza Toni i Ëngjëllorëve…”. Famullitari nuk jep përsëri arsyen përse këta individë janë jashtë kufijve të sanxhakut, por edhe të Perandorisë Osmane, në se ishin tregtarë, lundërtarë, jetonin atje apo po shkolloheshin. Por për njoftimin se, “… më 21 Prill 1796 ka vdekur Gjon Andrea Saraçi..” është e sigurtë se ai duhet të ketë qenë një parardhës i atyre që krijuan jo shumë vite më vonë firmën ekonomiko-tregtare “Saraçi”, arkivi i së cilës ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror. Kurse shënimet se, “…Gjon Anton Kelogina, 21 vjeç ka vdekur në Bosnje më 3 Shkurt 1797 dhe Andrea Nikoll Melgushi 16 vjeç ka vdekur në Venedik më 25 Gusht 1797….”111 për shkak të moshës së tyre të re lënë shteg për të menduar se ndoshta kanë qenë në ato vende

për tu shkolluar ose ishin së bashku me familjet. Dhe njoftimi i fundit për ndonjë besimtar të famullisë së Top-hannës gjatë shekullit të XVIII është, “….ka vdekur në Izmir nga kolera në vitin 1799, Anton Kodheli…”.

Po në regjistrat e famullisë së Top-hannës gjenden të dhëna për qytetarë të huaj, që punojnë e jetojnë në Shkodër, identifikimin e tyre kam mundur ta bëj duke u nisur nga emrat, përjashtuar rastet kur vetë famullitari shpjegon origjinën e personave. Më poshtë po japim emrat e të huajve, që mendoj se për arsye të ndryshme jetonin në Shkodër.

Kështu më 28 Janar 1766 përmendet Ovidio Tedeskini,113 i cili mendojmë se duhet të jetë me origjinë nga Italia e Veriut ose nga Dalmacia.

Më 20 Korrik1769 është regjistruar akti i martesës së lidhur midis Mikele Staniçit dhe Maria Borin, për të cilët nuk thuhet se nga janë me origjinë. Nga emrat jemi mendoj, se duhet të kenë qenë nga bregdeti dalmat, kroat bashkëshorti dhe italiane e shoqja. Nënvizoj këtu se në vitet që do të pasojnë e sidomos gjatë shek. XIX në qytetin e Shkodrës, sipas dokumenteve të klerit katolik shkodran, figuron një numër jo i vogël personazh me origjinë nga bregdeti dalmat, që punojnë e jetojnë në Shkodër.

Më 18 Shtator 1769 bëhet fjalë për një farë Shiefer Ciarraciux,114 për të cilin gjithashtu nuk jepet asnjë e dhënë tjetër. Duhet të ketë qenë me origjinë franceze, pasi edhe emrin e tij famullitari i ka shkruar frëngjisht.

Më 28 Janar dhe 29 Gusht 1770 përmendet Anjeze Arvatin115, sllovene, e cila me sa duket është e martuar në Shkodër.

Ndërsa më 26 Janar 1772 për herë të parë bëhet fjalë për një person të quajtur Xhuzepe Ballarin,116 nga Dalmacia. Shtoj këtu se familja Ballarini në vitet e mëvonshme, po sipas regjistrave të famullisë së Top-hannës dhe të Ipeshkvisë së Shkodrës, rezulton të ketë qenë një familje e madhe në numër frymësh dhe me lidhje martesore të shumta si me familje shkodrane ashtu edhe me familje të ardhura në Shkodër nga vende të ndryshme. Xhuzepe Ballarini dhe pasardhësit e tij në vitet, që pasojnë do të kryejnë funksionet e zv/konsullit e më pas të konsullit të Austro-Hungarisë në Shkodër.

Midis emrave të banorëve të Shkodrës që më datë 10 Gusht 1789117, konfirmohen nga famullitari i Top-hannës, figurojnë edhe Elena Pasaroviq

dhe Gaetano de Magis. Këto persona i hasim herë pas here në regjistrat e famullisë deri në vitin 1795, pra nënkuptohet se ka në banuar gjatë në Shkodër.

Në vitin 1790 po nga regjistri i famullisë së Top-hannës marim njoftimin se në Shkodër jetonte Xhovani Zonik118, me sa duket edhe ky nga Dalmacia. Po në këtë regjistër shënohet edhe vdekja në vitin 1792 e gruas së Dedës, e cila nënvizon famullitari se ka qenë nga Mobaica (Afrikë) .119 Ndërsa një vit më vonë më 1793, po në këtë regjistër evidentohet vdekja në Shkodër e Pietrit nga Gjermania.120 Në vitin 1795 në regjistrin e vdekjeve të famullisë gjendet akti i vdekjes në Shkodër të kapiten Antonio-s nga Risano.121

Ndërmjet shënimeve të bëra në këto regjistra mendoj se paraqet interes ai ku famullitari cilëson Xhovanin e Zaneton se në vitet 1796 e 1797 kanë qenë “capovilla”.122

Sipas të gjitha dëshmive në Shkodër ka patur përfaqësi të huaja diplomatike qysh në shek. XVIII. Në ndihmë për këtë na vijnë arkivat e huaja, ku ruhen raportet e konsujve apo të dërguarve të shteteve të huaja në këtë qytet të rëndësishëm, nga pikpamja politike e ekonomike, një urë lidhëse me Perëndimin. Mund të përmendim këtu përfaqësinë e Austro-Hungarisë, Republikës së Raguzës dhe asaj të Venedikut.

Por për sa i takon personelit të këtyre përfaqësive të huaja në Shkodër gjatë shek. XVIII nga regjistrat e Ipeshkvisë dhe famullisë së Shkodrës njoftimet janë me të vërtetë shumë të pakta. I vetmi njoftim është ai për Anton Duodën, fisnikun e dijetarin shkodran, që ka kryer funksionin e zv/konsullit të Republikës së Venedikut në Shkodër. Këtë funksion ai e ka kryer sipas këtyre regjistrave nga 10 Shkurti 1739 deri më 19 Shkurt 1750. Gjithashtu në regjistrin po të famullisë së Top-hannës të viti 1786 bëhet fjalë për Jak Sumës, i cili cilësohet të ketë qenë zv/konsull iBritanisë së Madhe në vitet 1791- 1792.

Ndërsa në vitin 1791 ka një shënim se në Shkodër ka një konsullatë të Budvës, por nuk jepen të dhëna për personat që punojnë në të. Regjistrat e famullive janë një burim tepër i çmuar për studimet në fushën e demografisë. Në regjistrin e vitit 1744 të Ipeshkvisë së Shkodrës janë kopjuar siç e kemi thënë edhe më sipër relacionet e Ipeshkëve me rastin e vizitave të tyre baritore nëpër famullitë e kësaj Dioqeze. Këto relacione kanë të dhëna të shumta për famullinë në përgjithësi. Kështu jepet sasia e shtëpive dhe frymëve; të ardhurat e shpenzimet e famullisë; objekteve të kultit; pasurive e ndryshme, që zotëronte secila famulli; largësinë e saj nga Shkodra dhe të fshatrave, që bëjnë pjesë në të nga qendra e famullisë; disa të dhëna biografike të famullitarëve, që shërbejnë në to etj. Ato janë mjaft konçize dhe jemi të mendimit se janë edhe mjaft të sakta, pasi për të shkruar një relacion të tillë Ipeshkvi duhej detyrimisht të shkelte personalisht çdo famulli dhe fshatrat, që bënin pjesë në të.

Si rregull një kopje e këtyre relacioneve i dërgohej Selisë së Shenjtë në Romë ose Kongregatës së Propagandës Fide. Në arkivat e klerit katolik vendas ruheshin kopjet e dyta ose ato kopjoheshin në regjistra. Fatkeqësisht shumë prej tyre kanë humbur. Shembullin e parë e këtij lloj dokumentacioni, që ruhet në Arkivin Qëndror Shtetëror, e kemi të ruajtur të kopjuar në regjistrin e vitit 1744 të Ipeshkvisë së Shkodrës. Në kapakun e këtij regjistri dikush ka bërë shënimin, “Bleni i Dytë se Bleni i Parë ka humbun”. Nga ky shënim mundemi të përfytyrojmë se çfarë thesari dokumentar ka humbur ndër vite, pasi në se do të kishim sot në dorë Blenin e Parë, ai me siguri do të mbulonte në mos të gjithë shekullin e XVII të paktën një pjesë të tij.

Gjithsesi në këtë regjistër janë kopjuar mjaft dokumente me vlera të rralla jo vetëm për historinë e Kishës Katolike shqiptare, por edhe për historinë tonë kombëtare.

Në relacionin e sipërpërmendur të Arqipeshkvit të Tivarit, Imzot Vinçenc Zmajeviç, të hartuar pasi ka kryer një vizitë baritore nëpër famullinë jepen të dhëna mjaft me vlerë mbi gjendjen e këtyre famullive në vitin 1744. Nga ky relacion, i cili në formën e tij më të plotë i është dërguar Selisë së Shenjtë, për sa i takon të dhënave mbi popullatën e kësaj Arqipeshkvie, janë nxjerrë të dhënat e mëposhtme. /Gazeta Liberale

postbck postbck

Recent Posts

Fundi tragjik i dashurisë mes Sami Frashërit dhe aktores Mari Karyan! Historia e panjohur e dijetarit shqiptar

Armenia e re, nuk mundi ta harronte Shemsedin Samiun, duke u kthyer kështu në Stamboll,…

1 day ago

Seit Frashëri, mik dhe shok armësh me Avni Rustemin

Nga Artur Ajazi Dangëllia, zona më e begatë e Përmetit, është përmendur gjithmonë për patriotizëm.…

1 day ago

Luf’ta e Spanjës/ Përse shkuan 70 vullnetarë nga trojet shqiptare, ja ana e panjohur e Mehmet Shehut

Nga Xhevdet Shehu Lufta e Spanjës dhe vullnetarët shqiptarë Në kalendarin e datave përkujtimore ka…

1 day ago

“National Geographic”, më 1980: Shqipëria, e vetme përballë botës

Teksti dhe fotografitë: Mehmet Biber (reportazh i botuar në revistën National Geographic – vëll. 158, nr. 4,…

1 day ago

Kosovo, 1981: Jeta ndryshe dikur në Kosovë (Video)

Kosovo, 1981: Jeta ndryshe dikur në Kosovë (Video) https://www.youtube.com/watch?v=PeGFbxgiy3M&ab_channel=FMImagesAlbania

2 days ago